E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top takimet e presidentit

Një numër takimesh e shndërruan dje kryetarin e shtetit në Top-President të baraspeshës ndërinstitucionale dhe gatishmërisë për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën, si dhe për të krijuar hapësirë të mundshme kompromisi

Një numër takimesh e shndërruan dje kryetarin e shtetit në “Top-President” të baraspeshës ndërinstitucionale dhe gatishmërisë për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën, si dhe për të krijuar hapësirë të mundshme kompromisi. Por presidenti u bë “Top” fare, ngaqë ambasadori më i rëndësishëm, Xhon Uidhërs II, pas takimit në Presidencë bisedoi edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin. Krerët institucionalë janë përfshirë në debate për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Për thuajse një muaj, që prej 12 majit dhe pak ditë më pas, më 22 maj, kur Topi dekretoi pesë emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Topalli kishte shtyrë votimin e përcaktuar në Kushtetutë me termin “pëlqim” që duhet të japë Kuvendi për ata të dekretuar. Mirëpo presidenti pa kurrfarë mëdyshjeje kishte “injoruar Kuvendin, duke mos u këshilluar paraprakisht, pavarësisht të drejtës kushtetuese që gëzon për emërimet e gjyqtarëve. Mbi këtë “injorim”, kryekuvendarja kishte kërkuar verifikimin e figurave të emëruara prej Topit, mes të cilëve nuk gjendet ndonjë “i pëlqyer” konkret i “palës” tjetër, PD-së dhe Sali Berishës. Takimet e Topit nisën më herët me bisedimin me ambasadorin e Delegacionit Evropian, Helmut Lohan, e formuluar “zyrtarisht” për reformat dhe frymën kushtetuese, mirëkuptimin ndërpartiak dhe institucional. Pas Lohanit, Astrit Patozi dhe Ilir Bano, kryetar dhe nënkryetar grupit të PD-së, për më shumë se një orë biseduan me Topin e pastaj ambasadori amerikan Uidhërs. Presidenti u bë pikë referimi ndoshta më shumë se kurdoherë në më pak se 1 vit të ushtrimit të detyrës, që e mori me votat e 6 mbështetësve të ish-rivalit të tij, Fatos Nano.

Me Lohanin dhe Uidhërsin

Presidenti Topi priti dje në një takim edhe ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadorin e SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Uidhërs. Lohan dhe Topi diskutuan rreth reformave të ndërmarra në vend dhe ndanë qëndrimet e tyre për forcimin e shtetit ligjor dhe ndarjen e pushteteve. Përpara përpilimit të raportit vjetor të përparimit të vendit tonë, Lohan u informua e shkëmbeu mendime me kreun e shtetit për reformën në sistemin e drejtësisë e atë zgjedhor. Vend gjatë bisedës gjeti edhe çështja e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ndërkaq, gjatë takimit Topi mori mbështetjen e ambasadorit amerikan, Uidhërs, për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të do të vazhdojnë t’i japin vendit tonë, për përmbushjen e aspiratave integruese në NATO dhe BE. Uidhërs vlerësoi edhe rolin pozitiv të presidentit Topi, në garantimin e Kushtetutës dhe pavarësisë së institucioneve. Më pas, takimi “pa koment” i Topallit nxit hamendësime se ambasadori amerikan paraqet qëndrimin e qartë të Uashingtonit për respektimin e ndarjes së pushteteve, krijimin e kushteve për hetime pa ndërhyrje mes institucioneve kushtetues të hetimeve, sikurse më parë është lëshuar deklarata nga selia diplomatike e SHBA-së, për rastin e Fatmir Mediut (kërkohet nga Prokuroria e Përgjithshme të hetohet penalisht për tragjedinë e Gërdecit). Po ashtu, temat e pakomentuara të bisedimeve përmbledhin edhe klimën politike që po shkon në acarimi për gjyqtarët, nëse kujtohet shtyrja e votimit të dekreteve dhe rasti i Mediut, si dhe kundërshtimi në grup i kryetarit të qeverisë, Sali Berisha, njëherazi kryeministër, për emrat e gjyqtarëve të emëruar prej Topit.

Dialog me Patozin e Banon

Topi priti dje gjithashtu në presidencë krerët e grupit parlamentar të PD-së, që shkuan aty në funksionin e negociatorëve. Kryetari i grupit, Patozi dhe nënkryetari, Bano, i propozuan kreut të shtetit dialog për zgjidhjen e problemeve. “Unë mund t’u them me dy fjali që ishte takim i hapur miqësor. Jemi partizanë të dialogut dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sa më e drejtë dhe më e pranueshme”, - tha shkurt pas takimit, pasuesi i Topit, në pozicion e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Prej kohësh ka filluar një përplasje mes kryeministrit Sali Berisha e kryeparlamentares Jozefina Topalli me kreun e shtetit, Bamir Topin. Shkaku i debateve ishin pikërisht dekretet e presidentit për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas kryeministrit Berisha, kreu i shtetit duhet të ishte konsultuar më parë me Kuvendin, sikundër ka thënë edhe kryeparlamentarja Topalli. Në krahun tjetër, kërkesa e tyre është cilësuar edhe si një luftë mes kryeministrit dhe presidentit për të pasur nën kontroll Gjykatën e Lartë.

Gjyqtarët e dekretuar

Altina Xhoxhaj           22 maj

Medi Bici        22 maj

Artan Zeneli   12 maj

Zamir Poda     12 maj

Kristaq Traja  12 maj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›