Ngjela: “Trebicka është vrarë për të trembur Mediun që të kyçë gojën”
Deputeti Spartak Ngjela nuk ka asnjë dyshim se vdekja e Kosta Trebickës është një vrasje e pastër mafioze. Ngjela deklaron se vrasja e dëshmitarit Trebicka është bërë me qëllime për të trembur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu që të “kyçë gojën” dhe të mos tregojë fijet dhe përfituesit e vërtetë të trafikut të armëve, midis të cilëve edhe vetë kryeministri Berisha. “Berisha është autori kryesor i Gërdecit. Ndërsa Fatmir Mediu di gjithçka. E vetmja mënyrë që të mos tregohet e vërteta, ose të fshihet ajo, është eliminimi i Mediut. Kurrë Berisha nuk mund ta lërë veten peng te një tjetër”, - deklaron Ngjela në një intervistë për revistën “MAPO”.
Zoti Ngjela, vrasja e denoncuesit kryesor të trafikut të armëve, Kosta Trebicka, ka krijuar një gjendje shoku në shoqërinë shqiptare. Cilat janë elementet e reja që kjo ngjarje sjell në zhvillimet politike e sociale në vend?
Po ta shohësh me vëmendje, vdekja e Kosta Trebickës është një vrasje e montuar me një alibi shumë fëminore. Por, nga ana tjetër, duke parë se kjo vdekje kishte lidhje me kohën dhe me vetë të ardhmen e kryeministrit shqiptar, patjetër që edhe arsyeja merr befas një hulli tjetër dhe pa dyshim që edhe ngjarja duhet parë brenda kësaj hipoteze: Trebicka është vrarë jo për të eliminuar një dëshmi, por për të trembur të tjerët; sidomos ata që ende nuk kanë dëshmuar në burg, apo në gjendje të lirë.
Hetimi i mëtejshëm i çështjes së Gërdecit nuk ka më lidhje me Trebickën, sepse ai e kishte denoncuar çështjen, dhe kjo çështje po investigohet nga makina e madhe investigative amerikane. Pastaj, provat për shpërthimin e Gërdecit nuk janë fare te Kosta Trebicka, por në analet e shtetit shqiptar. Prandaj, duke i qëndruar një eksperience në lidhje me krimin, e sidomos me terrorin shtetëror, duhet të dalësh në konkluzionin se vrasja është kryer për të trembur ata që duhet të vijojnë të tregojnë ato që nuk janë thënë. Kryesori, pa dyshim, është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes, por nga kjo nuk duhet përjashtuar as Delijorgji. Në lidhje me këtë ka një pyetje: Fatmir Mediu është më i pasigurt nëse nuk flet, apo nëse e tregon qartë mekanizmin e krimit të Gërdecit?
Mediu di gjithçka, dhe për këtë nuk është i sigurt. Bandat kriminale, sidomos ato shtetërore, nuk kanë besim te anëtarët sekondarë të tyre. Tani Gërdeci është një kusht ndërkombëtar për Berishën, sidomos i politikës amerikane. Por Berisha është autori kryesor i Gërdecit. Ndërsa Fatmir Mediu di gjithçka. E vetmja mënyrë që të mos tregohet e vërteta, ose të fshihet ajo, është eliminimi i Mediut. Kurrë Berisha nuk mund ta lërë veten peng te një tjetër. Kjo është patologjia e tij, sepse inversi i saj, kapja e të tjerëve me material shtrëngues, është metoda e punës së tij. Nëse Mediu do të deponojë të vërtetën, rreziku kundrejt tij do të zvogëlohet deri në maksimum. Sepse, për hetimin, nuk do të ketë më rëndësi, pasi janë dorëzuar dokumentet; kurse vetë Mediu, sigurisht që do të jetë i mbrojtur edhe ndërkombëtarisht.
Gërdeci është një histori e hidhur, që e ka sjellë shoqërinë shqiptare në një udhëkryq të rrezikshëm, sepse pesha e rëndë e Gërdecit ose do të shkatërrojë demokracinë dhe republikën në Shqipëri, ose kjo peshë, në emër të ligjit, do të shkatërrojë përfundimisht bandën e Sali Berishës.
