E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngushtica e Amerikës

15-01-2012 / Nga Nouriel Roubini

Treguesit makroekonomikë të Shteteve të Bashkuara kanë qenë më të mira sesa pritej muajt e fundit. Numri i vendeve të punës është rritur. Treguesit për prodhimin dhe shërbimet janë përmirësuar. Edhe industria imobiliare (e banesave) ka dhënë disa shenja jete. Rritja e konsumit ka qenë relativisht elastike. Pavarësisht të gjitha këtyre të dhënave të favorshme, rritja ekonomike e SHBA-ve do të mbeten e dobët dhe do te ketë të njëjtën  tendencë përgjatë gjithë vitit 2012. Por, pse të gjitha këto lajme të mira, te dala kohët e fundit mbi ekonominë nuk mund të jenë të besueshme?
Së pari, konsumatorët e SHBA-ve mbeten të sfiduar nga të ardhurat dhe pasuria dhe të sforcuar nga borxhi. Të ardhurat e disponueshme kanë pasur një rritje modeste - pavarësisht stanjacionit – kjo rritje e vogël ka ardhur kryesisht si rezultat i shkurtimit të taksave dhe pagesave të transfertave. Por një rritje e tillë nuk është e qëndrueshme: eventualisht, pagesat e transfertave do të duhet të reduktohen dhe taksat do të duhet të rriten në mënyrë që të reduktohet deficiti fiskal. Të dhënat e fundit mbi konsumin tregojnë se ai është në rënie duke u krahasuar me disa muaj më parë.
Në të njëjtën kohë, rritja punësimit në SHBA është ende shumë e vogël për të ndikuar në ndonjë ndryshim të nivelit të papunësisë në tërësi dhe të të ardhurave nga punësimi. Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë mbi një bazë të qëndrueshme së paku 150.000 vende pune në muaj, vetëm për të stabilizuar shkallën e papunësisë. Më shumë se 40% e të papunëve janë tani të papunë afatgjatë, gjë që zvogëlon shanset e tyre për të  rifituar një punë të mirë. Në të vërtetë, firmat janë ende duke u përpjekur për të gjetur mënyra për të zvogëluar shpenzimet e shkaktuara nga punësimi.
Rritja e pabarazisë së të ardhurave do të kufizojë rritjen e konsumit, pasi shpërndarja e të ardhurave shkon nga ata që kanë  një prirje më të lartë për të shpenzuar (punëtorët dhe më pak të pasurit), tek ata që kanë një prirje  më të lartë  për të kursyer (korporatat dhe individët e pasur).
Për më tepër, rritja e kohëve të fundit e shpenzimeve për  investime (dhe imobiliare) do të përfundojë, me perspektivat e errëta për 2012-n, pas përfundimit të përfitimeve tatimore, firmat do të presin sa te kalojnë edhe të ashtuquajturat "rreziqet potenciale" (probabiliteti i ulët, ngjarje me impakt të lartë) dhe kërkesa e pamjaftueshme mban peng kapacitetin e përdorimit të normave.  Kapitali do të vazhdojë të shpenzohet në drejtim të teknologjive që kursejnë vende pune, duke nënkuptuar kështu krijimin e kufizuar të vendeve të punës.
Në të njëjtën kohë, edhe pas gjashtë viteve në recesion sektori i banesave ( ku përfshihen ndërtimi, shitja dhe blerja e shtëpive), do të jetë përsëri në koma. Me rënien e kërkesës për shtëpi të reja me 80% krahasuar me kulmin, rregullatorët e çmimeve në rënie ka gjasa të vazhdojnë edhe në vitin 2012, ashtu si edhe oferta për shtëpi  të reja dhe ekzistuese vazhdon të jetë më e madhe se kërkesa.  Kështu, rrethi vicioz i humbjes së kolateralit dhe çmimeve gjithmonë e në ulje ka gjasa të vazhdojë - dhe, me kaq shumë shtëpi të marra me kredi, besimi te konsumatori, megjithëse po përmirësohet, prapë do të mbetet i dobët.
