Perfundon ndertimi i rruges Robert Shvarc
Me një investim prej 24.3 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka sjellë një standard të ri në punimet infrastrukturore për banorët e rrugës “Robert Shvarc”, në njësinë bashkiake nr.5. Rruga ka gjerësi totale 9 metra, trotuare për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi nga 1.5 metra, ndriçim dhe gjelbërim (janë mbjellë 90 fidanë pemë). Është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, spostimi i linjave elektrike dhe shtyllave të tensionit, punime linja rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore. Muret rrethuese të shtëpive janë zëvendësuar me kangjella, duke sjellë një pamje të re për këtë zonë. Kryebashkiaku Lulzim Basha e ka konsideruar këtë investim, si provë të bashkëpunimit qytetar-bashki-qeveri.
“Rruga ka përfunduar dhe s’ka nevojë për shumë fjalë, sepse veprat flasin vetë. Qytetarët e dinë si ka qenë dhe si është, ndaj unë kam një mesazh për qytetarët e kësaj zone. Këtë rrugë merreni vetëm si një provë, se farë mund të bëjmë ne të gjithë së bashku, kur funksionon marrëdhënia qytetar-bashki-qeveri. Me kalimin e provës së radhës, të jeni të sigurt që kjo lagje e cila ka probleme të mëdha dhe të trashëguara infrastrukture, cep më cep do ketë fatin e kësaj rruge, në infrastrukturën nëntokësore, mbitokësore, në hapësira të gjelbra, në gjelbërim anës rrugës, në trotuare, në ndriçim! Kusht është që marrëdhënia e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit qytetar-bashki-qeveri të vazhdojë dhe që jam i sigurt do të vazhdojë, sepse interesi i të gjithëve është që ne të kemi këtë infrastrukturë anembanë kësaj lagjeje të Tiranës dhe gjithë qytetit tonë” - theksoi kreu i Bashkisë Lulzim Basha.