Një pjesë tejet e madhe e publikut i bashkohet pozicionit tuaj, pra që Trebicka është vrarë dhe nuk ka vdekur rastësisht. Nëse kjo do të merrej si e mirëqenë, ndodhemi në një fazë tejet të rrezikshme, në atë të instalimit të krimit mafioz me prapavijë të qartë politike. Sa e mundshme është kjo në kushtet aktuale që kalon Shqipëria?
Unë e theksova edhe më lart: tani krimi apo terrori shtetëror ka nisur. Kush nuk e sheh, ose është me të, ose është i trembur. Nuk ka pasur kurrë ndonjë rast në botë që diktatorët të jenë larguar më vota nga skena politike. Dhe e dini pse? Sepse nuk ka sesi njerëz të sëmurë si ata të pranojnë qetësisht që të shkojnë në burg me këmbët e tyre. Ata, si rregull, janë të sëmurë nga mendja. Një i tillë është e Saliu; e pra, tani që ai rrezikon një dënim të rëndë me burg, a mund të mendohet se do ta pranonte qetësisht këtë verdikt, kur ka pushtetin? Është naive të mendohet e kundërta. Prandaj, pikërisht për këtë, çështja është tejet e rëndë. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se tani politika në Shqipëri, është një përballje me rrezikun, por duhet të përballemi, ndryshe gjithçka do të marrë fund: Shqipëria dhe shqiptarët do të humbasin gjithçka; dhe banda e Saliut, do ta shihni, që do të ndërmarrë monstruozitete. Një njëri që s’e ka për gjë që të vrasë 26 persona me një shpërthim mu afër Tiranës, sepse do të fitojë para më një trafik të pisët, mund të bëjë gjithçka tjetër. Shiheni si sillet: si xhelat. Kërcënon, fyen dhe është i kapluar thekshëm nga një histeri kriminale, e cila do t’i shpërthejë me më tepër ligësi nëse do ta lejojmë të vijojë sundimin e tij. Asgjë nuk mund të ndodhë me vota: kundër Saliut duhet ngritur urgjentisht një kryqëzatë masive e të gjithë shqiptarëve, sa nuk është vonë.
Si profesionist i fushës, sa i dëmton vdekja e Trebickës hetimet për trafikun e armëve dhe për tragjedinë e Gërdecit?
Vdekja e Kosta Trebickës nuk i bën asgjë hetimit të mëtejshëm. Denoncimi i tij, po; nëse nuk do të ishte bërë, kjo çështje do të ishte ende e mbyllur. Dëshmia e tij është vetëm fillimi, por jo prova. Provat janë ato që mblodhi gazeta “Nju Jork Tajms” dhe po mbledh hetimi në Amerikë. Trafiku i armëve në drejtim të Afganistanit po hetohet në Amerikë. Provat janë shumë të shpërndara dhe ne nuk i kemi mjetet që t’i investigojmë. Sepse duhet të kuptohemi: në këtë çështje ka dy anë – njëra është Gërdeci, si shpërthim dhe krim masiv, dhe trafiku i armëve drejt Afganistanit. Njëri, Gërdeci, është një histori shqiptare, kurse trafiku ndërkombëtar është më shumë ndërkombëtare. Pastaj ne nuk dimë se si është çështja e këtij trafiku më terrorizmin ndërkombëtar, me tregun e armëve, me ligjin amerikan, e shumë aspekte të tilla. E pra, Trebicka, nuk besoj se mund të kishte më rol për këtë hetim, i cili ka involvuar dhe vetë Senatin amerikan. Megjithatë, Trebicka ishte një dëshmitar kyç jo për gjykimin e autorëve të krimit, por për zbulimin e tyre; sepse provat e thashë se si janë të shpërndara dhe sa e vështirë është që të mblidhen. Trebicka, pastaj, nuk ka lidhje fare me hetimin e Gërdecit; sepse nuk ka pasur fare hapësirë aty. Kurse ata që akuzohen në Shqipëri janë të ndërvarur nga faktet dhe provat që gjendjen në analet e shtetit shqiptar, përkatësisht në administratën e lartë shtetërore.
Ndodhemi në një moment kur një numër ngjarjesh delikate, si Gërdeci apo rruga e Kukësit, që po hetohen nga Drejtësia, ndodhen të kryqëzuara me zhvillime po aq delikate politike, siç janë zgjedhjet dhe një rotacion i mundshëm pushteti. Sa e afektojnë njëra-tjetrën këto dy pista, sa e ndihmojnë apo e pengojnë ato njëra-tjetrën?
