Ngjela: Me "Polin",kam dallim pikëpamjesh
Ngjela do të dalë i vetëm në zgjedhje
TIRANË- Kryetari i PLiDr-së, Spartak Ngjela, nuk do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të djathtë "Poli i Lirisë". Përpos ftesës publike të drejtuesve të partive të këtij poli, drejtuar Ngjelës, ky i fundit ka deklaruar dje, në dalje të posaçme për mediat, se nuk do të dalë në zgjedhje me këtë koalicion. Edhe pse ka theksuar se do të dalë i vetëm në zgjedhje, Ngjela nuk ka përjashtuar bashkëpunime të tjera, por pa specifikuar së me cilat parti.
Ngjela deklaroi dje se nuk ndan pikëpamje të përbashkëta me drejtuesit e "Polit të Lirisë" dhe, si i tillë, nuk mund të bëhet pjesë e këtij grupimi. "Partia Ligj dhe Drejtësi ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje me ndonjë koalicion anësor, sepse ndjen dallim në pikëpamje.
Deri në këto momente, qëndrimi i partisë sonë është ky. Në të njëjtën kohë dua të deklaroj që partia Ligj dhe Drejtësi ka dalë në skenën politike për të frenuar riardhjen e socialistëve në pushtet dhe të shpëtojë të djathtën, duke e ristrukturuar brenda nocioneve të reja, pas goditjes së rëndë që i solli qeverisja aktuale",- tha dje Spartak Ngjela.
Ai qartësoi qëndrimin e tij vetëm një ditë pas zyrtarizimit të koalicionit "Poli i Lirisë", ku prej kohësh ishte përfolur se do të ishte pjesë e saj. Në këtë mënyrë, Poli i Lirisë do të vazhdojë të funksionojë si i tillë vetëm me tri parti; PDK, LZHK dhe PBD, ndërkohe që partia e Ngjelës, deri më tash, do të luftojë për të garuar e vetme.