Duke pasur parasysh rritjen e dobët të kërkesës së brendshme, mundësia e vetme e Amerikës për të patur një nivel më të madh të rritjes së saj ekonomike do të jetë reduktimi i deficitit të saj të mëdha tregtar. Por eksporti neto do të ndikojë mjaft në vitin 2012, për disa arsye: • Dollari do të duhej të dobësohej më tej, po kjo gjë zor se do të ndodh,  për shkak se shumë banka të tjera qendrore kanë aplikuar një "lehtësim sasior" duke ndjekur Sistemin e Rezervave Federale dhe se euro ka të ngjarë të mbetet nën presionin e dobësimit të vazhdueshëm, ndërsa Kina dhe të tjera tregje në zhvillim ende vazhdojnë të ndërhyjnë në mënyrë agresive për të parandaluar që monedhat e tyre të pësojnë një rritje shumë të shpejtë. • rritja e ngadaltë në shumë ekonomi të përparuara, në Kinë dhe në tregjet e tjera në zhvillim do të thotë kërkesë më e ulët për eksportet amerikane. • Çmimi i naftës ka gjasa të mbetet i lartë, duke pasur parasysh rreziqet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, duke bërë që për importin e energjisë, SHBA-të të paguajnë një faturë të lartë.
Vështirë se politika amerikane do të gjejë shpëtim. Në të kundërt, do të ketë pengesa të konsiderueshme fiskale në vitin 2012 dhe bllokimi i politikave në prag të zgjedhjeve presidenciale në nëntor, do të pengojë autoritetet për adresimin e çështjeve  fiskale në mënyrë afatgjatë.
Duke pasur parasysh rezultatet pesimiste  për rritjen ekonomike të SHBA-ve, nga Fed. (Sistemi i Rezervave Federale, kështu quhet Banka Qendrore Amerikane) mund të pritet të ndërmarrë një raund tjetër të “lehtësimit sasior”. Por Fed. gjithashtu ballafaqohet me kufizimet politike prandaj do të bëjë shumë pak dhe do të lëvizë shumë vonë për të ndihmuar ekonominë në mënyrë të konsiderueshme. Për më tepër, një pakicë e zhurmshme në Komitetin Federal të Tregut të Hapur të Fed-it është kundër lehtësimit të mëtejshëm. Në çdo rast, politikat monetare nuk mund të merren vetëm me  problemet e likuiditetit. Çka është më e rëndësishmja, SHBA-të - dhe shumë ekonomi të tjera të përparuara - mbeten në fazat e para të një cikli larje borxhesh. Një recesion i shkaktuar nga shumë borxhe (në fillim në sektorin privat, dhe pastaj në fletët e bilancit publik) do të kërkojë një periudhë të gjatë ku të shpenzohet më pak dhe të kursehet më shumë. Edhe ky vit  nuk do të jetë ndryshe. Së fundi, janë ato “rreziqet potenciale” që i bëjnë investitorët, korporatat, dhe konsumatorët “super” të kujdesshëm: eurozona, ku ristrukturimi i borxhit - ose më keq akoma, shpërbërja – janë rreziqe me pasoja të sistemit, rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, rreziqet gjeo-politike të tilla si Pranvera arabe, konfrontimi ushtarak me Iranin, paqëndrueshmëria në Afganistan dhe Pakistan, vijimësia e pushtetit në Korenë e Veriut, tranzicioni i udhëheqjes në Kinë dhe pasojat e një ngadalësimi global ekonomik. Duke pasur parasysh të gjitha këto rreziqe të mëdha dhe të vogla, bizneset, konsumatorët dhe investitorët kanë një stimul të fortë për të pritur dhe për vepruar pak. Problemi, natyrisht, është se kur mjaft njerëzit presin dhe nuk veprojnë, ata rrisin rreziqet të cilat po përpiqen të shmangin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›