Ngrohja, furnizohen me karburant shkollat e Tiranës
Pas apelit të bërë nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave dhe kopshteve në kryeqytet, për mungesën e ngrohjes në klasa, Bashkia e Tiranës ka bërë furnizimin e tyre me karburant. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se është garantuar funksionimi normal i sistemeve të ngrohjes në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit. Sipas Bashkisë së Tiranës, sigurimi i kushteve sa më optimale për mirërritjen e fëmijëve në çerdhet e kopshtet e kryeqytetit, apo edhe i atyre për studimin e nxënësve në shkollat 9-vjeçare e të mesme, ka qenë e mbetet një nga përparësitë e punës së Bashkisë së Tiranës. Në këto ditë të ftohta dimri ajo që merr një rëndësi të veçantë është sigurimi i ngrohjes së mjediseve, ku vogëlushët kalojnë një pjesë të mirë të ditës, apo nxënësit ulen për të marrë dije. Strukturat përkatëse të Bashkisë kanë arritur të kapërcejnë vështirësitë e krijuara nga mosmiratimi prej më shumë se një viti i buxhetit dhe të sigurojnë furnizimin normal të sistemeve të ngrohjes nëpër çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit. Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Tiranës po operon pa një buxhet të miratuar, pasi Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar as buxhetin e vitit 2010 dhe as atë të vitit 2011. Në këto kushte Bashkia dhe institucionet që varen prej saj janë detyruara të operojnë në kushtet e një buxheti të përkohshëm, i cili autorizon përdorimin e fondeve në masën 1/12 e shpenzimeve faktike të vitit paraardhës. Kjo situatë ka bërë të domosdoshme nevojën për racionalizimin e shpenzimeve në përmbushjen e shërbimeve më prioritare për komunitetin dhe qytetarët, duke siguruar ushtrimin, në përputhje me ligjin të funksioneve dhe përgjegjësive të institucioneve për ofrimin e të mirave dhe të shërbimeve, përfshirë edhe zbatimin e projekteve të investimeve në vazhdim. Pavarësisht këtyre vështirësive të krijuara, Bashkia ka qenë e vendosur për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë problemit, që sigurisht nuk rëndon në kurrizin e atyre që kanë bllokuar buxhetin, por të vogëlushëve të Tiranës. Në këtë mënyrë janë marrë masa të menjëhershme dhe duke bërë një menaxhim sa më të mirë të fondeve në dispozicion, është arritur që të furnizohen me karburant të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat e Tiranës. Limitet mujore të shpenzimeve të karburantit për ngrohjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave për muajt dhjetor 2010 - mars 2011 e kapërcejnë masën e lejuar (1/12 e shpenzimeve faktike të vitit paraardhës). Kjo është më se e kuptueshme, po të kemi parasysh se periudha në fjalë përbën dhe pjesën më të ftohtë të sezonit. Megjithatë, Bashkia e Tiranës dhe Ndërmarrja Nr.3 kanë mundur të sigurojnë furnizimin me karburant të sistemeve të ngrohjes në institucionet shkollore e parashkollore. Veçanërisht në këto të fundit, çerdhe e kopshte, ngrohja nuk është ndërprerë për asnjë ditë, duke mundësuar një funksionim sa më optimal të tyre.