E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i rrugës para PS-së, kaos në trafik

Bllokimi i rrugës përpara selisë së Partisë Socialiste për shkak të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej” ka bërë që Tirana dje të përjetojë një ditë tjetër me trafik të rënduar. Banorët e kryeqytetit, sidomos ata që kanë lëvizur me makina, janë bllokuar në trafik, për shkak të bllokimit të rrugës para PS-së. Për t’i paraprirë kësaj situate, Bashkia e Tiranës njoftoi ditën e shtunë të javës që lamë pas skemën e re të qarkullimit të mjeteve, në kuadër të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej”, me qëllim hapjen e kantierit të ndërtimit në pjesën jugore të sheshit. Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, duke iu referuar kësaj nënfaze aktuale të aplikimit të skemës së re të qarkullimit, ka sqaruar se fluksi i trafikut para selisë së PS-së tashmë do të rrjedhë përgjatë Unazës së Vogël, me një drejtim lëvizje. Sipas drejtorit të Transportit, kjo masë e ndërmarrë i përket nënfazës së dytë të kësaj faze të qarkullimit, ndërkohë që në një moment tjetër do të kryhet devijimi i plotë i trafikut para Bashkisë së Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve para godinës së Bashkisë, por do të lejohet qarkullimi i mjeteve që vijnë nga Rruga e Dibrës përpara 15-katëshit, duke mundësuar kështu kompletimin e infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Skënderbej”. Drejtori i Transportit, Punavija, ka sqaruar se kjo fazë e devijimit të trafikut është vetëm një hap larg skemës finale të qarkullimit që Bashkia e Tiranës po aplikon, ndërkohë që ai u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor, si dhe regjimin e ri semaforik të vendosur. Punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” janë në fazën e dytë, ndërsa aktualisht janë duke u intensifikuar punimet për infrastrukturën nëntokësore në Rrugën e Dibrës, konkretisht në segmentin që kalon midis hotel “Tiranës” dhe Pallatit të Kulturës. Me të përfunduar këto punime, ky aks do të hapet për lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë, lëvizja do të devijohet në krahun jugor të sheshit, ku mjetet nuk do të kalojnë më përpara Pallatit të Kulturës, por do të lëvizin pas Bashkisë dhe do të futen në rrugën “Abdi Toptani” për të dalë në Unazën e Vogël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›