E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Qeveria dështoi, PD s'i fiton zgjedhjet e 2009-ës

Deputeti dhe juristi, Spartak Ngjela flet për partinë e re që pritet të shpallë së shpejti, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi
TIRANË- Deputeti dhe juristi i njohur, Spartak Ngjela në një intervistë për gazetën "Shekulli" flet për partinë e re që do të shpallë së shpejti, dhe prioritetet që kjo e fundit do të ketë në krahasim me forcat e tjera politike. Ngjela jep qëndrimin dhe njëkohësisht sugjerimet e tij edhe për dy çështjet delikate me të cilat do të përballet klasa politike shqiptare, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Duke u nisur nga ajo çka pritet në politikë për vitin 2008, Ngjela shprehet i sigurt se qeveria aktuale ka dështuar tashmë. Madje avokati shton se kjo qeveri nuk ka asnjë mundësi që të gëzojë edhe një mandat tjetër katërvjeçar. "Po ta shohësh me vëmendje, reforma në drejtësi dhe në tërë strukturimin shtetëror, më shumë nga të gjithë, është në interes të kësaj qeverie; sepse përballë dështimit ajo është krejt e pambrojtur dhe, nga ana tjetër, nuk ka asnjë mundësi praktike që të qëndrojë në pushtet me dhunë, ngaqë është e detyruar të respektojë zgjedhjet e vitit 2009, të cilat i ka pamundësi absolute për t'i fituar",- u shpreh ai.
Zoti Ngjela, ju keni deklaruar disa herë, që prej një muaji, se do të krijoni një parti. A mund të na thoni nëse viti 2008, do të jetë periudha kur do të finalizoni një gjë të tillë dhe çfarë gjëje të re mund të sjellë kjo parti në jetën politike të vendit, në një kohë që sot numërohen mbi 40 parti politike?
Po, ka pak kohë që unë e kam shprehur botërisht një gjë të tillë dhe kjo tanimë është një e vërtetë. Në të njëjtën kohë, është e vërtetë që në spektrin politik shqiptar ka një numër të madh partish, por gjithsesi duhet të kujtohemi se edhe në treg ka një numër shumë të madh kompanish private, por megjithatë përditë krijohen të reja. Sepse forca e një kompanie tregohet në treg; ajo sot mund të jetë një kompani e vogël dhe për një vit mund të jetë dominantja e tregut. Prandaj duhet të kujtohemi se nuk është numri i kompanive ose i shoqërive private ai që përcakton fatin e tyre, por vetëm paraqitja e saj në tregun e mallrave. Po kështu është edhe politika; sepse edhe ajo është e detyruar të zhvillohet në një treg të veçantë. Prandaj nuk ka rëndësi se sa parti ka në këtë treg politik, por vetëm e vetëm se sa është kuota e kapitalit që çdo parti e veçantë ka në këtë treg. Prandaj, për t'u kthyer te çështja, unë mendoj se partia, nëpërmjet programit dhe njerëzve të saj, do të dijë të ketë një porcion të mirë në tregun e politikës. Por, nëse ju pyesni ndërkaq se cila është ajo gjë e re që sjell kjo parti në treg, unë mund t'ju them se ajo sjell një koncept të ri për menaxhimin shtetëror, ka një program shumë të gjerë ku preken të gjitha aspektet e jetës shoqërore; dhe më në fund, më anë të këtij programi patjetër që do të jetë bindëse. Por, duhet të flasim më gjatë pasi ju të keni lexuar programin e saj,sepse shumë shpejt ai do të dalë si libër i veçantë dhe do të shitet në treg. Mendoj se do të pritet mirë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, sepse është konceptuar që të kapet e të përdoret nga të gjitha nivelet. Ne, mendoj se i kemi kapur të gjitha defektet e kohës, edhe paqartësinë në menaxhimin e shoqërisë, por edhe mungesën e strukturës shtetërore dhe të vetë institucionalizmit, për të krijuar tregun dhe administrimin modern në shoqërinë shqiptare. Që të gjitha këto jemi munduar që t'i japim me një gjuhe edhe të thjeshtë, por edhe profesionale, aty ku kërkohet një mendim i pjekur që duhet të krijojë besimin në elitat e intelektualëve shqiptarë këtu dhe jashtë Shqipërisë.
Reforma në drejtësi është një pikë kyçe për vendin tonë, duke qenë se ajo ndikon drejtpërsëdrejti në integrimin në NATO. Ju, si jurist, mendoni se duhet të kufizohet mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokuroria të kalojë në varësi të Ekzekutivit? (Kjo e fundit është një ide e hedhur nga eksponentë të PD-së në deklarimet e tyre për median).
