Një javë para krimit të Edi Ramës
Mbeten pak ditë që Edi Rama të bëjë një show të ri në kryeqytet. I ka false të gjitha përbetimet se është një europianist i kulluar. Jo vetëm që janë autolëvdata, me të cilat është mësuar që në moshë puberteti, por ato janë bërë, tashmë, të pabesueshme, madje të pagëlltitshme, edhe brenda radhëve të partisë së tij. Kundërvënësit e akuzuan se kishte përdhosur nenin 28 të statutit të PS-së. Ky nen shërbeu vetëm sa për të sfiduar kryetarin e mëparshëm të PS-së. Të tjerat, janë rrjedhojë e një modifikimi në interes të tij, të një neni të statutit që do të ishte efektiv vetëm në funksion të vënies së pushtetit vetjak në dorë, paçka se dështimet e tij të njëpasnjëshme qenë më të renda se ai i F. Nanos, në vitin 2005. Pastaj ky ambcioz, që e kishte filluar karrierën me “antikomunizmin” e tij të skajshëm, kaloi në anën tjetër të polarizimit politik, duke u bërë drejtuesi i atyre të cilët i kishte mallkuar dhe dënuar me vdekje në një libër që u bë dëshmia e inkoherencës së tij skandaloze. Libri i dytë, “Kurbani”, është i hallakatur me justifikimin e një demonstrimi të forcës përmes një mitingu të përgjakshëm, me dy data të kobshme: 20 janar 2011 dhe 21 janar 2011. “21 janari“ në këtë libër nuk përmbahet në një kapitull të caktuar të librit, por është i shpërndarë në të gjithë kapitujt, sikundër edhe të gjitha temat e tjera,për të cilat shkruhet, kur autori kujtohet se ka harruar diçka, në të gjithë librin. Prandaj tipari kryesor i këtij vëllimi është përsëritja pa kriter, me po ato mllefe, me po ato sharje, me po ato lavde për vetveten. UN-i i mërzitshëm i autorit dhe fjalitë që dihet se ku fillojnë por nuk dallohen dot se kur mbarojnë, e bëjnë librin thuajse të pakuptueshëm dhe, më të shumtën e herës, të palexueshëm. Megalomania, që është tipar i një sëmundje të hershme mendore, e bën që të mburret edhe për gjuhën, “një obsesion për gjuhën e njësuar”, - siç thotë. Por ç’mund të thonë gjuhëtarët, nëse do të kenë durimin të lëxojnë ato shpikje neologjizmash të kundërstandardit, si “indiferentizuar”, “burime të aksesueshme”, “dinamitim kriminal”, e mos të themi të tjerat, se janë më shumë se 70! Kapitujt janë fiktivë dhe libri në vetvete nuk merret vesh se ç’është: një esé, një libër që i takon memorialistikës, një polemikë mllefesh, një libër vetëmburrjesh, një libër në të cilin synon të bëjë të besueshëm makthin e tij që të bardhën ta nxijë dhe të zezën ta shndërrojë në të bardhë... Këtë që kemi përmendur në fund ai e ka bërë për të përligjur 21 janarin si një demonstratë si të gjitha të tjerat, ndërsa ajo është përgatitur me synime kriminale.
***
Për 21 janarin autori i këtij pështjellimi, që e ka quajtur “vepër”, kërkon që krimin e përgatitur t’ua veshë kundërshtarëve të vet politikë. Së pari le të shohim një mashtrim kapadaillëku, që s’na prish shumë punë, por që tregon “mendjen e madhe , të zezën e të zot”. Ishalla jetësohet ky lokucion edhe në këtë rast. Dhe sa më shpejt, aq më mirë për interes të vendit.
Në “kapituj” të ndryshëm thuhet se manifestuesit e 11 janarit ishin disa qindra mijëra! Grandomania përcjell pështjellimet e këtyre shkresurinave (që përbëjnë të 442 fletët e “Kurbanit”). Sa qindra mija? 4, 7, 9, që të mos themi 20, 30, 40? Le ta nisim nga shifrat e vogla. A e ka parasysh njeriu haluçinant, që sheh ëndrra në diell, se është fjala për 400.000, 700.000, 900.000 veta?! Edhe në manifestimet e mëparshme, me kapadainjtë e paneleve të majta, Artan Hoxha, që ka pas qenë fitues olimpiadash të matematikës që kur ishte maturant, ua kishte llogaritur kolegëve përballë të bisedës televizive, me individë që mund të rrinin në 1 m², me sipërfaqen tërësore që zënë këta njerëz dhe me herësin e syprinës së kësaj të fundit me shifrën e parë (njerëz për m²), se numri mburracak i tyre ishte i shumëfishuar së tepërmi, por jo me budallallëkun e qindramijërave, amà! Kjo, sa për hyrje të kundërthënieve në të cilat mund të bjerë njeriu që mashtrimet i ka në majë të gjuhës. Aq më tepër kur thotë, në “kapituj” të tjerë, se policia kishte penguar një numër të madh demonstruesish të mbërrinin përpara kryeministrisë. Nga ana tjetër, sa vend do të kishin zënë ata qindra mijëra, që do të kishin bllokuar mjaft sehirxhinj të zakonshëm të afronin makinat e tyre e t’i vendosnin buzës së trotuareve, kur në një mjedis të tillë nuk do të kalonte dot gjilpëra, palé vetura? Vërtetësia e pranisë së këtyre makinave provohet me djegien e tyre nga njerëz të xhindosur, të porositur për ta bërë atmosferën sa më të nxehtë!
