Ngricë në Durrës - shtyhet mitingu i Ramës, bojkotojnë Gjinushi e Milo, arratiset Veliaj
Protesta e ylberistëve në Durrës ka kaluar në braktisje të plotë, ndërkohë që televizionet kanë rënë në hall, pasi s’dinin si të mbushnin 60 minutat e shtyrjes së tubimit, për shkak të pjesëmarrjes. Sërish mungojnë Gjinushi e Milo, ndërkohë që prej javësh, s’ka sinjale për Erion Veliajn, i cili s’po u përgjigjet as thirrjeve të prokurorisë
Edi Rama është përballur dje me braktisjen më spektakolare të socialistëve, teksa është detyruar të shtyjë 3 herë orarin e nisjes së protestës në qytetin bregdetar të Durrësit. I nisur nga Tirana me idenë se do gjente në sheshin qendror të qytetit një valë të madhe tubuesish që po prisnin “idhullin” e qëndresës dhe destabilitetit shtetëror, ishte krejt e kundërta, teksa Edi Rama, është përballur me poshtërimin me të madh që i është bërë ndonjëherë në ndonjë qytet të vendit, që prej nisjes së protestave. Socialistët e Durrësit i ofruan ngricë kryesocialistit, për një ide shumë të qartë dhe njëherësh të thjeshtë: është përfaqësues i një partie politike që nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit, aty ku vendoset për fatet e vendit dhe të çdo qytetari shqiptar; dhe për më tepër, ka instaluar në selinë rozë një mekanizëm të pisët përbaltjeje ndaj çdo progresi të vendit, në kuadër të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kësisoj, në vargun e pafund të turpeve të kryesocialistit, arkiva dje është pasuruar me të tjera risi. Mitingu i premtuar për t’u mbajtur rreth orës 17, me urdhër të Edvinit është shtyrë 3 herë, për të rinisur pas orës 19, për një arsye akoma edhe më të thjeshtë...mungesa e mbështetësve. Pikërisht, ky ka qenë momenti më i padurueshëm për ata të pranishëm, revoltimi i të cilëve çoi në ngritjen e një “proteste kundër protestës”. Nga kjo u penalizuan edhe një pjesë e medieve, të cilat filluan transmetimet “live”, ashtu siç edhe ishte njoftuar, por më pas u detyruan të mbushnin hapësirën e mbetur me programacion të paparashikuar. Përveç braktisjes nga mbështetësit, dukej se Edi Rama dje ishte braktisur edhe nga aleatët e tij, me të cilët ka organizuar miniprotesta të tjera. Në miniprotestën e djeshme në Durrës, Edvini kishte si aleat të ngushtë dhe të vetëm në podium, vetëm Tak Ngjelën, ndërkohë që kishte marrë një përgjigje ironike nga Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Një nga mungesat që ra në sy ishte edhe ajo e Erjon Veliaj, kreut të G99-s, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë kontakti, qysh prej nisjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës, për evazion fiskal dhe përvetësim të fondeve të një OJQ-je me aktivitet në Shqipëri. Megjithatë, Edi Rama, i vetmuar dhe në klithjet e vuajtjes së mungesës së prioriteteve të të qenurit në pushtet, servir për opinionin publik dhe socialistët në tërësi, një valë të egër mashtrimesh dhe shpifjesh, duke nxirë në mënyrë turpshme përpara syve të ndërkombëtarëve, imazhin e Shqipërisë, por prej tyre, po merr braktisjen dhe injorimin e thirrjeve anarshiste, pavarësisht zellit të Tak Ngjelës.
...