Reforma në drejtësi është më shumë, shumë më tepër sesa shprehni ju. Reforma në drejtësi është domosdoshmëri për jetën shoqërore dhe vetë demokracinë në Shqipëri. Që nga rrëzimi i komunizmit, ne ende nuk kemi bërë një reformë në drejtësi. Prandaj, siç shihet neve nuk na funksionon farë sistemi. Drejtësia është natyra kryesore e demokracisë, sepse pa drejtësi as që mund të mendosh se je duke jetuar në një shoqëri demokratike. Asgjë nuk mund të funksionojë pa këtë bazament të gjithë jetës së lirë; pa drejtësi nuk mund të ketë liri. E pra, sot në Shqipëri zbatimi i ligjit është vetëm 13%, gjë që tregon se në çfarë gjendje jemi. Njerëzit, shqiptarët duan drejtësi, kurse elitat politike që kanë drejtuar kanë dashur të abuzojnë me pushtetin, prandaj është e kuptueshme që e kanë urryer drejtësinë. Drejtësia nuk mund të funksionojë më segmente, për të thënë që ky segment i jetës shoqërore funksionon me drejtësi, kurse ai tjetri jo. Kurrë nuk mund të mendohet kështu: drejtësia ose funksionon si një e tërë ose nuk funksionon. Por po të funksionojë, atëherë do të shihni se kurrë nuk mund të pasurohesh me miliona nëpërmjet pushtetit. Ja këtë nuk kanë dashur krerët arkaikë të politikës shqiptare në këta shtatëmbëdhjetë vjet tranzicion. Prandaj, po ta shihni me vëmendje, sapo vijnë në pushtet, kryeministrat duan të pushtojnë pushtetin gjyqësor dhe të gjithë sistemin legal. Dhe ia kanë arritur, gjithmonë e kanë pasur nën sundimin e tyre këtë pushtet. Por ne tani kemi mbërritur në një kohë që nuk mund ta durojmë dot këtë gjendje. Arsyen e këtij defekti. Ne jemi në këtë gjendje, sepse në këta shtatëmbëdhjetë vjet tranzicion, jemi drejtuar prej punizmit. Ai ka qenë vijimisht në pushtet, dhe në këtë periudhë s'ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërruar sensin e korrupsionit: nga një vjedhje nëpërmjet shtetit, në një vjedhje të shtetit. Pra në esencë nuk ka ndërruar asgjë, sepse gjithmonë, që nga periudha e diktaturës e deri më sot, të gjitha institucionet kanë qenë në shërbim të një pushteti personal, kurse ky pastaj sigurisht që ka abuzuar dhe vijon të abuzojë me pushtetin.
Përsa i përket çështjes së Prokurorisë, ajo do të jetë një çështje që do të zgjidhet me strukturimin e sistemit legal. Të dy llojet e modeleve janë të barasvlefshëm, zgjedhja jonë duhet t'i nënshtrohet patjetër precedentit tonë historik.
Si një ekspert i fushës, a keni ju një koncept të qartë se si duhet të procedohet me reformën në drejtësi?
Reforma në drejtësi është një ndërmarrje serioze, tepër serioze, sepse unë e shpreha që në krye të shpjegimit të kësaj çështjeje që drejtësia është vetë sistemi. Pikërisht për këtë, pyetja që ngrihet në këtë rast është kjo: Si do ta ndryshojmë pushtetin gjyqësor dhe të gjithë pemën institucionale të shtetit shqiptar? Po ta shohësh më vëmendje, çështja vjen e komplikohet më tepër kur mendon se demokraci do të thotë drejtësi në të gjitha institucionet. Gjithçka që zhvillohet nëpërmjet institucioneve, duhet të jetë e mbështetur me ligj, domethënë kudo duhet të funksionojnë principet universalë të drejtësisë, dhe, nëse nuk të funksionon epiqendra e këtij sistemi, pushteti gjyqësor, atëherë as që mund të bëhet fjalë se do të ketë drejtësi, prandaj, të gjitha institucionet do të jenë vetëm abuzivë. Ja, pra, pse çështja komplikohet. Megjithatë, më lejoni të theksoj se reforma për të cilën po flasim nuk mund të qëndrojë si diçka e izoluar: ajo duhet të jetë, pikë së pari, një reformë kushtetuese, sepse pushteti gjyqësor dhe vetë sistemi legal ka mangësi kushtetuese. Kushtetuta ka qenë më tepër një ndërmarrje emergjence sesa një marrëveshje profesionale e studiuar. Si pasojë, ajo mbart defekte në strukturimin kushtetues të pushtetit gjyqësor. Ne kemi mangësi në kompozimin e gjykatave; kemi mangësi në