Tani, le të vijmë te 20 janari dhe te 21-shi. Nuk mund të kontestohet se datat e këtyre mitingjeve, koha e fillimit dhe e mbarimit, parullat që do të lëshoheshin, qëndrimi që do të mbahej, e të tjera e të tjera, sakatoheshin nga E.Rama dhe nga skush tjetër! Asgjë nuk mund të bëhej pa të plotfuqishmin e opozitës, Edvin Ramën. Edhe lekët që merreshin nga protestuesit me borderotë e Fiqri Xibrit, (që i kemi parë të filmuara), nuk bëheshin me paret e të ashtuquajturit sindikalist, por me paret e fukarait Edi (Se nga i gjente ai, është për t’u menduar!). Në faqet e “kapitujve” të ndryshëm për 21 janarin, kërkohet të na hidhet hi syve se ky manifestim ishte thuajse spontan! Një mashtrim i vetëkuptueshëm. Kur thuhet nga E. Rama, që më 20 janar, se situata mund të dilte jashtë kontrollit, kjo frazë tronditëse zbërthehet me zëvendësimin e saj me “kam dhënë urdhër që situata të dalë jashtë kontrollit”. A mund ta nxirrte jashtë kontrollit një individ tjetër, përveç tij? Duke qenë titullar i vetëm i këtij operacioni (jo si në çështjen e ndërhyrjes së parkut “Rinia”, kur titullari ishte kolonel Mit’hat Havari dhe Edi ishte bira e fundit e kavallit!), pra, në këtë rast si titullar i vetëm, ai e kishte edhe mundësinë e ndërprerjes së kësaj mësymjeje kriminale të 21 janarit, kur rojat rrethuese të selisë kryeministrore nuk e kishin humbur ende durimin, domethënë kur hanin kalldrëme rrugësh, hunj dhe bomba Molotov dhe nuk luanin nga vendi! Vërtet drejtori i ministrisë së Brendshme, z. Burgaj, i ngarkuar për ruajtjen e selisë, i kishte me hak lavdet e faktorit ndërkombëtar dhe posaçërisht të ambasadorit amerikan, z. Aleksandër Arvizu. Në njërin nga “kapitujt” e “Kurbanit” përmendet ky drejtor drejtorie profesionist, ndërsa në “kapituj” të tjerë, përmendet z. Lulzim Basha. Se ishte në paragjykimin e autorit të ngjarjes pikërisht L. Basha, që duhej trajtuar si vrasës! Duket se miqtë tanë ndërkombëtarë e dinin më mirë se E. Rama se cili e kishte përgjegjësinë e trupave mbrojtës të objektit të sulmuar gjer në shpërthimin e portës së hekurt të kangjellave me një automjet mësymës! L.Basha ka të drejtë ta padisë ligjërisht si mashtrues dhe si shpifës E. Ramën se ka shkruar me shkrim, e zezë në të bardhë, një mashtrim, kur e përmend si vrasës z. Basha dhe kërkon të nxjerrë përfitime zgjedhore nga kjo rrenë, që del po nga vetvetja, kur ia nxjerr kokën gënjeshtrës me kundërthënien që del nga njohja e faktit se përgjegjësi i ruajtjes së kryeministrisë ishte z. Burgaj! Por edhe z, Burgaj përmendet me elozhet e merituara për gjakftohtësinë që ka treguar në rrethana të jashtëzakonshme. E. Rama është me imunitet si kryetar partie. Por do të mjaftonte që t’u shpjegonte organeve hetimore domethënien e asaj deklaratës mortore të 20 shtatorit dhe t’i thuhej “Përse s’e shmange? Do të mjaftonte një urdhër në celular!”. Ky është thelbi i krimit. Analiza do të çonte te autori i krimit. “Kurbani” është tepër i hallakatur dhe i pabesueshëm, që ta nxjerrë të larë e të shplarë autorin e vërtetëtë të krimit! Tani, ora 14 kur mbarova këtë shkrim, u dha lajmi se ambasadori amerikan kishte porositur personat e shtetësisë amerikane që, më 21, të jenë larg tubimeve të këtij 21 janari. Ky është premtuar si paqësor. Domethënien nuk e ka të vështirë ta nxjerrë vetë lexuesi.