E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Selami donte të nxirrte Nanon nga burgu, e përjashtuan nga PD

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1996, përplasjet mes Sali Berishës dhe Eduard Selamit për mënyrën e drejtimit të PD-së dhe firmat piramidale në një këndvështrim të ri nga Ngjela në librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” të “UET PRESS”

Në këtë kohë vetë Berisha është i përqendruar vetëm te fajdetë. Rrjedhojë logjike e një psikoze prej njeriu që nuk e njeh as shtetin dhe as tregun, sepse po i dukej sikur atë që nuk ia morën dot me vota, donin që t’ia merrnin me anë të fajdesë. Në fakt nuk ishte kështu, sepse gjithçka po akumulohej për të sjellë një humbje të madhe financiare e cila pritej. Kompanitë rentiere, katër më të mëdhatë: VEFA, Gjallica, Kamberi, dhe sidomos Sudia, nuk mund të vijonin dot më tej nëse nuk do të kishin qenë të afta që ta kthenin paranë e grumbulluar në prodhim industrial. Por tani për këtë lloj aktiviteti nuk kishin më kohë. Sudia ishe në fakt në prag të falimentimit se po priste që t’i vinin para nga jashtë, por ato nuk po dukeshin. Keshi që grumbullonte Sudia kuptohej se dilte jashtë shtetit për të paguar trafiqe të paligjshme, e ndoshta ato që bëheshin me naftën pas embargos që i ishte vendosur Irakut. Gjithsesi ajo po priste dhe të gjithë kreditorët e saj ishin në një ankth të paparë. Shumica ishin tiranas, dhe prandaj Tirana në fakt ziente nga bisedat. Kishte qenë një kohë parazite që po mbyllej, dhe të gjithë nuk po kuptonin sesi iu kishin “fluturuar” paratë. Megjithatë, nga të tre këto shoqëri rentiere, VEFA dukej se ishte më e konsoliduara. VEFA në të vërtetë kishte bërë blerje të mëdha dhe prodhonte në shumë fabrika ushqimore, por, ndërkohë i duheshin likuiditete për të dhënë përqindjen, në një kohë që ishin një shumicë e madhe kreditorësh që kërkonin të tërhiqnin dhe principialin. Në këtë gjendje, kur po pritej rënia e murit piramidal të Shqipërisë, Berisha filloi të dalë në fushatë presidenciale për të bindur shqiptarët se kursimet e tyre jo vetëm që janë të pastra, por edhe të sigurta. Megjithatë askush nuk besonte më sepse kompanitë nuk po u jepnin me asgjë kreditorëve. Gjithçka ishte ndrydhur në mungesën e likuiditetit.

Eduard Selami
Megjithatë, ajo që i bashkonte atëherë Azem Hajdarin me Eduard Selamin ishte lufta kundër kryeministrit Meksi. Që të dy e kapnin me intuitë se diçka lidhëse kishte midis Berishës dhe Meksit, por asnjërit nuk i shkonte mendja që, marrëveshja e të dyve ishte ajo që kishin bërë kundër Pashkos në shkurtin e vitit 1991. Kjo marrëveshje tani në thelb ishte e prishur, sepse Meksi si kryeministër ishte krejt i dominuar, por gjithsesi, fakti që ai po pranonte të rrinte ende si një kryeministër kukull, ishte e papranueshme për Hajdarin dhe Eduard Selamin. Ky tani dukej sikur e kishte kapur vjegën politike ku mund të mbahej: po kërkonte njësimin e postit të kryeministrit me postin e kryetarit të partisë. Në fakt po dukej sikur Selami po luftonte me procedurë, dhe realisht po hapte një rrugë të re. Por, bashkimi i të dy posteve, në një kohë që Berisha nuk e kontrollonte dot të gjithë partinë, do ta forconte shumë kryetarin e partisë. Selami mendonte se vetëm ai mund të ishte “fitimtari” kundër radikalëve, sepse nuk e kuptonte që Berisha ata as që i përfillte fare. Lidhur me këtë unë e kisha kontrolluar vetë Berishën para disa muajsh në lidhje me këtë, kur në zyrën e tij presidenciale e pyeta: “E dini ju që e djathta radikale që mban ti në parti, me tendencën e saj të vjetëruar tani, nuk ka më shumë se dhjetë për qind të votave?”, kurse ai qeshi e menjëherë më tha: “Nuk ka as pesë për qind”; domethënë që e dinte lojën, por sigurisht që i duheshin se me ata, që s’kishin fare elektorat, Berisha kishte mbushur Partinë Demokratike kundër liberalëve.

