Moti i keq, shembet shkolla në Macukull
Reshjet e borës dhe erërat e forta kanë shkaktuar një sërë dëmesh në komunën Macukull të Matit gjatë 24 orëve të fundit.
Mësohet se gjatë natës së kaluar, si pasojë e trashësisë së dëborës dhe erës së fortë është shembur çatia e një shkolle, duke u dëmtuar më tej edhe muret anësore të saj. Ndërkohë, shembje e çative është verifikuar edhe në 4 banesa në këtë komunë.
Gjithashtu, komuna Macukull po përballet me mungesën e energjisë elektrike prej 24 orësh, kjo për shkak të dëmtimit të disa shtyllave si pasojë e erës së fortë, ndërsa e bllokuar vijon të jetë rruga që lidh komunën me zonat e tjera.
Mësohet se në shkollën që doli jashtë funksionit mësonin të paktën 200 nxënës, të cilët të hënën nuk do të kenë mundësi të rifillojnë mësimin.