Shqipëria është e vogël, vetmadhështia nuk i shkonNga Besnik DizdariMbas euforisë së barazimit “zâmadh” 1-1 me Danimarkën më 9 shtator 2009 në Tiranë, kam thënë se ka barazim, por dhe mos-humbje dhe se barazimi vlen më shumë se mos-humbja. Ndonëse gr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shqipëria është e vogël, vetmadhështia nuk i shkonNga Besnik DizdariMbas euforisë së barazimit “zâmadh” 1-1 me Danimarkën më 9 shtator 2009 në Tiranë, kam thënë se ka barazim, por dhe mos-humbje dhe se barazimi vlen më shumë se mos-humbja. Ndonëse grafikisht të dy kanë të njëjtën pamje. Dy numra të barabartë me një vijë në mes: 1-1! Përshembull, 0-0 i Shqipëri – Gjermani në vitin shqiptar oruellian 1967 nuk ka qenë një mos-humbje, por një barazim i mirëfilltë. Madje për kah fama e rezultatit, qe konsideruar thuajse si një fitore. U eliminua nga Kampionati Europian në të mirë të Jugosllavisë së Titos, Gjermania e Helmuth Shön-it. Thashë ndërkaq se Kombëtarja e Shqipërisë, në të vërtetë, ka disa barazime kësisoji, por dhe jopak mos-humbje. Barazim ka qenë edhe 1-1 i Irlandës së Veriut në Tiranën e vitit 1965, sepse po ashtu, edhe ky barazim shkaktoi eliminimin nga Kampionati Botëror të një prej formacioneve më angleze që ka pasë ndonjëherë Irlanda e Veriut. Ajo nuk ishte e sotmja, sepse asokohe përbëhej prej një bërthame të Manchester United me në krye George Best – ndoshta lojtari më i mirë i botës për periudhën – për të cilin sot e kësaj dite e kam të vështirë të përcaktoj se kush ia ndali vrullin: Shllaku, Frashëri apo Halili? Shqipëria ka edhe barazimin zâmadh 2-2 në Mielec të Polonisë së Boniekut më 1984. Shtova se tash së fundi Shqipëria ka edhe barazimin 2-2 në Kiev me Ukrainën, që po aq është një barazim, jo një mos-humbje dhe se Shqipëria ka edhe barazimin 1-1 me Bullgarinë e Stoichkov më 1995, mû në çastin kur ky formacion i shkëlqyeshëm ballkanik ishte midis katër më të mirëve të botës. Mandej, Shqipëria kishte edhe barazimin 2-2 në Oslo të Norvegjisë, që jo vetëm nuk ishte një mos-humbje, por ishte një lloj barazimi historik që i përngjante jopak fitores. Shtova se më dukej barazim edhe 1-1 me Zvicrën e fortë të çastit, mbërritur në Tiranë më 2002, ndeshja e parë me një trajner të huaj, italiani Giuseppe Dossena, sepse mbas kësaj ndeshje mjaft të mirë skuadra shqiptare bënte hapin e parë europianizues të saj. E quajta barazim të përkujtueshëm edhe 0-0 me Irlandën e fuqishme në Tiranë më 2003, vetëm katër ditë mbas fitores së bujshme 3-1 me Rusinë në Shkodër, premierat sensacionale të Hans Peter Briegel, të cilin nuk mbeti gazetë në Shqipëri pa e kritikuar pa mëshirë (përjashto autorin e këtushëm); e tash ec e gjeji rezultatet e tij. Mandej kujtova barazimin e fuqishëm 0-0 në Sofje me Bullgarinë – vepër e Otto Baric, më 2007, që merret me mend se nuk është një mos-humbje. Natyrisht nuk harrova pa shënuar 0-0 në Braga të Portugalisë më 15 tetor 2008, episod i rrallë që gjithashtu kurrsesi nuk mund t’i them mos-humbje, por barazim, një barazim i madh, madje kryevepra e trajnerit Arie Haan, si një sfidë ndaj lojtarit më të mirë të botës, Cristiano Ronaldo.