Megjithatë, Eduard Selami vijonte luftën kundër Meksit, dhe Berisha nuk shprehej, por kuptohej se nuk ishte dakord. Përfundimisht Selami dështoi, sepse Berisha nuk mund të forconte një liberal. Ai ishte në luftë me intelektualët shqiptarë, në një kohë që Selami donte të intelektualizonte partinë dhe administratën shqiptare.

Në të vërtetë Eduard Selami, në ato që më thoshte mua, kuptohej se kishte një plan të vetin për reformimin e partisë dhe vetë shtetit; për pavarësinë e institucioneve, për lirimin e Fatos Nanos nga burgu, dhe për nxitjen e fuqishme të politikës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të gjitha këto, kuptohet se Berisha nuk mund t’i pranonte, sepse gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike ishte kundër kësaj lloj reforme: ai do të mbetej përfundimisht një nga të lindurit e 6 shkurtit dhe gjithmonë kundër qytetërimit modern. Kjo është arsyeja kryesore që Eduard Selami u flak menjëherë nga partia. Berisha përdori edhe njëherë grupin radikal për të mos e lejuar madje Selamin që të merrte pjesë as në mbledhjen ku do të shkarkohej si kryetar partie. Kuptohej se Berisha kishte një plan shume oriental për Shqipërinë dhe i mjaftonin kukullat që kishte, të kapur të gjithë me diçka, me të cilët donte të krijonte realisht absolutizmin e tij oriental.

Zgjedhjet, 1996
kur u pa se në të gjithë Shqipërinë po mësyhej te kutitë e votimit me anë të policisë dhe SHIK-ut, Partia Socialiste menjëherë hoqi komisionerët e vet nga të gjitha qendrat e votimit; dhe pas kësaj, gjithçka mori fund. Ky akt i Partisë Socialiste në fakt ishte një nga manovrat më të zgjuara që është përdorur ndonjëherë kundër një diktature që kërkon të vijë në pushtet jo me grusht shteti nëpërmjet armëve, por me dhunë nëpërmjet fletëve të votimit. Falangat e Berishës mbetën si “peshku pa ujë”, por Berisha nuk e dha veten. Me një marrëzi të tejme ai vijoi procesin dhe ky u katandis në një gjë qesharake që nuk e pranonte më askush: as shqiptarët, dhe as të huajt. Opozitës i lanë vetëm 12 deputetë dhe të gjitha vendet në Parlament i mori Partia Demokratike. Iu dhanë dhe nga një deputet Partisë Republikane, si dhe Partisë së Pakicës etnike greke. Ishte për të qeshur dhe për të qarë, por Sali Berisha, në vend që të kishte siguruar “fronin e tij mbretëror”, në fakt kishte arritur të kapte shkatërrimin e tij. Por ai ende nuk e kuptonte, sepse menjëherë hodhi në veprim kukullat e tij dhe kërkonte të provonte se gjithçka që kishte ndodhur nuk ishte aspak një skemë e parapërgatitur e manipulimit të zgjedhjeve, por një skemë e opozitës për t’i prishur ato. Kurse vëzhguesit thanë të kundërtën. ODIR dhe OSBE, dolën kundër tyre, dhe po kështu edhe Këshilli i Europës. Asnjë nga delegacionet e vëzhguesve nuk i pranoi ato zgjedhje. *Pjesë nga libri

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›