E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët: Ndryshimet në ligjin për legalizimet, për qëllime politike

Shoqata "Pronësi me Drejtësi" do t'i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ndryshuar të legalizimeve. "Nuk ka ende fature financiare"
TIRANË- Ndryshimi i ligjit "Për Legalizimin e Zonave Informale" i ka dhënë një tjetër mundësi ish-pronarëve që ta ankimojnë atë përsëri në Gjykatën Kushtetuese, për ta shpallur si antikushtetues. Dy ditë pasi qeveria miratoi 28 amendamentet e ligjit në fjalë, shoqata "Pronësi me Drejtësi", ka paralajmëruar riapelimin e ligjit në fjalë në gjykatë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Reshit Vorpsi, i cili ka konfirmuar për gazetën Shekulli se ndryshimet e miratuara nga ekzekutivi nuk i japin këtij ligji një karakter kushtetues. "Me këto ndryshime qeveria na hap mundësinë neve si pronarë legjitimë që ta çojmë edhe një herë ligjin e legalizimeve në Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë dhe një herë mundësinë kësaj gjykate që të jap një vendim të bazuar në Kushtetutë dhe jo në logjikën e interesave të shtetit apo të individëve të veçantë. Ne do ti ankimojmë këto amendamente, por kjo kërkon kohën e vet, pasi ne tani nuk e dimë ende se cilat do të jenë ndryshimet që do të pësoj ligji gjatë diskutimit në komisione apo edhe në Kuvend", - u shpreh Vorpsi.
Fatura
Ndërkohë ajo që mbetet shqetësuese për pronarët legjitim është se as me ndryshimet e reja, qeveria nuk merr përsipër që të përcaktojë një faturë financiare. Kjo, sipas përfaqësuesve, të kësaj kategorie bën që ligji të jetë hipotetik dhe i pazbatueshëm. Sipas Vorpsit, Agjencia e Legalizimeve ka të gjitha mundësit teknike që në bashkëpunim edhe me qeverinë të përcaktojë koston financiare që do të kërkonte zbatimi i këtij operacioni legalizues. "Ashtu si edhe më parë edhe me këto ndryshime qeveria nuk arrin dot që të përcaktojë koston e këtij procesi. Pra ligji përsëri nuk do të ketë një faturë financiare që të parashikojë sa lekë do të mblidhen nga subjektet që do të legalizohen dhe sa do lekë do të duhet për të shpronësuar pronarët legjitim. "Pushtuesit", pra ata që kanë zënë këto prona në mënyrë të paligjshme sipas ligjit ekzistues do të paguajnë një shumë mesatare deri në 10 dollarë për metër katror për një sipërfaqe deri në 400 metra katror. Ndërkohë që pronari legjitim do të duhet të shpronësohet sipas çmimeve të tregut, pra çmime që arrijnë shifra disa herë më të larta sesa ajo që duhet të paguaj "pushtuesi". Kjo diferencë që del nga shuma që jep "pushtuesi" me shumën që duhet të dëmshpërblehet pronari legjitim duhet të paguhet nga buxheti i shtetit, pra nga taksapaguesit shqiptar. Pra kjo diferencë e bënë këtë proces gati të pazbatueshëm", - u shpreh Vorpsi. Mungesa e kësaj fature për ish-pronarët ka bërë që qeveria të ndryshoj dhe afatet e dëmshpërblimit për pronarët legjitimë. "Qeveria ka ndryshuar afatet e shpronësimit të pronarëve legjitim pikërisht se nuk ka një faturë financiare, sesa do të kushtojë ky proces, apo ky operacion",- tha Vorpsi. Megjithatë ai ka shprehur besimin se gjatë diskutimit të këtyre ndryshimeve në Kuvend opozita do ti kërkojë qeverisë që ti shoqëroj ato dhe me një kosto të llogaritur financiare. Gjithashtu, sipas tij, me ndryshimet e bëra ligjit në fjalë ALUIZN-i merr kompetenca të mëdha në dem të kompetencave që ka aktualisht pushteti vendor.
Fushata
Në përfundim të kësaj analize Shoqata "Pronës me Drejtësi" hedh dyshimet e saj se procesi i legalizimeve po zvarritet për arsye politike. Sipas saj, edhe ndryshimet në fjalë kërkojnë që të pezullojnë përkohësisht procesin për ta afruar atë sa më pranë zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në vitin 2009 dhe shfrytëzimin e tij për qëllime elektorale. "Nga e gjithë kjo zvarritje ne si palë e interesuar na lind dyshimi se qeveria dhe mazhoranca që e mbështetë atë po mundohen ta shtyjnë në kohë zbatimin e ligjit për interesa politike. Pra kjo shumicë po mbanë peng të gjithë ato subjekte që kërkojnë të legalizohen, por edhe pronarët që kërkojnë të shpronësohen me të vetmin qëllim që ky proces të shtyhet për në vitin 2009 që është dhe vit elektoral. Ajo kërkon ti përdorë këto kategori njerëzisht për qëllime elektorale", - tha anëtari i kryesisë së shoqatës "Pronësi me drejtësi" Reshit Vorpsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›