XXX
Dhe vërejta se 1-1 me Danimarkën, kryesuesen e Grupit 1 të Afrika 2010, për një çast më dukej të ishte një barazim mirëfilli, jo një mos-humbje, mirëpo një lloj trysnie që më bënte historia, më shtynte ta përfshija edhe këte barazim më tepër te mos-humbjet. Jo thjesht ngaqë në tanësi ndeshja nuk qe nivel i lartë europian, por ndoshta më tepër nga që po shihja një eufori të papranueshme për këte barazim, një gëzim të pamatë, të zgjatur, naiv, aty-këtu deri i papërmbajtshëm…
Në të vërtetë shkaku ishte se ky barazim që për mua qe thjesht një mos-humbje, ngjalli një eufori të papame, saqë shumkush u hodh përpjetë duke paramenduar se Shqipëria do të shpërthente në “Rasunda” të Stokholmit thuajse si Pele më 29 qershor 1958 kur shkatërroi 5-2 Suedinë e Hamrinit e të Liedholmit në fundoren e Kupës së Botës që i dha titullin e parë Brazilit legjendar të Visente Feolës.
Në mbrëmbjen nordiko-shqiptare të 14 tetorit 2009 ishin jo pak, por bukur 32.000 shikues në një stadium historik, kapaciteti i të cilit është 37.285 vende! Kishin ardhur sepse ata spekatatorë atdhetarë zotërojnë kulturën vetpërfaqësuese të futbollit, që iu thotë se Kombëtarja nuk duhet braktisur edhe nëse sapo është eliminuar prej një Kampionati Botëror. Ndoshta kishin ardhur edhe me kërshërinë për të mësuar se çka ishte kjo Shqipëri e vogël, jo vetëm në futboll, por në gjithçka? Ky publik i shumtë suedez qe befasia e parë për jopak shqiptarë naive, të cilët parashikuan se meqë sapo ishte mënjanuar nga fundoret e “Afrika 2010”, Suedia nuk do të luante futboll të vërtetë me shqiptarët. U pa vërtet që Suedia luajti një futboll që në kësi pamjesh quhet disi “i lehtë”, por që pati në vetvete qetësinë shpirtërore për të mos u sforcuar për të realizuar plot siguri një 4-1 që përbën humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto kualifikime të Botërorit 2010. Gola të lehtë, të qetë, që vinin prej një rrotullimi pa zhurmë të topit dhe që çuditërisht ngjallën brohoritje dhe gëzim të veçantë në “Rasunda”. U pa edhe një herë se askush nuk lëshon më pê në një ndeshje, në çfarëdo ndeshje që ka të bëjë me flamurin e himnin kombëtar të një kombi.
Teknikisht, Suedia fitoi një ndeshje me zemër të qetë, pa një shtërngesë edhe ngaqë përballë pati një Shqipëri të ngadalshme, së cilës edhe pse nuk i mungoi dëshira, qe si e shpërndarë, aritmike, pa një tru të saktë loje, pa një lider udhëheqës, dhe që taktisht të dukej si një skuadër teorike dhe asesi praktike apo në varësi të një kundërshtari që dihej, ishte tejet më i fortë se ajo, jo vetëm fizikisht, por sidomos teknikisht (njihet teknika e tyre racionale). Shqipëria shkurtoi në 3-1 falë golit të bukur të Salihit, por e mbylli me 4-1 në mbarim të një ndeshje që në fund të fundit, vulosi rënien e saj. Rënien e qartë mbas plot 7 vjetëve në rritje e sipër, në ndeshje të mira e shpresëdhënëse, ku përveç 9 fitoreve, janë edhe 12 barazime, shumica e të cilëve po aq të bukura sa dhe fitoret, nga ato lloj barazimesh që nuk janë mos-humbje, tejet dinjitozë, disa prej të cilëve i përmendëm edhe në hyrjen e këtij shkrimi. Mirëpo, shifra e plot 21 humbjeve në të 42 ndeshjet në të 4 këto edicione të fundit të asaj që na pëlqen ta quajmë kthesë (asnjëherë Shqipëria nuk ka patur këte baraspeshë të pranueshme të humbjeve përballë fitoreve dhe barazimeve si në këto 4 edicione të fundit), prapëseprapë të shqetëson tejet. Pa shkuar te epilogu në “Rasunda”, që mbart gjithë përmbajtjen e një rënieje të befasishme të kohëve të fundit.
