E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Pas marrëveshjes me Greqinë fshihet një aferë e madhe korruptiveNga TCH, Tema Avokat Spartak Ngjela do të paraqesë vetë ankimimin për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufijve ujorë. Ngjela tha se pas kësaj mar

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ngjela: Pas marrëveshjes me Greqinë fshihet një aferë e madhe korruptiveNga TCH, Tema

Avokat Spartak Ngjela do të paraqesë vetë ankimimin për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufijve ujorë.

Ngjela tha se pas kësaj marrëveshjeje fshihen interesa korruptive.

Avokat Ngjela shtoi se me këtë marrëveshje është shkelur Kushtetuta, neni tre i saj, që flet për cenimin e territorit. Ngjela tha se vetë fakti që flitet për marrëveshje, do të thotë që është lëshuar territor. Ai u shpreh gjithashtu se ka një vendim të Gjykatës së Hagës për incidentin e Korfuzit që penalizon Shqipërinë, duke supozuar kështu njohje të këtij territori si shqiptar.

“S’kam pse ta fsheh, do ta paraqes vetë përpara Gjykatës Kushtetuese. Do jem dhe si avokat. Ne dyshojmë se këtu mund të ketë një aferë të madhe korruptive, për faktin se aty do kalojnë tubat e gazsjellësit dhe Shqipëria humbet rreth 200 milionë euro në vit. Pyetja është: Kush i fiton? Këtë do ta gjejnë organet përkatëse”, - tha Ngjela.

“Është cenuar territori. Cenimi i territorit është neni 3 i Kushtetutës. Është krim i rëndë në Kodin Penal. Janë shumë gjëra të rënda rreth kësaj marrëveshjeje. Fakti që bëhet një marrëveshje kuptohet që nuk është territor grek, por është territor shqiptar, se, po të ishte territor grek, nuk do të kishte nevojë për marrëveshje me Shqipërinë. Ekziston vendimi i Gjykatës së Hagës që Shqipëria të ndëshkohet me pagesën e reparacioneve për një dëm që i sjell flotës angleze pas një shpërthimi bombe në territorin shqiptar. Ka qenë një konflikt i vjetër anglo-shqiptar, i cili është zgjidhur me anë të këtij vendimi, të cilin e kemi pranuar dhe e kemi paguar një ton e gjysmë ar”, - tha Ngjela.

150 koordinatat e reja të kufiri detar më Greqinë janë kontestuar nga opozita, me pretendimin se falet një sipërfaqe e konsiderueshme ujore, fakt ky që është mohuar nga ekipi negociator i marrëveshjes.

Kryetari i PS, Edi Rama, shpjegoi para disa ditësh arsyet që e shtynë partinë e tij së bashku me gjashtë parti të tjera të majta e të djathta t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen.

“Asnjë transparencë dhe vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëri përballë diskutimesh dhe konkluzionesh konkrete të ekspertëve të fushës. Diskutime dhe konkluzione që nxjerrin në pah se bëhet fjalë për një marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me interesin kombëtar dhe kjo është arsyeja pse dhe ne u bëmë dhe nismëtarë të një ankimimi në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar në hullinë e duhur këtë çështje. Duke kërkuar nga Gjykata më e lartë e vendit të ushtrojë të gjithë kompetencën e saj dhe të japë një konkluzion bazuar në një ekspertizë të imët, në mënyrë që kjo çështje, e cila është një çështje kaq e ndjeshme me plot të drejtë dhe e cila ka prekur çdo qytetare dhe qytetar të këtij vendi, të trajtohet me dinjitetin e duhur dhe të mos kthehet në asnjë mënyrë në një burim për ta devijuar këtë debat kaq të rëndësishëm në një debat të rëndomtë të ushqyer me pasionet e panevojshme dhe për më tepër pastaj të instrumentalizuar në dëm të një marrëdhënieje, e cila për Shqipërinë është një marrëdhënie strategjike”, - tha Rama.

