Vdes nga zjarri, Berisha, mesazh ngushëllimi familjes Cena
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Kujtim Cena, i cili humbi jetën gjatë një zjarri që ra në banesën e tij, në fshatin Buxhon, të komunës Fierzë, në Pukë, si pasojë e një defekti në linjën e energjisë elektrike. Në ngushëllimin e tij, Kryeministri Berisha shprehet: “Të nderuar familjarë të të ndjerit Kujtim Cena. Vdekja tragjike e Kujtimit, birit, babait, bashkëshortit dhe prindit tuaj të dashur dhe të paharruar, më ka prekur thellë mua dhe qeverinë shqiptare. Me këtë rast, ju shpreh juve ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë të plotë. Unë uroj gjithashtu që të lënduarit nga kjo ngjarje e hidhur të shërohen sa më shpejt, ndërsa shpirti i Kujtimit tuaj të shtrenjtë të gjejë paqen e merituar”.