E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KE nuk pasqyron gjithë realitetin shqiptarNga Sadedin ÇelikuDo dëshironim që raporti i KE këtë radhë të ishte në interesin e shqiptarëve, për shkak të aspiratave që ata kanë, por fatkeqësisht ato në thelb mbartin mjaft rezerva të mëdha për

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Raporti i KE nuk pasqyron gjithë realitetin shqiptarNga Sadedin Çeliku

Do dëshironim që raporti i KE këtë radhë të ishte në interesin e shqiptarëve, për shkak të aspiratave që ata kanë, por fatkeqësisht ato në thelb mbartin mjaft rezerva të mëdha për qeverinë dhe administratën e lartë publike.

Ndër problemet më kryesore që ata evidentojnë janë korrupsioni i kthyer në sistem, krimi i organizuar, liria e shprehjes, drejtësia që zgjidh drejtësinë me padrejtësi etj.

Por natyrisht që ne i shohim e dimë më mirë hallet që kemi, për shkak se i ndjejmë në kurriz. Populli nga viti në vit bëhet më i varfër, për shkak të mungesës së theksuar të politikave dhe strategjive për reduktimin e varfërisë. Papunësia, ndryshe nga raportimi që bëhet, ka shkuar në shifra alarmante 30-40%, të cilët nuk preferojnë të regjistrohen në zyrat e punës, për shkak se këto të fundit nuk kanë se çfarë t’u ofrojnë atyre. Kjo pjesë e forcës aktive, sipas të dhënave të CIA, preferon nga halli të jetojë me bixhoz, llotosport etj. Qeveria e re e sapodalë ka premtuar se do të hapë 160 mijë vende të reja pune, por është angazhim i vështirë për t’u realizuar.

Vjedhja, analfabetizmi, rritja e çmimeve të konsumit të përditshëm, rritja e taksave të tërthorta që aplikon qeveria, krimi ekonomik etj., kanë shënuar rritje. Efektiviteti i qeverisë ka rënë ndjeshëm. Në asnjë ministri nuk punohet dhe nuk shikon drita ndezur, a thua se ne gjithçka e kemi zgjidhur. Ministrat, madje dhe zëvendësit (shih rrushi rrushin e piqet) preferojnë të dalin çdo ditë madje disa herë në ditë para ekranit duke na dhënë deklarata e konferenca shtypi kundër opozitës. Tashmë ministritë që duhet të prodhojnë politika për zvogëlimin e plagëve sociale, janë shndërruar në tribuna politike dhe qëllim në vetvete për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

Korrupsioni është kthyer në sistem dhe nuk bëhet fjalë të mbarosh ndonjë shërbim pa paguar pará. Qeveria përgjon ndonjë “ lepur “ dhe e fut në burg për të bindur faktorin ndërkombëtar se lufton korrupsionin dhe nuk gjykon prej katër vjetësh dy ministrat e saj, Basha dhe Mediu. Nuk bëhet asnjë transparencë për punën dhe aferat e Fazlliçit në Porto Romano e gjetkë, gjiri i Lalzit, pylli Sodës në Vlorë, për koncesionet e panevojshme dhe në mënyrë të veçantë në sektorët rentabël, për vdekjen e 16 të pafatëve në minierën e Bulqizës etj.

Në Shqipëri, të gjitha ministritë janë kthyer në njësi që merren vetëm me problemet e integrimit, sepse ata mendojnë që me heqjen e vizave “heqin qafe dhe një milion njerëz të tjerë nga atdheu tyre”. Sa keq!

U fut Shqipëria në OBT dhe shqiptarët ende nuk dinë se çfarë përfituan. U anëtarësua në NATO dhe e njëjta gjë, përveç faturave të mëdha që burojnë nga anëtarësimi në të. Kur të hiqen vizat, atëherë Shqipërisë nuk do t’i duhet qeveri fare.

Liria e shprehjes dhe media e pavarur janë në kushte mjaft të vështira. Gazetarët e dinë se sa vështirësi kanë, në mënyrë të veçantë kur mbajnë qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe qeveritarëve. E vështirë të shkruash një artikull, por shumë më e vështirë se ku do ta çosh atë, se të thonë: “Nuk e botoj, se ke kritikuar qeverinë”.

Mjaft gazeta janë pro-qeveritare, se sponsorizohen e financohen në mënyra të ndryshme e të tërthorta. Mjafton të shikosh kanalet televizive se si pasurohen programet e tyre dhe çfarë shpenzimesh bëjnë.

E këtij nuk i thonë progres dhe askush nuk duhet të mburret me atë që është bërë deri tani. Tashmë ka nisur dhe po ravijëzohet një krizë që po merr përmasat e një krize politike, e cila kërkon zgjidhje të shpejtë, sepse për një vend si i joni është me mjaft pasoja për ekonominë, pikërisht këtë kërkojnë dhe ndërkombëtarët, që Shqipëria të vazhdojë proceset e integrimit, plotësimin e detyrave dhe në këtë mënyrë realizohen dhe aspiratat e shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›