Pashaj: Arsyet pse i kemi falur territor ujor Greqisë

Debati mbi përcaktimin e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë gjendet përballë disa të panjohurash, që në fakt përbëjnë edhe thelbin e tij. Mungesa e transparencës nga ana e qeverisë u hapi udhë akuzave nga ana e ekspertëve të pavarur, deri edhe në pretendimin e faljes së kufirit Greqisë. Po ku është koordinata fundore e kufirit greko-shqiptar dhe ku ndryshojnë hartat e ekspertëve të pavarur nga ato të paraqitura së fundmi nga qeveria? Shtrirja e kufirit detar grek deri në thuajse qendrën e ngushticës së Otrantos, në koordinatën tashmë të famshme 150, sipas studiuesit Myslym Pashaj është një nga pikat e errëta të marrëveshjes. Në hartimin e marrëveshjes zyrtare, ishulli Othonoi është përdorur si shenjë skaji e kufirit me tokën greke, nga ku janë llogaritur edhe koordinatat e kufirit zyrtar dhe sipas Pashajt, kjo ka bërë që Shqipëria të humbasë praktikisht një sipërfaqe prej 335 kilometrash katrorë hapësirë detare.

Pashaj: Prirja për t’u futur në ngushticën e Otrantos është një prirje krejtësisht në kundërshtim me Konventën e detit. Në një nga nenet e saj, ajo e përcakton saktë se asnjë shtet i tretë nuk ka të drejtë që të vendosë vija të drejta bazore për të ndërprerë detin shtetëror, hapësirën detare vijëmore dhe hapësirën ekskluzive ekonomike të shtetit tjetër.

Kërkesa jonë për të hedhur më shumë dritë mbi këtë pakt, të paktën duke treguar më në detaje pikat gjeografike të përcaktuara, ka hasur në kundërshtimin e autoriteteve portuale të Sarandës, të cilat nuk kanë lejuar grupin tonë të xhirimit të siguronin një mjet të fuqishëm peshkatarësh për të filmuar pikërisht aty ku ndodhen këto pika, këto vija ndarëse midis Shqipërisë dhe Greqisë. Një mënyrë për t’u treguar transparentë për pikat e kësaj marrëveshjeje është të udhëtojmë drejt Ksamilit, ku mundëm të siguronim një mjet të thjeshtë lundrimi, me qëllim për të dhënë më konkretisht pretendimet e ekspertëve të pavarur, pikërisht në kufirin detar shqiptaro-grek, rreth një kilometër larg ishullit-shkëmb Barketa dhe përballë ngushticës së Korfuzit.

Pashaj: Pikërisht ajo që të bën ta rishikosh me shumë vëmendje është kjo që pikërisht në kanalin e Korfuzit, ku largësia është shumë e vogël, janë përdorur edhe shkëmbinj të vegjël nënujorë si pika referuese. Nëse do të ishte një hapësirë më e madhe detare, ku ka shkëmbinj, do ta pranonim që mund t’i përdornim si pika referuese. Por në një kanal të ngushtë, siç është Korfuzi ynë historik, i të dy vendeve, i Greqisë, i helenëve dhe ilir-shqiptarëve, të përdorësh gurët, shkëmbinjtë nënujorë mendoj se nuk është normale dhe nuk është e barabartë.

Shkëmbi Barketa, i cili duket shumë pak ose aspak, pavarësisht se jemi shumë pranë tij, në marrëveshje, sipas Pashajt, është konsideruar si pikë skajore, duke afruar kufirin afër bregdetit shqiptar.

Pashaj: Kështu që, në kanalin e Korfuzit, që është shumë i ngushtë, ne marrim jo gjysmën e kanalit, ne marrim në disa pjesë çerekun e kanalit. Pra, jemi në disa pjesë të pabarabartë.

Studiuesi Pashaj pranon faktin se zyrtarisht nuk ka ekzistuar më parë kufiri shqiptaro-grek. Megjithatë, thekson ai, në këtë marrëveshje pala shqiptare është paraqitur e papërgatitur.

