Shqipëria mes revolucionit e kundërrevolucionit në energjiNga Lavdosh FerruniNë vazhdën e informacioneve të shumta lidhur me dhurimin e hapësirës detare Greqisë nuk mund mos të të bënte përshtypje një titull kryesor i së dielës së kaluar “Zbulohet pr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shqipëria mes revolucionit e kundërrevolucionit në energjiNga Lavdosh FerruniNë vazhdën e informacioneve të shumta lidhur me dhurimin e hapësirës detare Greqisë nuk mund mos të të bënte përshtypje një titull kryesor i së dielës së kaluar “Zbulohet projekti energjitik që do të kalojë në pjesën e detit që i falëm Greqisë” dhe i gjithë informacioni që jepet në 2 faqe gazete është pak të thuash që krijon revoltë. Në këtë shkrim do të preferonim të trajtonim më gjerë “zbulimin e projektit energjitik”. Një pse e madhe nuk mund të mos bëhet. Pse një projekt energjitik i përmasave botërore (së paku të dy kontinenteve, Evropës e Afrikës), që cilësohet si revolucion në energji, dhe ku Shqipëria bën pjesë, është mbajtur i fshehur?
Era e revolucionit në energji, që synon përmbysjen e skemave fosile të prodhimit të energjisë, shkaktare kryesore e ndryshimit të klimës në botë, me energji të rinovueshme ndihet çdo ditë e më shumë në çdo cep të botës, por jo në Shqipëri, e cila, edhe pse bën pjesë në hapësirën më të nxehtë të këtij revolucioni, dominohet nga tipare të kundërrevolucionit. Qeveria e re nuk njeh termin energji e rinovueshme në programin e saj (shih fjalimin e z. Berisha në ditën e hapjes së parlamentit). Ajo programon që Shqipëria të jetë një superfuqi e vogël energjitike në rajon, duke e mbështetur këtë ambicie kryesisht te përdorimi i qymyrit e naftës, që sipas një vlerësimi paraprak të paktën shton me 150% emetimin e gazrave që shkaktojnë ngrohjen globale.
Në dhjetor udhëheqësit e Botës do mblidhen në Kopenhagë për të marrë vendime tepër të rëndësishme (revolucionare) si kurrë më parë në historinë e njerëzimit. Do merren vendime për të shpëtuar Tokën nga një katastrofë e pritshme dhe vetë njerëzimin. Në planin konkret vendimet kanë të bëjnë me detyrimin e çdo shteti të pakësojë përdorimin e burimeve fosile për gjenerim energjie dhe zëvendësimin e këtyre burimeve me burime të rinovueshme, krahas eficiencës së përdorimit të energjisë.
Për vitin 2009 çmimi Nobel iu dha Barack Obamës. Komisioni Nobel tha se, “çmimi u dha, sepse askush më parë nuk ka dhënë kaq shumë shpresë për ndryshime në botë, si z. Obama”. Në fjalën e tij Obama theksoi: “Ne nuk mund të pranojmë rritjen e kërcënimit nga ndryshimet klimatike, të cilat mund të dëmtojnë përgjithmonë botën që do u lëmë fëmijëve tanë... Kjo është arsyeja që të gjithë kombet (autori: edhe ai shqiptar) duhet të pranojnë përgjegjësitë për transformimin e mënyrave, në të cilat ne përdorim energjinë”. Në terma konkrete Obama i ka bërë thirrje Kongresit të SHBA të zhvillojë legjislacion të gjithanshëm për energjinë e pastër për të pakësuar lëshimet e gazrave me 14% krahasuar me 2005 deri në vitin 2020 dhe me 83% deri në vitin 2050. Në fushatën e tij elektorale Obama pat thënë: “Do të jetë prioriteti im numër një, kur të zgjidhem. Do të investojmë 15 miliardë dollarë çdo vit në energjinë e rinovueshme për periudhën e ardhshme 10-vjeçare, duke krijuar 5 milionë vende të reja pune me rroga të larta, si dhe duke ulur kështu varësinë tonë nga nafta, që sigurojmë nga vendet e tjera”.
