E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrin në dëborë 70-vjeçari, por shpëton i biri

24/03/2009  Ngjarja në Benë, dy shtetasit ishin nisur për në stan. Mbetën rrugës, por njoftuan me celular

ELBASAN- Vdes një 70-vjeçar pas qëndrimit për disa orë i bllokuar në dëborë në zonën e thellë të Benës, ndërsa ka shpëtuar mrekullisht i biri i tij.

Ngjarja

Ngjarja është regjistruar në fshatin Benë të komunës Labinot Mal në rrethin e Elbasanit. Sherif Plakaxhiu, 70 vjeç, dhe djali i tij Shabani, 35 vjeç, kanë udhëtuar dje drejt fshatit të largët ku ndodhej edhe stani me bagëti, por kanë mbetur të bllokuar rrugës për shkak të trashësisë së madhe të dëborës. Shpëtimi i vetëm për 35-vjeçarin ka qenë një celular me të cilin ka njoftuar banorë të fshatit. Pasi u ka treguar vendndodhjen drejt tyre janë nisur fshatarë që e njihnin mirë zonën. Sherif dhe Shaban Plakaxhiu janë gjetur nën dëborë dhe janë dërguar në shtëpinë më të afërt. Ata u kanë dhënë ndihmën e parë duke i ngrohur dhe duke u ndërruar rrobat, por për të moshuarin gjendja ka qenë më kritike. Kryetari i komunës Qani Xhafa ka njoftuar Ministrinë e Brendshme për gjendjen e rënduar të 70-vjeçarit dhe për një ndihmë mjekësore për djalin e tij që reagonte më mirë. I pyetur Xhafa tha se ka marrë si përgjigje se helikopteri nuk mund të udhëtojë në errësirë dhe për këtë arsye duhej pritur mëngjesi. Për të moshuarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, ndërsa për djalin gjendja ka ardhur duke u përmirësuar edhe me ndihmën e mjekut të komunës që ka arritur mbrëmë vonë tek shtëpia ku ishin vendosur ata.

Mbërritja me vonesë

Për shkak të bllokimit të rrugëve nga fshati Benë me drejtim Elbasanin, transporti i 70-vjeçarit që nuk mundi të mbijetojë deri në mëngjes u bë nëpërmjet një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëpërmjet helikopterit që është ulur në orët e mëngjesit në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ka mbërritur edhe djali 35-vjeçar që mundi të shpëtojë për mrekulli nga dëbora. Megjithëse në gjendje të dobët shëndetësore pas asaj që kishte pësuar ku rrezikonte të mbetej nën dëborë, ai ka mundur të marrë pjesë në varrimin e të atit fatkeq. Kreu i komunës Labinot Mal Qani Xhafa tha se disa fshatra të thella janë në vështirësi për shkak të dëborës dhe izolimit. “Komuna Labinot Mal, tha Xhafa, është një ndër zonat më të goditura nga dëbora dhe në disa zona si në fshatin Benë trashësia ka rritur deri në 1 metër e gjysmë”. Situata paraqitet problematike dhe kërkohet ndihmë që të mos regjistrohen më situata të tilla. Në këtë rast ishte errësira që helikopteri nuk mundi të vijë, por gjendja në këto fshatra është mjaft e rënduar dhe duhet të ketë ndihmë për çdo rast. Ai ka deklaruar se problemet me rrugët dhe sasia e madhe e reshjeve të dëborës kanë ndërprerë komunikimin me këto zona. Xhafa kërkoi ndihma emergjente për këta banorë. Janë rreth 1500 banorë të izoluar në 4 fshatra të kësaj komune malore dhe në çdo fshat mund të ndodhin të tilla tragjedi për shkak të pamundësisë së komunikimit me qendrat urbane dhe shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›