Pashaj: Ajo që i befason shqiptarët është kjo, që negociatorët shqiptarë kanë pranuar që të marrin si pika skajore, matëse, si pika referuese, edhe shkëmbinjtë, që hera-herës dalin mbi ujë dhe zhduken, njëlloj si mund të merreshin edhe ishujt e tjerë të mëdhenj.

Pashaj pretendon se gjithë këto gabime në përllogaritjen detare janë bërë edhe në konsiderimin që i është bërë gjirit të Sarandës.

Pashaj: Të gjesh argumente për përcaktimin e kufijve detarë midis dy vendeve dhe të mos gjesh emrin e gjirit të vendit tënd dhe të mos pranosh atë që thuhet, se bashkimi i kepit të Qefalit me kepin e Mërtesës apo kepin e Vrojtimit e përmbyll gjirin e Sarandës, kjo është e çuditshme dhe tronditëse. Përfytyroni ku i humbasim 15 kilometra katrorë, në pjesën më interesante të Sarandës. Atëherë vija përmbyllëse ishte prej kepit të Mërtesës deri te kepi i Qefalit. Aty duhet të fillonte ndarja e ujërave për përcaktimin e vijave të mesme të baraslarguara. Ndërkohë, ka filluar ndarja pikërisht nga muret kryesore dhe historike të qytetit.

Ajo që mund të themi me siguri është se kjo marrëveshje është kryer në mungesë të plotë transparencë, fakt ky që na bën të ngremë disa pyetje. Përse kërkesa për përcaktimin e kufirit u kërkua me kaq ngulm nga Greqia? Përse negociatat u mbyllën në një kohë rekord, me vetëm tri takime? Përse Greqia e konsideroi këtë si një arritje strategjike? Përse negociatat u nisën me Shqipërinë dhe jo me Turqinë, për shembull? A ka projekte ndërkombëtare energjitike në këtë zonë, që lënë jashtë Shqipërinë? Dhe mbi të gjitha, pse pala shqiptare, në këmbim të kërkesës së grekëve, nuk kërkoi shpjegime për një sërë çështjesh të tjera që kanë mbetur pezull historikisht, si çështja çame, ligji i luftës apo edhe kufiri tokësor?

Meta: E shtymë ratifikimin e marrëveshjes

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka pranuar dje se miratimi i marrëveshjes për kufirin ujor me Greqinë është shtyrë nga ana e Kuvendit, ndryshe nga sa ishte shprehur ky i fundit. Meta, partia e të cilit përpara 28 qershorit ka qenë një ndër kundërshtarët më të egër për këtë marrëveshje, është shprehur se shtyrja e miratimit të marrëveshjes është bërë me shkakun që ajo të bëhet sa më transparente. “Çështja ka qenë në rendin e ditës së Kuvendit. Shtyrja e ratifikimit është bërë për t’u dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit sa më tepër transparent të procesit”, - u shpreh ministri i Jashtëm. Ky i fundit ka përsëritur faktin se Greqisë nuk i është falur asnjë milimetër kufi ujor, ndërsa tha se marrëveshja për kufirin detar me Greqinë ka qenë e domosdoshme. “Janë të ftuara të gjitha palët të vijnë në Ministrinë e Jashtme dhe të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre duke garantuar edhe njëherë se marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare”, - tha Meta.

Ndërsa ky i fundit ka pohuar faktin e shtyrjes së ratifikimit të marrëveshjes, zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë nuk e deklaroi këtë gjë dhe e pranoi në heshtje. Kuvendi nuk deklaroi shtyrjen e miratimit, por e gjeti zgjidhjen duke rishtypur një kalendar të ri të punimeve, nga i cili ishte hequr ratifikimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më pas Kuvendi deklaroi se pika e ratifikimit u hoq, “sepse 19 tetori binte ditë e hënë dhe nuk ka më seanca parlamentare ditëve të hëna”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›