Paloka Rama ka hesape me bandat e droges
Partia Demokratike nuk mohoi dje ekzistencën e një dokumenti, ku përfaqësuesit e Partisë Socialiste konsideroheshin si të përfshirë në trafikun ballkanik të drogës. Në kuadër të deklaratave të deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, në lidhje me dërgimin e “dëshmive” nga ana e përfaqësuesve të bandës së Daut Kadriovskit, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se ngjarjet e fundit pohojnë edhe një herë lidhjen e eksponentëve të PS-së me këto banda. “Gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha grupet e mëdha të drogës, të Kadriovskit, Ginës, të Aldo Bares, emri i kryetarit të Bashkisë së Tiranës është lakuar gjerësisht në raporte dhe media. Dalja e sotme e çakallit të Edvin Ramës, dëshmon thjesht luftën midis klaneve të drogës dhe fakton në mënyrë të qartë lidhjet e Edvin Ramës, të cilat janë bërë të njohura dhe publike në mënyrë të përsëritur”, ishte deklarata që bëri dje për mediat, numri dy i grupit parlamentar të PD-së. Në mënyrë të herëpashershme Kryeministri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës parlamentare e kanë akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka qenë dhe është pjesë e klaneve mafioze të drogës në Ballkan dhe më gjerë. Sipas përfaqësuesve të mazhorancës, Edi Rama është një person që kërkon pushtet vetëm për klanet dhe interesat e tij mafioze dhe nuk ka një lidhje të afërt me Partinë Socialiste dhe me pjesën tradicionale të kësaj partie. Deklaratat e fundit të kreut të qeverisë, Berisha, në lidhje me këto lloj përfshirjesh të Ramës, janë bërë vetëm një muaj më parë, duke i bërë këto akuza pjesë të retorikës politike për kundërshtarin e tij politik.