Në plot 8 muaj Shqipëria ka marrë vetëm 2 pikë. Qysh nga 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen që shkarkoi trajnerin Arie Haan dhe që sollën në krye të Kombëtares shqiptare kroatin jo aq të mirënjohur Josip Kuže – protagonist i 1-1 të ndeshjes me Danimarkën, ndeshje të cilën ai e mbylli duke patur në 11-sh katër djem 21-vjeçarë: Ujkani, Hyka, Vila, Lika! Ndërsa në Solna të Stokholmit të Suedisë Shqipëria e tij u mund 1-4 duke patur në fushën e lojës katër lojtarë mbi 30-vjeçarë: Haxhi 34 vjeç, Skela 33, Duro 32, Bogdani 32 vjeç! Kur të 30-tave po i afrohen edhe Elvin Beqiri dhe Ervin Bulku. Kjo ishte e dhëna e parë tronditëse e aritmisë së një pjesë të lojërave shqiptare që kulmuan në ndeshjen me Suedinë. Një 11-sh shqiptar i sunduar nga mbi 30-vjeçarët përballë djemve nordikë suedezë për të cilët dihet, më e pakta se çfarë fëmijërie kanë kaluar në krahasim me djemtë tonë! I duhet kujtuar trajnerit tonë kroat se argumenti shqiptar përveç të tjerave është edhe social, biologjik e ndoshta dhe gjenetik.
Me 7 pikët e saj në 9 ndeshje, Shqipëria u shtang në situatën më të ulët të katër edicioneve të fundit të saj, e drejtuar me trajnerë të huaj. Duke qenë se në tanësi, ajo ka bërë një kthesë të dukshme, mbi të gjitha në përmbajtjen dhe cilësinë e ndeshjeve, befasia e këtyre 7 pikëve në 9 ndeshje është rënia e saj në këto katër edicioneve kur ajo ndërkombëtarizoi dhe modernizoi drejtimin teknik të saj.
Duke iu kthyer shifrave dhe statistikës pamja është kjo:
KE 2004: 37.50 përqind sukses (G.Dossena, H.P.Briegel)
KB 2006: 37.50 përqind sukses (H.P.Briegel)
KE 2008: 37.50 përqind sukses (O.Baric)
KE 2010: 30.00 përqind sukses (A.Haan, J.Kuže)
XXX
Kjo është Shqipëria edhe në futboll; e diçka më shumë se një e katërta e suksesit. Ndoshta kështu në të gjithë treguesit, të mundësive dhe zhvillimit në të gjitha fushat e jetës. Mû ashtu siç kam titulluar:
“Shqipëria është e vogël, vetmadhështia nuk i shkon”. Sepse është vërtetë e çuditshme se si mund të shpërthesh kësisoji për ditë të tana, pa ndalesë, për një ndeshje si Suedia – Shqipëria ku luan mëtuesja e fuqishme e fundoreve të Kupës së Botës me atë që anglezët e quajnë “outsider” (e dalun jashtë) i grupit, e cila në prag të kësaj ndeshjeje ka vetëm 1 fitore dhe 4 humbje. Kisha me thënë se mjafton për të dëgjuar pa ndalesë për ditë të tana reklamën e transmetimit televiziv të kësaj ndeshje për të ndjerë një mosmiratim, madje si telespektator gati një fyerje, e pse jo një prirje publiciteti që sikur kërkon të të bëjë shplarje truri. Eshtë vërtet e çuditshme se si i pushton një kategori shqiptarësh kjo lloj euforie, që vetvetiu mund të bëhet një nga shkaqet e çbaraspeshës shpirtërore dhe mendore që të pengon tejet të shohësh të metat.
