E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi i vërtetë i Romnit

15-01-2012 / Nga Fareed Zakaria (CNN)

Pavarësisht energjisë së jashtëzakonshme të “Tea Party” gjatë vitit të kaluar, me shumë gjasa ish-guvernatori i Masaçustesit, Mit Romni, do të bëhet kandidati zyrtar i republikanëve për zgjedhjet presidenciale. Si përfundim, republikanët po ndjekin një model të njohur: Nominimi i kandidatit kryesor që ka pritur ditën e tij. Kjo është partia që ka pasur një Bush ose një Dole si kandidatë për President/zv/President në 20-vjet. Është një parti që po ashtu ka pasur Riçard Niksonin si kandidat për President në 20 vjet. Në 2011-2012 ne mësuam se pasioni i “Tea Party” nuk ishte i mjaftueshëm për të ndryshuar Partinë Republikane. Mirëpo, diçka tjetër po e ndryshon atë, këtë mund ta shikoni në reklamat kritike të kundërshtarëve të Romnit. Kundërshtarët e Romit po e kritikojnë në dy nivele. Së pari, ata e kanë quajtur “i moderuari i Masaçustesit”. Pas vendosjes së këtij epiteti, kundërshtarët e Romnit treguan me gisht qëndrime specifike të tijat që devijojnë nga ortodoksia partiake: plani për kujdesin shëndetësor i Romnit është jashtëzakonisht i ngjashëm me atë të Obamës; Qëndrimet e Romnit ndaj abortit dhe homoseksualizmit kanë qenë shumë më liberale nga ç’janë tani, etj. Edhe pse kjo duket si një linjë sulmi të hapur me lidhje logjike (në fund të fundit, Romni e ka përshkruar vetë veten si i moderuar), duket sikur nuk po ngjit në popull. Kjo mbase vjen ngase votuesit mendojnë se Romni do të ishte më praktik në zgjedhjet e përgjithshme. Ndoshta ata mendojnë se Romni me të vërtetë ka ndryshuar mendje. Apo ndoshta ata s’duan t’ia dinë për ndrysho-mendjet e tij (shpesh mendoj se aktivistët e vendosur përgjithësisht pëlqejnë faktin që ti ua kënaq dëshirat; kjo u jep atyre një ndjenjë fuqie). Në vend të kësaj, një linjë e dytë sulmesh kundër Romnit ka ngjitur gjithnjë e më shumë - ajo e Romnit si vrasës i vendeve të punës apo e Romnit si person i kapitalit privat, i cili blen kompanitë, “nxjerr në rrugë” një pjesë të mirë të punëtorëve dhe kontrakton detyrat. Është e habitshme se si një sulm i këtij lloji vjen në zgjedhjet e kandidatëve për president të republikanëve. Në fund të fundit, ajo çka ka bërë Romni teksa ishte tek “Bain Capital” ishte diçka klasike kapitaliste: “shkatërrim krijues”. Ai mori në dorëzim biznese dhe u përpoq t?i bënte më produktive dhe të frytshme. Për ta bërë këtë, atij shpesh i është dashur të largojë njerëz nga puna. Republikanët duhet të ngenë në qiell punën paraardhëse të Romnit si një shembull se si funksionon tregu - përzënia e paefektshmërisë, gjenerimi i produktivitetit dhe krijimi i një makine kapitaliste të ligë dhe zemërngushtë. Fakti që e kaluara e Romnit është kthyer në një front sulmi tregon që diçka ka ndryshuar në Amerikë. Edhe në Partinë Republikane madje, ekziston shqetësim i madh lidhur me ndikimin e globalizimit dhe ndryshimit teknologjik mbi klasën e mesme amerikane. Ekziston ndjenja se për punëtorin e mesëm amerikan, sistemi nuk po funksionon. Nëse ktheni kokën pas dhe shikoni krijimin e vendeve të punës në 20-25 vitet e fundit në Amerikë, do të vëreni se ne nuk kemi qenë të zotët të krijojmë ndonjë vend të ri pune në atë që quhet “sektor tregtar” i ekonomisë - ato vende pune që janë subjekt i konkurrencës globale. Të vetmet vende të reja pune që kemi krijuar kanë qenë në industrinë e kujdesit mjekësor, qeverisjes, dhe ndërtimit, të cilat në thelb janë industri lokale, të mbrojtura nga konkurrenca globale. Ju s’mund të kontraktoni ndërtimin e një grataçiele tek një punëtor kinez. Amerika nuk ka qenë e zonja të krijojë vende pune në çfarëdo sektori që është subjekt i presioneve globale dhe teknologjike. Si rezultat, në mesin e amerikanëve ka ndjenja të mëdha zhgënjimi dhe pesimizmi. Asnjëri prej republikanëve nuk po trajton këtë problem me rëndësi jetike. Ata thjeshtë flasin lidhur me shkurtimin e shpenzimeve qeveritare athua se kjo do ta zgjidhë problemin e krijimit të industrive, mundësive të reja dhe vendeve të reja të punës. Thjeshtë ulja e shpenzimeve qeveritare, mua më duket si përgjigjja e papërshtatshme për një sfidë të madhe. Shpresojmë që gjatë zgjedhjeve të përgjithshme do të kemi një debat substancial kombëtar lidhur me mënyrën se si mund të krijohen vende të reja pune në Amerikë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›