Ngjela: Dy kushtet që duhet të plotësojë presidenti i ri. Takimi i Zaganjorit me Ramën, qesharak
Avokati i njohur, Spartak Ngjela, në një intervistë për gazetën Shqip shpjegon dy kushtet që duhet të plotësojë një kandidat për president. Ai duhet të mbrojë shtetin nga kjo mazhorancë agresive dhe duhet të ketë pranimin nga aleati ynë strategjik- Uashingtoni dhe NATO, tha Ngjela. Avokati tha se deri më tani nuk ka proces. Që të fillojë procesin, do të thotë që të mendojë për konsensusin. Por a mund të mendojë Berisha këtë? Kurrë. Asnjëherë mos prisni konsensus me të. Këtë herë është presioni i politikës atlantike që e ka bërë që të krijojë lloj- lloj artificesh, që nuk kanë lidhje me asgjë kombëtare dhe asgjë demokratike. Kandidati që ka nxjerrë është ta hajë kush ta hajë, tha Ngjela.
Më tej ai ka komentuar figurën e Zaganjorit. Nuk e njoh nga afër, por përderisa e pranoi këtë rol që i ul personalitetin, sigurisht që duhet të ketë mangësi në formimin politik dhe sidomos historik. Shenja e parë që më dha se e kishte personalitetin të cenuar ishte votimi kundër që bëri për shitjen e hapësirave kombëtare, që kishte bërë marrëveshja e detit me Greqinë, tha Ngjela.
Ndërsa duke komentuar takimin e Zaganjorit me Ramën, Ngjela tha: Takimi me Ramën ishte qesharak, sepse Rama e kishte shprehur mendimin për procesin. Ai, nëse nuk e kupton se është një kandidat presidencial që nuk ka dalë nga procesi, nuk do kuptojë më pas edhe shumë gjëra të tjera. Rama bëri mirë që e priti, por qëndrimi i tij ishte fyes për Zaganjorin.
Në fund Ngjela thotë se Berisha nuk do e vjedhë dot presidentin.