E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Ekonomia jonë e vogël, kriza s’ka efekt të madh

Shqipëria është një vend me ekonomi të vogël, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane apo më gjerë, dhe kjo është një arsye pozitive që kriza globale mos të ndikojë në ekonominë vendase. Këtë deklarim e ka bërë dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, në forumin e dytë për marrëdhëniet ekonomike greko-shqiptare "Sfida dhe potenciale". Ministri Ruli, duke iu referuar ekonomive të dy vendeve tona dhe bashkëpunimit ekonomik mes tyre, tha se në të dyja vendet, efektet negative të krizës globale nuk do të kenë efekt të madh. Sipas Rulit, Shqipëria dhe Greqia janë disa të mënjanuara nga kriza, e cila pritet të mos japë efekt shumë negativ mbi të dy ekonomitë. Ai foli më tej për efektet që jep kjo krizë në ekonominë botërore. "Jemi koshientë që bota dhe për më tepër pjesa e zhvilluar e saj ndodhet e përfshirë në një krizë, e cila, tej të qenit krizë financiare dhe e tregjeve të kapitalit, tani po përkthehet edhe si një krizë ekonomike", - tha Ruli. Sipas tij, takimi i “G20”, ku liderët e ekonomive drejtuese të botës morën parasysh situatën që po ndodh sot si në vendet e zhvilluara edhe ato në zhvillim, guxuan të gjykojnë për një reformë të tërë në tregun ndërkombëtar financiar. Nga ana tjetër, ai ka vlerësuar ndërhyrjen e bërë nga faktori politik në këtë krizë. "Është pozitive vendosmëria dhe mënyra e drejtpërdrejtë që politika po e sheh krizën në tërë përmasën e saj dhe shpejtësia me të cilën po ndërmerren aksionet politike, por natyrisht kriza nuk do të zhduket po aq shpejt sa erdhi, ajo do të dojë kohën e vet të përballet", - nënvizoi vijoi z. Ruli. Sipas tij, kjo krizë ka nisur të japë efektet e saj negative në disa vende të Evropës, ku tashmë ekonomitë e tyre kanë nisur të kenë një rritëm më të ulët të rritjes ekonomike. Por nga ana tjetër, ministri Ruli tha se ekonomitë e Shqipërisë dhe Greqisë, ende janë larg kësaj përfshirjeje, pra ekonomitë e dy vendeve s’janë përfshirë në regres. "Dy vendet tona janë më në anë të kësaj krize, e ndjejnë më pak, por nuk janë të imunizuara. Të qenit ekonomi të vogla përbën një avantazh, duke u ekspozuar më pak në të gjitha përmasat e kësaj krize", - theksoi në fjalën e tij ministri Ruli. Ndërsa ka nënvizuar faktin se vendet duhet të lehtësojë efektin negativ të pritshëm, duke rritur më tej shërbimet tregtare. “Ne duhet t'i shohim me realizëm kush mund të jenë impaktet e pritshme të kësaj krize ekonomike dhe si do të shfaqen dhe përthyhen në realitetet tona ekonomike, ku realiteti i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve është një kanal lehtësimi në këtë realitet krize", - tha Ruli. Ndërsa ka theksuar situata e favorshme dhe relativisht solide në kuptimin e zhvillimeve makroekonomike dhe një klimë e konsoliduar e biznesit, me tërë lehtësitë që ofrohen dhe mundësitë që i jepen atij për t'u zhvilluar aktivitetet e tij, janë garancia numër një në prekjen më pak dhe në kalimin më shpejt të krizës ekonomike.

