Kasat fiskale, tatimet nisin kontrollin në të gjithë vendin
Aksioni
Afro 300 subjekte të biznesit të madh në rajonin e Durrësit rezultojnë të jenë të papajisura me kasa regjistruese edhe pse afati është mbyllur në fund të muajit dhjetor. Rreth 50 biznese, që nuk kanë nënshkruar kontrata me firmat e kasave janë bërë objekt i ndëshkimit të tatimorëve durrsakë me gjoba që variojnë nga 20 deri në 100 mijë lekë të reja. Ky është rezultati i kontrolleve të ushtruara nga dega rajonale e Tatim-Taksave në Durrës në mbështetje të së cilës kanë mbërritur edhe grupe kontrolli të njësisë së Task-Forcës nga Tirana. Kreu i tatimorëve, Shkëlqim Fortuzi thotë se në rajonin e Durrësit që përfshin edhe rrethet e Kavajës dhe Krujës numërohen 1500 biznese të mëdha. Për 300 bizneset pa kasa, por edhe të tjerat që do të hyjnë në skemë, pas datës 4 shkurt penalitetet financiare për mungesën e kasës do të rriten në vlerën e 500 mijë lekëve të reja dhe nëse as kjo masë nuk do të jetë e vlefshme subjekteve do t’u mbyllet aktiviteti. Ndërkaq, bizneset e vogla që kalojnë me TVSH në këtë fillimviti kanë një afat 15-ditor nga momenti i regjistrimit për t'u pajisur me kasa. Për subjektet që do të hyjnë në skemën e TVSH-së është vendosur ky afat si kohë e mjaftueshme që biznesi të kryejë veprimet dhe siguruar kasën që synon të ulë nivelin e ekonomisë informale në vend.
Problemet nuk janë vetëm në Durrës apo Tiranë, por edhe në rrethe të tjera. Kështu, në të gjithë qarkun ka filluar kontrolli nga Drejtoria e Tatim-Taksave ndaj subjekteve të mëdha, për të mësuar nëse i janë përgjigjur detyrimit ligjor. Sipas Haxhisë, gjatë kontrollit të ushtruar janë konstatuar se nga 300 biznese të mëdha, vetëm 20 kanë hezituar të marrin kasë fiskale, kurse pjesa tjetër nuk i kanë vënë ende në punë. Ndërsa në Sarandë, nga 350 subjekte të biznesit të madh në rajonin e Sarandës dhe Delvinës, vetëm 70 për qind e tyre janë pajisur me kasa fiskale. Gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar aksione duke u vendosur gjoba bizneseve.
#