Ngjela e Topalli, Debat ngrohje-ftohje

Debati mes deputetit “të ngrirë” të PD-së, Spartak Ngjelës dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, ishte ndoshta më i ashpëri gjatë seancës së djeshme plenare. Ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve përpara se të “ngrihej” nga kryeministri Sali Berisha, shprehu dyshimet për heqjen e imunitetit të deputetëve. Përveç kësaj, ai nuk ngurroi të thumbojë edhe kryeparlamentarjen Jozefina Topalli. “Kurrë nuk i heqin imunitetet këta. Kijeni parasysh mirë! Kurrë nuk i heqin imunitetit! Ç’ke që je bërë kaq e nxehtë! Nuk na rezulton të kesh marrë ndonjë kacidhe nga fabrika e Gërdecit. Rri moj e shkretë, rri rehat tamam, se s’je as profesioniste”, - deklaroi Ngjela tepër i acaruar me kryeparlamentaren, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend. Në krahun tjetër, siç ndodh shpesh, Jozefina Topalli nuk e ka lënë me kaq bisedën, por i ka kthyer “xhevap”. “Ligji do të kalojë. Po, po, po! Ligji do të kalojë zoti Ngjela! Ju ka ftohur fare kjo!” - iu drejtua ajo deputetit Ngjela. Veç këtij debati, thuajse gjatë gjithë 60-minutëshit, Topalli ka pasur përplasje me deputetët e opozitës.
Kryetarja e Kuvendit, garantoi ndërkohë opozitën, se kërkesa për heqjen e imuniteti të ish-ministri të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, do të votohet shumë shpejt. Ndërsa Partia Socialiste kishte kërkuar që votimi të bëhej që sot, ashtu sikundër u shpreh i gatshëm edhe vetë Mediu, Topalli nënvizoi se ka procedura që duhen zbatuar. “Ditën e parë që do të jetë raporti në seancë plenare, do ta votojmë menjëherë. Kjo mund të jetë ndoshta edhe më shkurt sesa ajo që gjithsecili prej jush mund ta mendojë”, - deklaroi kryekuvendarja Topalli. Ajo nënvizoi gjithsesi, se duhet zbatuar rregullorja e Kuvendit. Sipas saj, në nenin 118 të kësaj rregulloreje kërkohet qartë se procedura për heqjen e imunitetit fillon me kërkesën e prokurorisë, me dokumentacionin shtesë, dëgjimin e deputetit dhe hartimin e raportit. Topalli sqaroi se ajo vetë u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Rregullores, që të përshpejtojnë punën për hartimin e raportit. Më tej, ajo që ra në sy, ishte fakti që Topalli nuk fliste për votim të kërkesës së prokurorisë, por për heqje të imunitetit ndaj Mediut. “Grupi i mazhorancës që në muajin shtator ka depozituar kërkesën për këtë qëllim, ndaj mendoj se menjëherë pas heqjes së imunitetit të z. Mediu, do të kalojmë ligjin “Për imunitetet”, - u shpreh kryekuvendarja. Nuk dihet nëse Topalli ka harruar të shprehet për votimin e kërkesës, apo vërtet donte të nënkuptonte vullnetin e mazhorancës për të hequr imunitetin e republikanit Mediu. Gjithsesi, ky i fundit vetëkërkoi që Kuvendi t’ia hiqte që në seancën e djeshme imunitetin. “E deklaroj këtu, që nuk kam asnjë lidhje me Delijorgjin, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë, asnjë marrëdhënie me të, siç mund të kenë disa, që paradite e shajnë dhe pasdite i dërgojnë habere në qeli. Ju kërkoj ju dhe gjithë Kuvendit, që sot ky Parlament të votojë heqjen e imunitetit tim dhe prokuroria të ushtrojë detyrën e saj”, - deklaroi ish-ministri i Mbrojtjes. Ai theksoi se çdo urdhër e kishte nxjerrë në përputhje me detyrimet ligjore. Mediu shtoi se ai jo vetëm që nuk ka shmangur, por në të kundërt, ka përfshirë në çdo moment, çdo aktivitet ushtarak dhe civil në këtë proces. Aktualisht, Mediu ka raportuar në Këshillin e Rregullores që është duke shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe dokumentacionin shtesë që ka dërguar prokuroria. Por, vetëm pak ditë më parë, Jozefina Topalli kërkoi dokumentacione të tjera, madje duke akuzuar edhe kryeprokuroren se po fshihte materiale. Në krahun tjetër, për opozitën proceduarat po vonohen qëllimisht nga mazhoranca