Klima e biznesit është përmirësuar

Ministri Ruli tha dje se qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Ai tha se tani në Shqipëri është me lehtë të bësh biznes dhe për këtë iu referua raportit të Bankës Botërore "Të bësh biznes", ku Shqipëria cilësohet si vendi i dytë mes vendeve që janë në një proces intensiv reformash për cilësinë dhe shpejtësinë e ndërmarrjes së reformave. "Kjo padyshim është shfaqur në disa tregues dhe indikatorë ekonomike, si fluksi i investimeve të huaja, që në vitin 2007 ka shënuar një rritje prej 74 % krahasuar me vitin 2006 dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 është rritur me 65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të viti 2007", - nënvizoi ministri Ruli. Ministri tha se treguesi relativ i investimeve të huaja në raport me Prodhimin Bruto shënon 6.2 %, në një kohë kur në vitin 2006 ka qenë vetëm 3.6 %. Ministri Ruli u shpreh se reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria, krahas aspektit të harmonizimit të legjislacionit, kanë krijuar një kooperim më të mirë shkëmbimesh tregtare. "Kjo përbën faktin që Greqia të jetë jo vetëm një nga partnerët tanë kryesorë, por edhe shfaqjen në hartën e Ballkanit të Shqipërisë si partner i rëndësishëm tregtar mes një tregu të rëndësishëm investimesh për biznesin grek", - tha Ruli, duke shtuar se Greqia luan një rol parësor në investimet e huaja direkte në Shqipëri. Ai nënvizoi se afërsia gjeografike, niveli i marrëdhënieve politike, lehtësia e biznesit grek tashmë për t'u njohur dhe përshtatur me realitetin shqiptar, prezenca e një faktori lidhës, që është emigracioni shqiptar në Greqi, janë disa nga arsyet që shpjegojnë këtë prezencë prioritare të kapitalit grek në ekonominë shqiptare. Sipas tij, shumë kompani greke kanë investuar dhe janë prezente në sektorë prioritarë të ekonomisë, si në telefoninë celulare, sistemin bankar, por edhe në sektorë të tjerë si industri tekstilesh dhe këpucë dhe në industrinë minerare. Eksportet e vitit 2007 rezultojnë me një rritje 10 % dhe importet 16 %, por edhe gjatë gjashtëmujorit të vitit 2008 në krahasim me atë të vitit 2007 ka rritje të eksporteve shqiptare drejt Greqisë në masën 30 % dhe të importeve në masën 22 %.

BOX

Greqia, vendin e parë për investimet në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke, Nikolaos Tachiaos, theksoi dje gjatë punimeve të forumit të dytë ekonomik Greqi-Shqipëri se Greqia zë vendin e parë për investime në Shqipëri, ndërsa është partneri i dytë tregtar. "Greqia mban vendin e parë për sa u përket investimeve dhe është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, rrjedhimisht është e natyrshme që çështjet e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve të përbëjnë një nga prioritetet tona", - deklaroi Tachiaos. Duke e cilësuar krizën financiare globale si një krizë që do të prekë të gjitha vendet, z. Tachiaos theksoi se "qeveria greke nga ana e saj ka përgatitur një program mbështetjeje të likuiditetit të sektorit financiar në një shumë prej 28 bilionë euro, i cili do të votohet këto ditë në Kuvend, pas miratimit të Komisionit Evropian dhe i cili do të ruajë qarkullimin e parave nga sektori financiar drejt ekonomisë reale". Në këtë kuadër ai shtoi se "rezultatet e këtij plani nuk i interesojnë vetëm Greqisë, por edhe vendeve të Evropës Verilindore, në të cilat kanë investuar bankat greke". Sipas tij, 270 shoqëri me interesa greke kanë investuar në Shqipëri afërsisht 550 milionë euro në sektorin bankar dhe siguracione, në telekomunikacion, në ndërtim, në transport, në tregun e karburanteve etj. Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Tachiaos nënvizoi se sasia e pastër e fondeve greke për ndihmën për përparim që Shqipëria ka marrë nga Greqia gjatë periudhës 2001-2006 arrin në 78.3 milionë euro, ndërsa për vitin 2008, bazuar në të dhënat e deritanishme llogaritet që ndihma për zhvillim të arrijë në 2.6 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›