E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela shpall partinë Ligj dhe Drejtësi

Ngjela dhe Bakalli kanë zhvilluar dje një takim me simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Durrësit

TIRANË- Nga dje, Spartak Ngjela, do të drejtojë partinë më të re, “Ligj dhe Drejtësi”. Spartak Ngjela dhe deputeti tjetër i pavarur, Gilman Bakalli, kanë zhvilluar dje një takim me simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Durrësit, me qëllim bërjen publike të programit. Deputeti i Shkodrës, Gilman Bakalli, deklaroi dje për “Shekulli”-n se për njohjen e programit të partisë më të re, do të zhvillohen një sëre takimesh në të gjithë qytetet e vendit. Kështu, partia “Ligj dhe Drejtësi” pritet të organizojë edhe një takim në qytetin e Shkodrës, ku tema kryesore do të jetë prona, çështje kjo mjaft e rëndësishme, në një kohë, që qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë për ta mbrojtur atë. Më pas, drejtuesit e kësaj partie, Ngjela dhe Bakalli do të organizojnë një tjetër takim mbi ekonominë, kësaj here në Tiranë, ku impakti për këtë parti, pritet të jetë më i madh. Ajo që do ta dallojë ketë parti nga PD-ja, do të jetë pikërisht filozofia, që kjo force e re politike do të përcjellë. Pak kohë më parë, deputeti i pavarur, Spartak Ngjela, deklaroi se partia “Ligj dhe Drejtësi” do të ngrihet mbi principe të qarta dhe ka si qëllim “ringjalljen e besimit të shqiptarëve për daljen nga gjendja e paralizuar ku ndodhen”. Në të njëjtën kohë, Ngjela është angazhuar edhe në një tjetër lëvizje, ajo e krijimit të një poli të ri brenda së djathtës, me dy partitë e tjera, LZHK-në e PDK-në, që pritet të ketë një qëndrim të ndryshëm nga koalicioni qeverisës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›