Jo vetëm që e afektojnë, por ato tani kanë krijuar një interkonjeksion (lidhje organike të brendshme) që nuk mund t’i lërë ngjarjet që të zhvillohen demokratikisht. Duhet të kuptohemi se rruga e Kukësit nuk është një ngjarje si ajo e Gërdecit. Abuzime me fondet, në një administratë të pakontrolluar si kjo jona, janë gjëra të kuptueshme në kohën tonë. Tragjedia e Gërdecit është tjetër gjë. Ajo është një vrasje masive, që vjen si pasojë e abuzimit me pushtetin në një krah, por edhe me një qëndrim barbar kundrejt qytetarëve të tu; sepse të ngresh një fabrikë vdekjeje, pa asnjë lloj përgjegjësie, mu në mesin e një qendre jo të vogël banimi, është një veprim që vetëm krimi mund ta ndërmarrë. Megjithatë, që të dyja ngjarjet i takojnë kësaj qeverie dhe këtij kryeministri; por në këtë kohë, në funksion të Gërdecit, nga ligji, kam përshtypjen se do të trajtohet ashpër edhe abuzimi me rrugën. Po të mos ishte Gërdeci, çështja e rrugës së Kukësit do të ishte zbehur; sepse vetë ndërtimi me sukses i saj e zbeh çështjen e abuzimit me fondet. Por sot, me Gërdecin, asgjë nuk mund të zbehet, sepse është e lidhur me Sali Berishën. Tani ky person është kthyer një njeri të urryer nga populli, madje, do ta shihni se po nuk u largua shpejt, do të jetë edhe më i urryer se në vitin 1997. Prandaj gjendja e Shqipërisë është në rrezik.
Qëndrimi juaj ndaj kryeministrit e tejkalon ndoshta edhe kriticizmin e opozitës ndaj tij. Si e shihni të ardhmen politike të Sali Berishës në dritën e zhvillimeve të pritshme hetimore dhe politike për të cilat po flasim?
Lidershipi socialist është i nënshtruar ndaj Sali Berishës. Cila është arsyeja? Kjo nuk më duhet fare ta mendoj. Fakti, vetëm fakti të duhet si premisë në gjykimet politike. Por ky nënshtrim është një gjë e rëndë, nga e cila kjo opozitë e majtë dhe neopuniste duhet të gjejë forcë e të dalë; në të kundërt do të inkriminohet njëlloj si Saliu. Koha nuk të pyet si e ke bërë një krim, as pse e ke bërë një krim politik, por të ndëshkon për kryerjen e këtij krimi. Por ka një pjesë të opozitës së majtë, ajo e LSI-së, që duket e vendosur se do të qëndrojë. Do të qëndrojë, do të zmadhohet dhe do ta ndihmojë patjetër demokracinë në Shqipëri. Kurse e djathta do të grupohet. Shumë shpejt. Rigrupimi i saj mendoj se do të sjellë një dukuri të re në Shqipërinë politike. Përsa i përket të ardhmes së Sali Berishës, unë them se ajo është e zymtë. Ai s’ka asnjë shpresë, edhe sikur të vendosë që të “qëndrojë deri në fund në një bunker”. Por gjithsesi, përballja me të do të jetë një luftë shumë e ashpër, sepse është beteja midis lirisë dhe krimit.
A nuk ndjen keqardhje Spartak Ngjela, që mbron thuajse i vetëm kauzën e oponencës ndaj Berishës, brenda një krahu politik më të përçarë se kurrë nga skandalet financiare, mëritë, interesat vetjake dhe rivalitetet politike?
Keqardhje ndiej, por kjo nuk më step që të luftoj. Kam tashmë tridhjetë e pesë vjet në këtë luftë, dhe do ta vijoj, sepse po të mendosh të kundërtën, duhet të kujtohesh se mund ta kisha lënë që në tridhjetë e pesë ditët e para. Dhe gjithmonë më një histori: kundër diktatorëve që kanë ushtruar terror mbi popullin e tyre.
Marrë nga revista “MAPO”
22 Shtator 2008