Kujtoni për një çast fitoren 6-1 të miqësores me Qipron se deri në çfarë shkallë mbërriti euforia. Dhe e kujtoni tash se çfarë ndodhi më mbas. Mbas kësaj ndeshjeje Shqipëria e mbylli 1-1 me Danimarkën në Tiranë dhe u shkatërrua 4-1 me Suedinë në Solna të Stokholmit! Ndërsa Qipro me plot 8 lojtarë të humbjes 1-6 të Tiranës, fitoi 4-1 me Bullgarinë dhe deri 11 minuta para mbarimit kryesonte 2-0 me Italinë - Kampionen e Botës në fuqi – në fushën e kësaj të fundit, ndonëse në epilog humbi 3-2 për 11 minuta, pa mundur të përballojë shpërthimin e 11-shit italian, që për hir të së vërtetës ishte skalioni i dytë i 24-shes së tij. Dhe Qipro ka jo 7 pikë sa Shqipëria, por 9 pikë, 2 fitore, 3 barazime, 14-16 golat, e çka është më e rëndësishme, i katërti në grup, duke lënë mbrapa Malin e Zi dhe Gjeorgjinë!
Mû këta shembuj të të ashtuquajturve “të vegjël”, i takon të ndjekë Shqipëria, e cila përsërisim: “është e vogël, e vetmadhështia nuk i shkon”.
Eshtë krejt normale që Shqipëria të rradhitet mbrapa Danimarkës, Portugalisë, Suedisë dhe Hungarisë. Të vjen çudi se si mund të guxohet e të mëtohet të kalohen këta shtete, të cilët të katërt përfaqësojnë shkolla tradicionale të fuqishme jo vetëm të futbollit, por ata përfaqësojnë shkolla të mëdha të sportit në tanësi, teksa njihen si medalistë të hershëm të Olimpiadave, përfaqësues të shkollave më të përparuara të edukimit e të kulturës fizike, pa shkuar te niveli kulturor dhe ekonomik i tyre i pakrahasueshëm me Shqipërinë, qoftë edhe i Hungarisë ish-komuniste. Nuk ka vend për krahasim këtu.
Ajo që mendojmë se ka vend është përpjekja që duhet të bëjë Shqipëria për të mënjanuar hap mbas hapi, vit mbas viti, edicion mbas edicioni largësinë e madhe që e ndan me shtete kësisoji. Kësaj here largësia e Shqipërisë me kundërshtarin qe më e largëta në katër edicion te fundit: plot 11 pikë më pak nga Hungaria që u rendit e 4-ta. Rënia paraqitet kështu:
KE 2004 Shqipëria 6 pikë larg më të afërtit
KB 2006 Shqipëria 8 pikë larg më të afërtit
KE 2008 Shqipëria 2 pikë larg më të afërtit
KB 2010 Shqipëria 11 pikë larg më të afërti
Eshtë e papranueshme, madje tashmâ tejet naïve, nxitja që i bën shtypi gjithë trajnerëve të huaj, me pyetjen retorike për një kualifikim të mundshëm të Shqipërisë. Dhe këta trajnerë të huaj me mirësjellje, me sa duket “me që shqiptarët e mendokan dhe e kërkokan kualifikimin”, ata dorëzohen me naivitet, duke pohuar me zë të ulët apo midis rreshtave një shteg kualifikimi. Eshtë një shqiptarizim thuajse i rrufeshëm i tyre. Ndonëse me mend në krye kjo është e pamundur, tash për tash të paktën, kur kujtojmë, bie fjala, se në historinë e Kupës së Botës deri më sot, “të vegjël” të Europës, të cilët kanë arritur të kualifikohen për në fundore (finale) janë vetëm Irlanda e Veriut (1958), Uellsi (1958), Sllovenia (2002) dhe tash Sllovakia për 2010. Teksa e dimë mjaft mirë se këta janë pjesë e futbollit anglez, jugosllav dhe çekosllovak, shkolla të rangut të parë në Botë dhe Europë. Dhe guxojnë e iu kërkojnë trajnerëve që Shqipëria të shkojë në një Botëror? Dhe këte ua kërkojnë sapo shkelin në Shqipëri Giuseppe Dossena-s, Hans Peter Briegel-it, Otto Baric-it, Arie Haan-it, Josip Kuže-s, e madje ua përsërisin orë e çast?
