Trafikantja e të miturve, ne pranga nga Spanja
Ekstradohet nga Madridi i Spanjës një 24-vjeçare e shpallur në kërkim për trafikimin e dy gjimnazisteve e mbetur në tentativë. Valmira Mahmutaj nga Berati është ekstraduar ditën e djeshme nga Spanja sepse gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, më datë 12 nëntor të vitit 2006, e ka dënuar atë me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Trafikimit të të miturve". Ngjarja për të cilën akuzohet e reja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2004 kur Mahmutaj në bashkëpunim me persona të tjerë kanë tentuar të trafikojnë dy të mitura në Itali. A.K, dhe M.E më datë 9 dhjetor të vitit 2004, denoncuan në polici se Valmira Mahmutaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, nga qyteti i Sarandës kanë tentuar t'i kalojnë ato në Greqi, dhe më pas në Itali. Menjëherë pas denoncimit të dy vajzave, policia nisi hetimet duke bërë të mundur dhe kapjen e Mahmutajt. Për shkak të një sëmundjeje prej së cilës vuante e arrestuara, gjykata vendosi që ajo të qëndronte në arrest shtëpie gjë e cila favorizoi vajzën të arratisej. Ajo u largua nga Shqipëria dhe u shpall në kërkim nga policia. Pak kohë më parë, 24-vjeçarja u kap nga policia e Spanjës e cila njoftoi drejtësinë Shqiptare për të nisur procedurat e ekstradimit të Valmira Mahmutaj gjë e cila u bë e mundur dy ditë më parë.