Përgjigjja zyrtare: Importin e energjisë në dhjetor nuk e bëri ministria, por CEZ
Partia Socialiste ka reaguar dje për situatën e rënduar të përmbytjeve në Shkodër. Në një prononcim për mediat, deputeti socialist, Erion Braçe, u ka kërkuar banorëve të zonave të përmbytura të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të evitojnë kështu një "Gërdec" të dytë njerëzor që nuk mund të mbulohet.
“Gërdec” i dytë
“E shoh me sy dhe e ndiej me zemër çdo shqiptar të Shkodrës për të apeluar tek ata: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj, qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte, shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentralet dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë. Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë nga rreziku i thyerjes së digave, vënë në këtë rrezik nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Nëse Gërdeci material po konsumohet ju keni në dorë të ndalini ‘Gërdecin’ njerëzor”, u shpreh Braçe.
Shkaqe korruptive
Sipas tij, katastrofa vjen nga paaftësia e qeverisë dhe këto akuza nuk kanë bazë politike, por janë fakte të renditura që çdokush mund t’i gjejë shumë lehtë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE).
“METE bleu energji në datën 3 dhjetor, ndërkohë që dinte gjendjen e liqeneve. Këto të dhëna ndodhen në faqen zyrtare të METE, ndërsa menaxhimi i kaskadave është bërë në mënyrë korruptive”, deklaroi deputeti socialist.
Braçe i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet tani për këtë katastrofë dhe jo kur të zhduken provat, duke theksuar se kjo nuk ishte produkt i kushteve atmosferike.
Reagon METE
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me këto akuza. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet zëdhënëses Matilda Merxhani ka hedhur poshtë pretendimin se KESH-i është duke kryer import. “Kujtojmë se importi i energjisë për të cilin flet deputeti Braçe nuk është bërë nga qeveria, por nga kompania private CEZ”, sqaroi dje ministria. METE deklaron se prodhimi dhe eksporti në nivele të larta po bëhet për të shmangur çarjen e digave.
Kështu në Kosovë KESH-i depoziton 6 milionë kilovat në orë, sipas marrëveshjes së lidhur me KEK-un. “Prodhim i lartë eksporti për të evituar katastrofat nga çarja e digave. T’i kërkosh KESH-it të mos eksportojë do të thotë të kërkosh tragjedi kombëtare, do të thotë të kontribuosh për më shumë përmbytje dhe fatkeqësi”, vijon Merxhani. Duke u solidarizuar me situatën, METE garanton opozitën se po ndjek situatën dhe nuk do lejojë shpifje për fakte që janë më transparente se kurrë.