strukturimin kushtetues të "judicial revieë", nuk kemi ende një personalitet suprem të vendimmarrjes; nuk kemi ende prezent pjesëmarrjen e popullit në dhënien e drejtësisë dhe vetë Kushtetuta nuk e formon dot koshiencën e kontraktualizmit dhe proceduralizmit. Kushtetuta aktuale ka mangësi të theksuara në shtjellën procedurale të saj, prandaj shpesh e ka çuar gjendjen në krizë. Proceduralizmi është demokracia në veprim, por në një shoqëri që nuk e ka kulturën adekuate të proceduralizmit kushtetues, duhet me patjetër që Kushtetuta të mos ketë asnjë mangësi në këtë sens. Por, Kushtetuta ka edhe mangësi të tjera, që janë të një rangu me pak të rëndësishëm, por ne nuk mund të zgjatemi më tej në një intervistë të shkurtër. Veçse na duhet të theksojmë gjithashtu, se, pasi të ketë marrë vetë Kushtetuta një tjetër ngjyrim për sistemin legal; atëherë duhet të nisë vetë reforma e sistemit legal, e cila nuk është çështje ligji, ose ligjesh, por është çështje volumesh. Ne nuk na funksionon fare shteti juridik, sepse, së pari, nuk na ka funksionuar demokratikisht sistemi legal. Po të shihen me vëmendje ligjet organikë që rregullojnë këtë sistem, ato janë në kundërvënie me njëri-tjetrin. Shpesh nuk kuptohet se të kujt janë përparësitë dhe vendimi i gjykatës nuk është lejuar që të zgjidhë gjithçka. Dhe të kuptojmë një shoqëri demokratike sipas demokracive perëndimore, modelin e të cilave po implementojmë, është një strukturë ligjore që garantohet vetëm nga gjykata. Ja, kjo është e gjitha: Ne na duhen gjykata më personalitet, që të na shpëtojnë shoqërinë nga abuzivizmi. A jemi në gjendje që ta ndërrojmë këtë sistem? Kjo është vetë reforma në fushën e drejtësisë.
Po përsa i përket reformës zgjedhore, si e vlerësoni atë çfarë kanë bërë forcat politike në këtë drejtim dhe, cilat do të ishin sugjerimet tuaja për sistemin zgjedhor dhe për pragun elektoral?
Nuk duhet të ngutemi. Reforma zgjedhore është pjesë e veçantë e reformës në drejtësi. Ne sot kemi një Kod Zgjedhor pa garantizëm, sepse i gjithë procesi zgjedhor organizohet nga partitë. Atëherë, patjetër duhet që edhe kësaj çështjeje t'i japim një theksim institucional. Domethënë, ne duhet të ndërhyjmë në Kushtetutë, për të krijuar institucionin e pavarur realisht të sistemit zgjedhor. Domethënë, ne na duhet një sistem i drejtë, për të pasur zgjedhje të drejta e të ndershme. Domethënë, ne na duhet të japim drejtësi, që të jemi të garantuar. Atëherë, vetë institucioni i pavarur zgjedhor nuk mund të funksionojë nëse nuk na funksionon karakteri supreme i një vendimi gjyqësor; por i një vendimi gjyqësor të drejtë. A e shihni se sa shumë komplikohet reforma në drejtësi?
Duke u nisur dhe nga viti që lamë pas dhe ngjarjet politike që ndodhen, mendoni se viti 2008 do të jetë më i nxehtë përsa i përket zhvillimeve politike? Çfarë prisni këtë vit?
Më lart, ne theksuam se në funksionimin e shtetit shqiptar mungon fryma e proceduralizmit. Domethënë e vetë drejtësisë. Si pasojë e kësaj, gjithçka që ndodh nuk mund të parashikohet, sepse zhvillohet gjithmonë si një proces ekstra-procedural. Për faktin se është i tillë, atëherë, gjithçka që ndodh vjen e krijohet paraprakisht nga një spontanitet i rëndomtë. Një gjë spontane, për faktin që është e papritur, sigurisht që nuk mund të parashikohet. Por, ne për një gjë jemi të sigurt: që qeveria aktuale ka dështuar. Gjithçka mund të ndodhë si pasojë e kësaj. Por, po ta shohësh më vëmendje, reforma në drejtësi dhe në tërë strukturimin shtetëror, më shumë nga të gjithë, është në interes të kësaj qeverie; sepse përballë dështimit ajo është krejt e pambrojtur dhe, nga ana tjetër, nuk ka asnjë mundësi praktike që të qëndrojë në pushtet me dhunë, ngaqë është e detyruar të respektojë zgjedhjet e vitit 2009, të cilat i ka pamundësi absolute për t'i fituar.
