E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i PDK-së, Berisha refuzon Ndokën

Ndoka paralajmëron krijimin e një poli të ri brenda së djathtës

TIRANË- Një vit më parë, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, premtuan bashkëpunim mes dy partive që drejtojnë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, largimi i Ndokës nga qeveria, si dhe mospërfshirja e tyre në përbërjen e re të komisioneve zgjedhore, një vit më pas, pikërisht në 17-vjetorin e themelimit të PDK-së, ka sjellë një panoramë krejt ndryshe. Dje, në këtë përvjetor nuk mori pjesë as kryetari i PD-së, Sali Berisha, por as zyrtarët e lartë të kësaj partie. Të vetmit deputetë që pranuan ftesën e PDK-së dje ishin Bujar Leskaj dhe Sali Shehu. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për partinë më të madhe të opozitës. Asnjë prej zyrtarëve të kësaj partie nuk mori pjesë dje, ndërkohë që nuk kanë munguar deputetët e LSI-së, por edhe dy deputetët e pavarur tashmë, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, të cilët së shpejti pritet që të bashkëpunojnë me PDK-në për krijimin e një poli të ri brenda së djathtës. Këtë e ka paralajmëruar dje edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, gjatë fjalës së mbajtur me rastin e 17-vjetorit të krijimit të partisë. “Sot është dita për të deklaruar edhe njëherë publikisht se PDK-ja ka qenë, është e do të mbetet një forcë e qendrës së djathtë. Ne jemi të vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të krijojmë një pol të ri politik të së djathtës, të aftë t’u ofrojë shqiptarëve një alternativë europiane moderne, në sinkron me parimet dhe konceptet politike të së Djathtës Europiane, çka përbën një zhvillim të ri politik, mjaft të rëndësishëm”,- tha Ndoka. Kryetari i demokristianëve u bëri thirrje edhe të larguarve nga kjo parti që të kthehen sërish për një bashkëpunim të ri. “Është, gjithashtu rasti të deklaroj se, unë si Kryetar i PDK-së jam i gatshëm të ftoj për bashkëpunim dhe bashkëjetesë idesh brenda programit dhe parimeve politike demokristiane, çdo individ e grup individësh, që, për arsye të ndryshme kanë gabuar dhe kanë zgjedhur kundërvënien politike ndaj PDK-së dhe siglës së saj politike”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›