E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuplaka e Strasburgut/U lodhëm, Rama të ndërpresë bojkotin

Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës u ka dhënë një goditje finale bizantinizmave të opozitës së Edvinit, duke i kërkuar formalisht ndërprerjen e bojkotit dhe të rifillimin e jetës demokratike. KiE kritikon opozitën, ndërsa vlerëson se për miratimin e reformave në parlament, duhet përfshirja e të dy poleve politike


Opozita shqiptare merr një tjetër shuplakë nga ndërkombëtarët. Qëndrimi kokëfortë ndaj mazhorancës dhe mos marrja pjesë në procesin e integrimit të vendit, duke mos dhënë asnjë kontribut në miratimin e reformave, detyron përsëri Këshillin e Evropës, të adresojë në Tiranë një deklaratë kritike. Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës bëri dje apel për rifillimin e dialogut politik në Parlament, duke kërkuar kështu që të rifillojë funksionimi demokratik i institucioneve për të ndihmuar reformat për integrimin europian të vendit. KiE, shprehet me nota kritike ndaj opozitës dhe qëndrimit të saj ndaj institucioneve qeveritare dhe Kushtetuese. Në një deklaratë pas mbledhjes së djeshme në Strasburg, KiE shpreh edhe njëherë shqetësimin për ngërçin politik që erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit pavarësisht kthimit të pjesshëm të deputetëve socialist në parlament, pas vizitës së disa anëtarëve të kësaj asambleje në shkurt. Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, konsideron të tepruar qëndrimin e opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit dhe i sugjeron asaj që t’i drejtohet Komisionit të Venecias. KiE, përmend në deklaratën zyrtare arritjen e një kompromisi mes palëve, në përputhje me ligjet dhe kushtetutën, si organi themelor i shtetit.


Deklarata e plotë për shtyp e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE): “Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar. Më 25 shkurt, deputetët e Partisë Socialiste hynë në Parlament dhe bënë betimin, pasi bojkotuan për gjashtë muaj punimet parlamentare duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projekt-ligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar për t’i bërë zgjedhjet e qershorit 2009 plotësisht transparente. Më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor mbi zgjedhjet legjislative të qershorit 2009. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e Partisë Socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision. Mbledhja e tij është shtyrë dhe nuk është mbajtur. Duke patur parasysh këtë bllokim të situatës, si dhe faktin se, si manifestimet e partive të opozitës dhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen më 30 prill dhe 1 maj 2010, Byroja e Asamblesë i bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik. Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit. Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të Shtetit me qëllim që të çojë përpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin Evropian të vendit. Byroja sjell në vëmendje gjithashtu mundësinë, tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvillohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›