Për partinë e re
"Por, nëse ju pyesni ndërkaq se cila është ajo gjë e re që sjell kjo parti në treg, unë mund t'ju them se ajo sjell një koncept të ri për menaxhimin shtetëror, ka një program shumë të gjerë, ku preken të gjitha aspektet e jetës shoqërore; dhe më në fund, më anë të këtij programi patjetër që do të jetë bindëse. Por, duhet të flasim më gjatë pasi ju të keni lexuar programin e saj".
Reforma në Drejtësi
"Reforma në drejtësi është më shumë, shumë më tepër sesa shprehni ju. Reforma në drejtësi është domosdoshmëri për jetën shoqërore dhe vetë demokracinë në Shqipëri. Që nga rrëzimi i komunizmit, ne ende nuk kemi bërë një reformë në drejtësi. Prandaj, siç shihet, neve nuk na funksionon fare sistemi. Drejtësia është natyra kryesore e demokracisë, sepse pa drejtësi as që mund të mendosh se je duke jetuar në një shoqëri demokratike".
Për drejtësinë
"Asgjë nuk mund të funksionojë pa këtë bazament të gjithë jetës së lirë; pa drejtësi nuk mund të ketë liri. E pra, sot në Shqipëri zbatimi i ligjit është vetëm 13%, gjë që tregon se në çfarë gjendje jemi. Njerëzit, shqiptarët duan drejtësi, kurse elitat politike që kanë drejtuar kanë dashur të abuzojnë me pushtetin, prandaj është e kuptueshme që e kanë urryer drejtësinë. Drejtësia nuk mund të funksionojë më segmente, për të thënë që ky segment i jetës shoqërore funksionon me drejtësi, kurse ai tjetër jo".
"Në këta shtatëmbëdhjetë vjet tranzicion, jemi drejtuar prej punizmit. Ai ka qenë vijimisht në pushtet, dhe në këtë periudhë s'ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërruar sensin e korrupsionit: nga një vjedhje nëpërmjet shtetit, në një vjedhje të shtetit. Pra në esencë nuk ka ndërruar asgjë, sepse gjithmonë, që nga periudha e diktaturës e deri më sot, të gjitha institucionet kanë qenë në shërbim të një pushteti personal, kurse ky pastaj sigurisht që ka abuzuar dhe vijon të abuzojë me pushtetin"
Për reformën në drejtësi
"Megjithatë, më lejoni të theksoj se reforma për të cilën po flasim nuk mund të qëndrojë si diçka e izoluar: ajo duhet të jetë, pikë së pari, një reformë kushtetuese, sepse pushteti gjyqësor dhe vetë sistemi legal ka mangësi kushtetuese. Kushtetuta ka qenë më tepër një ndërmarrje emergjence sesa një marrëveshje profesionale e studiuar. Si pasojë, ajo mbart defekte në strukturimin kushtetues të pushtetit gjyqësor".
Një shoqëri demokratike, sipas demokracive perëndimore, modelin e të cilave po implementojmë, është një strukturë ligjore që garantohet vetëm nga gjykata. Ja, kjo është e gjitha: Ne na duhen gjykata më personalitet, që të na shpëtojnë shoqërinë nga abuzivizmi. A jemi në gjendje që ta ndërrojmë këtë sistem? Kjo është vetë reforma në fushën e drejtësisë.
Reforma zgjedhore
"Ne duhet të ndërhyjmë në Kushtetutë, për të krijuar institucionin e pavarur realisht të sistemit zgjedhor. Domethënë, ne na duhet një sistem i drejtë, për të pasur zgjedhje të drejta e të ndershme. Domethënë, ne na duhet të japim drejtësi, që të jemi të garantuar. Atëherë, vetë institucioni i pavarur zgjedhor nuk mund të funksionojë nëse nuk na funksionon karakteri supreme i një vendimi gjyqësor; por i një vendimi gjyqësor të drejtë".
Viti 2008
"Por, ne për një gjë jemi të sigurt: që qeveria aktuale ka dështuar. Gjithçka mund të ndodhë si pasojë e kësaj. Por, po ta shohësh më vëmendje, reforma në drejtësi dhe në tërë strukturimin shtetëror, më shumë nga të gjithë, është në interes të kësaj qeverie; sepse përballë dështimit ajo është krejt e pambrojtur dhe, nga ana tjetër, nuk ka asnjë mundësi praktike që të qëndrojë në pushtet me dhunë, ngaqë është e detyruar të respektojë zgjedhjet e vitit 2009, të cilat i ka pamundësi absolute për t'i fituar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›