E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Meta, bashkë në protestë, por me objektiva të ndryshme



Shaban Sulçe

Ndonëse janë shfaqur së bashku në protestën e ditës së premte kundër kryeministrit Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta vazhdojnë të jenë në pozicione të ndryshme dhe të ndajnë pikëpamje të ndryshme përsa i përket mënyrës së të bërit opozitë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka konfirmuar edhe dje se PS-ja do të vijojë të luftojë në Kuvend duke kontribuar gjithashtu për sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2009, të cilat do të shënojnë edhe disfatën përfundimtare të kryeministrit Berisha. Por kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ndan një mendim dhe qëndrim të ndryshëm nga ai i Ramës. Meta insiston në imponimin e opozitës për dorëheqjen dhe largimin e menjëhershëm të Berishës, pasi, sipas tij, me Berishën nuk mund të bëhen reforma, aq më tepër nuk mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rama
Kreu i PS-së, Edi Rama, duke falënderuar qytetarët për protestën e së premtes, deklaroi se Partia Socialiste nuk do të bojkotojë Kuvendin dhe se do të presë ndëshkimin me votë për kryeministrin Berisha në zgjedhjet e vitit 2009. Rama insistoi se e vetmja mënyrë për largimin e kryeministrit Berisha dhe ndryshimi i maxhorancës është pjesëmarrja në Parlament dhe hartimi i një kuadri ligjor për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme.
“Kemi detyrim të madh që në këtë Parlament të hartojmë një kuadër ligjor për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, me të cilat jo vetëm do të mundim politikën e vjetër të Sali Berishës, por çka është më e rëndësishme, do të ndryshojmë Shqipërinë”, - u shpreh më tej Rama. Kreu i selisë rozë konfirmoi qëndrimin e PS-së për të hedhur poshtë ligjin për Prokurorinë, ndërkohë që shprehu mbështetjen për këtë institucion, për të çuar deri në fund hetimet për tragjedinë e Gërdecit.

Meta
Duke falënderuar të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në protestë, kryetari i LSI-së Ilir Meta, deklaroi se protesta e dy ditëve më parë ishte shprehje e të gjithë shqiptarëve, që kërkuan largimin e menjëhershëm të kryeministrit Sali Berisha për përgjegjësinë e tij në tragjedinë e Gërdecit. “Protesta e djeshme tregoi qartë se qytetarët shqiptarë nuk ushqejnë më asnjë iluzion te qeveria e Sali Berishës, përkundrazi, shpresat e tyre për një jetë më të mirë dhe më të sigurt i shohin pa Sali Berishën kryeministër. Qytetarët shqiptarë treguan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë asnjë reformë, sikurse nuk ka pasur asnjë të tillë deri tani. Qytetarët shqiptarë treguan dje se nga Berisha nuk mund të pritet më shumë drejtësi dhe më shumë siguri në këtë vend. Qytetarët shqiptarë dëshmuan se me Berishën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ata i treguan të gjithë opozitës, se është detyrë e saj që të bëjë gjithçka për të imponuar sa më shpejt dorëheqjen e Sali Berishës si kryeministër dhe largimin e tij nga pushteti, si e vetmja mënyrë për të zhbllokuar krizën e thellë institucionale, në të cilën ndodhet vendi”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›