Të shkon mendja: a ishte një shkak kësisoji ndërrimi i trajnerit në gjysmë të rrugës së ndeshjeve, saktësisht Arie Haan me Josip Kuže-n “e pafajshëm”, për të cilin nuk po arrij të kuptoj përse me aq vështirësi ia bëjnë kritikën e drejtë ndonëse mori krejt pak, vetëm 0.33 pikë për ndeshje përballë 0.71 të Arie Haan-it, sa për të folur me gjuhën e shifrave të pakundërshtueshëm – matësi racional i suksesit?
Nuk jemi fort në rregull me mendimin futbollistik të Kombëtares, me realitetin e ecurisë dhe zhvillimit të tij, në kampin e mendimit teknik shqiptar madje, i cili për vite, në edicionet e para vitit 2003, ka nënshkruar kryesisht vetëm vende të fundit me Kombëtaren. Përfaqësues kombëtarë të këtij mendimi teknik përnjëherë mbas humbjeve si ajo 1-4 me Suedinë vërshojnë në kritika dhe kërkesat e llogarisë, duke harruar se kur ishin vetë bënë shumë më pak. Sigurisht nuk është ky shkaku i rënies së Shqipërisë, ndonëse dihet, në zhvillimin në një fushë të caktuar të një shteti, mendimi është paraprirës.
Ajo që kemi të drejtë t’i kërkojmë Shqipërisë është kjo tjetra: që ajo të mos jetë e 41-ta në Europë midis 53 shteteve. Sepse në këte edicion të Kupës së Botës, përsa i përket pikëve (qoftë edhe si mesatare për ndeshje) Shqipëria është thjesht e 41-ta duke lënë mbrapa këta shtete:
………………………
41. SHQIPERIA 7 pikë
42. Kazakistani 6 pikë
43. Islanda 5 pikë
44. Luksemburgu 5 pikë
45. Azerbaixhani 5 pikë
46. Ishujt Faroe 4 pikë
47. Armenia 4 pikë
48. Gjeorgjia 3 pikë
49. Moldavia 2 pikë
50. Liehtenshtejni 2 pikë
51. Malta 1 pikë
52. Andorra 0 pikë
53. San Marino 0 pikë
Këte renditje të vendit 41, mbase e kemi të vështirë ta pranojmë, aq më tepër që këtu bëjnë pjesë plot 5 mikroshtete, teksa të duket se jemi pjesë e një klubi jo të “të vegjëlve”, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por i klubit të “më të vegjëlve” ku nuk bën pjesë Shqipëria. Dhe Shqipërinë pak a shumë duhet ta shqetësojë fakti se para saj sot për sot janë Letonia, Izraeli, Irlanda e Veriut, Uellsi, Estonia, Biellorusia, Lituania, Qipro, Mali i Zi, Maqedonia, e pse jo, edhe Bosnja Hercegovina e shpërthimit befasues të saj. Ky na duket vështrimi realist i ecurisë së futbollit kombëtaras të Shqipërisë. Ky na duket edhe gjykimi për mbylljen rënëse me 1-4 të Suedisë. Teksa ndodhemi edhe para një rënieje tjetër, humbjet e pandalshme po të kohëve të fundit të tri Kombëtareve të tjera shqiptare, ato NEN 21, NEN 19 dhe NEN 17: Skocia 0-1 dhe 2-5, Austria 1-3, Biellorusia 2-4, Anglia 0-3, Serbia 0-5, Irlanda e Veriut 1-2, Hungaria 0-5, Sllovakia 0-3, deri dhe Luksemburgu 2-3!
Pa hequr dorë prej moralit të këtij shkrimi: “Shqipëria është e vogël, vetmadhështia nuk i shkon”.