Gazeta “The Daily Telegraph” shkruan së fundmi se Princi Charles ka siguruar mbështetjen e 500 kompanive të mëdha për koordinimin e hapave për të luftuar ndryshimet e klimës. Sipas kësaj gazete, këto kompani kanë nënshkruar një komunikatë, ku i bëjnë thirrje udhëheqësve botërorë që të angazhohen për përgjysmimin e kuotave të emetimit të gazrave të dëmshëm deri nga mesi i këtij shekulli.
Por le të kthehemi te “zbulimi i projektit energjitik”.
Bashkimi për Mesdheun është një nismë personale e presidentit francez, Sarkozy, të cilën ai e pat njoftuar që gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale në 2007. Samiti i 13 korrikut 2008 në Paris ishte një kulminacion i Bashkimit për Mesdheun. Qëllimi i këtij bashkimi që përmbledh 27 vendet anëtare të BE dhe 12 vende që lagen nga Mesdheu është thellimi i bashkëpunimit mes brigjeve jugore dhe veriore të detit Mesdhe dhe, posaçërisht, vendeve afrikane me ato evropiane, si dhe me vendet e Lindjes së Mesme. Në këtë Bashkim projekti prej 200 miliardë eurosh ka në fokus prodhimin e transmetimin e energjisë diellore nga shkretëtira e vendeve Arabe dhe Afrika veriore drejt vendeve evropiane. Sarkozy ftoi vendet e Unionit Evropian për të nisur dhe ndërtuar bazat e revolucionit diellor në dhjetë vitet e fundit, nga 2012 deri më 2020. Në kuadër të kësaj nisme vërtet revolucionare edhe Shqipëria ka një rol, ku sipas projektit një degëzim i këtij rrjeti gjigant kalon edhe në territorin e Shqipërisë për në Itali nëpërmjet Otrantos.
Në samitin e Parisit krahas udhëheqësve të tjerë të Bashkimit për Mesdheun ka qenë dhe z. Sali Berisha, i cili ka mbajtur atje dhe një fjalë. Fjala e tij e publikuar në sitin e Këshillit të Ministrave të “habit”, pasi në të nuk përmendet fare projekti për energjinë diellore dhe energjinë e rinovueshme në përgjithësi, që ishin tema qendrore e samitit, por jo çuditërisht flitet për taksën e sheshtë, one stop shop, rritjen dyshifrore, ftesën për NATO, nënshkrimin e MSA e Kosovën. Berisha i bëri pjesëmarrësve në Samit ftesë për ngritjen në Shqipëri të instalimeve për prodhimin e energjisë elektrike dhe pohoi se kishte marrë për këtë përkrahje nga kryeministri italian, Berlusconi. Dhe vërtet Berlusconi do deklaronte pak muaj më vonë, para gazetarëve në analizën e vitit 2008 tek i referohej shtrirjes së planeve energjitike në Shqipëri: “Ne do t’u japim energjinë në këmbim të taksave, si dhe të ndotjes së shkaktuar nga TEC-et me qymyr dhe naftë”. Berlusconi nuk heziton aspak të deklarojë: “Marrëveshjet ... janë në avantazhin tonë”. Ashtu si Bakoyannis do të deklaronte për marrëveshjen detare “... ishte një arritje strategjike, një sukses...”
Natyrisht, Sarkozy, kur i dërgon letër falënderimi Berishës për pjesëmarrje në Samit e i shkruan se “na takon tani të punojmë mbi këto baza të rinovuara për të realizuar projektet konkrete që u miratuan gjatë Samitit, duke u bazuar në sistemin e ri e të hapur të drejtimit të nismës, që për shumë kohë ka qenë i ndërprerë”, nuk e ka fjalën për TEC-et me naftë e me qymyr.
Fshehja nga z. Berisha i mesazhit të Samitit të Parisit të 13 korrikut 2008, i cilësuar si momenti i shpalosjes së një revolucioni të vërtetë solar, ka një shpjegim fare të thjeshtë. Berisha ka më shumë përfitim nga instalimi i energjive me bazë nafte e qymyri. Dhe kështu automatikisht Shqipëria rreshtohet në anën e kundërrevolucionit, nga ku e ka të sigurt humbjen e prapambetjen, edhe pse dikush përfiton nga kjo humbje e madhe.