E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Tryeza e partive të opozitës nuk mund të mblidhet në një kasolle

kryetari i ps, Edi Rama me Spartak Ngjelen dhe Nard Ndoken pas nje takimi

Avokat Ngjela dha dje arsyet e mospjesëmarrjes së tij në tryezën e partive opozitare. Në një prononcim dhënë për Panorama, Ngjela akuzoi organizatorët e kësaj tryeze për mungesën e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë në trajtimin e çështjeve të opozitës.Opozita është në një moment shumë të përgjegjshëm përballë kësaj krize dhe duhet të tregohet shumë serioze. Nuk mund të degradojë në këtë mënyrë. Duhet të dimë dy gjëra, Kultura vjen nga metropolet, ka thënë Ezra Pound. Politika është përgjegjësi e madhe për qeverisjen dhe mbarëvajtjen e një shoqërie. Ne nuk mund të futemi në një kasolle, të marrim vendime të mëdha për të ardhmen, u shpreh kreu i PDrLi, pjesë e koalicionit opozitar. Sipas tij, çështjet e rëndësishme që diskutohen dhe vendimet që duhet të marrë opozita, kërkojnë një seriozitet dhe solemnitet më të madh për tu dhënë atyre vlerësimin që meritojnë. Avokat Ngjela u shpreh se mbledhja e tryezës së parë zyrtare të opozitës së bashkuar u zhvillua në ambientet e Partisë Demokristiane, për ti bërë qejfin një individi. Duhet patjetër që këto bisedime të bëhen në një qendër të madhe publike, ose tek Muzeu Kombëtar, ose tek Pallati i Kongreseve, ose në një hotel të nivelit të lartë, që është simbol publik. Nuk mund të futem unë për çështje të mëdha të Kushtetutës dhe të vendit, për dinjitetin dhe personalitetin e njeriut, në një kasolle, apo një dhomë partie, vetëm e vetëm për ti bërë qejfin një njeriu. Kjo ishte arsyeja ime dhe unë jam i bindur se në këtë linjë do të veproj, unë i ndërroj pozicionet e bindjeve të mia, u shpreh Ngjela për Panorama. Ngjela mungoi dhe një drekë pune të thirrur nga Rama dy javë më parë, duke e cilësuar atë informale, ku nuk bisedohej mbi bazën e platformave dhe propozimeve konkrete për çështjet politike. Në atë takim ishin prezentë vetëm Nard Ndoka, Paskal Milo dhe Petro Koçi.
Tryeza
Të martën në mesditë, partitë opozitare zhvilluan takimin e tyre të parë zyrtar pas zgjedhjeve të 8 majit. Në mbledhjen, që u zhvillua në selinë e Partisë Demokristiane ku morën pjesë Edi Rama, Paskal Milo, Nard Ndoka, kreu i PSV91, Petro Koçi, kreu i G99, Ervin Mete, Kurt Kola nga ish të përndjekurit politikë, Gjergj Koja nga PSM etj. u diskutua rreth propozimeve të partive aleate të PS për reformën zgjedhore. Ra në sy në këtë mbledhje, mungesa e kreut socialdemokrat Skënder Gjinushi, kreut të PDrLi, Spartak Ngjela dhe atij të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Nga disa të pranishëm në këtë mbledhje kjo mungesë u konsiderua si bojkot, ndërsa koordinatori i tryezës opozitare e cilësoi mungesën e tyre jo politike. Qëndrimet e tyre, të ndryshme me kursin e ri të PS dhe përpjekjet për një bashkëpunim me maxhorancën për reformat integruese, duket se po mbajnë larg disa nga aleatët. Gjinushi dhe Ngjela janë shprehur për pamundësinë e bërjes së reformave dhe kodeve me këtë maxhorancë, duke kërkuar vetëm largimin e saj. Ndërsa Dule ka qenë i paqartë për bashkëpunimin me PS, për shkak të një kompromisi të pamundur deri dje për Këshillin e qarkut të Gjirokastrës. Duket se opozita ende ka probleme për të zgjidhur, probleme që vijnë që nga periudha para zgjedhjeve vendore të 8 majit e në vazhdim. Mungesa e hapësirave nga ana e PS për tu lënë aleatëve zona të lira për kandidatët e tyre e duke i kufizuar ata vetëm në betejën për këshilltarë, por dhe akuzat për vjedhje dhe mosruajtje vote, duket se po mbajnë ende të pakonsoliduar situatën brenda kampit opozitar. Pothuaj të gjitha partitë aleate, përmes drejtuesve të tyre akuzuan komisionerët e Partisë Socialiste se nuk ruajtën votat e tyre, madje në shumë raste ata i transferuan në parti të tjera, ose të koalicionit, ose për vetë PS. Administrimi i votës mbetet një nga çështjet që aleatët e PS kërkojnë me forcë për zgjidhje si brenda koalicioneve, ashtu dhe me kundërshtarin e tyre politik.

Zogaj: Asnjë mungesë politike
Koordinatori i tryezës së opozitës, Preç Zogaj, tha se mungesat në tryezë ishin për çështje personale. Nuk kishte asnjë mungesë politike në tryezë. Natyrisht, do të kishim dashur që të ishin të pranishëm zoti Gjinushi dhe Dule, por ata janë jashtë Shqipërisë. Ata janë përfaqësuar me të tjerë. Pra, nuk ka mungesa politike në këtë tryezë. As z. Ngjela nuk është mungesë politike, u shpreh Zogaj, pas takimit të tryezës së opozitës së bashkuar.

Grup pune për reformën zgjedhore
Tryeza opozitare do të ketë grupin e saj të punës, që do të merret me të gjitha elementet e reformës zgjedhore. Tryeza e fundit e opozitës mandatoi Skënder Gjinushin dhe Nard Ndokën për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me negociatorët e PS për të gjitha temat dhe çështjet që do të jenë në diskutim në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, që do të zhvillohet, me sa duket, mes dy partive kryesore, PS dhe PD. Opinionet e aleeatëve do të jepen përmes këtij grupi me përvojë në reformat zgjedhore.

Aristir Lumezi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›