Problemet me sistemin e Bolonjës, do të rishikohet Ligji i Arsimit të Lartë
Jonida Tashi
Kundërshtitë e studentëve për sistemin e Bolonjës kanë bërë që drejtuesit e universiteteve të kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Në vendin tonë sistemi 3+2 i Bolonjës ka sjellë mjaft probleme në arsimin e lartë, të cilat kohët e fundit janë shoqëruar me protesta të shumta nga ana e studentëve. Pikërisht për këtë arsye, profesorë të Universitetit të Tiranës janë mbledhur dje në një tryezë të përbashkët, në përfundim të së cilës janë shprehur për një rishikim të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili duhet të përputhet me ciklet e studimit. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, cikli i parë 3-vjeçar sipas Bolonjës, duhet të ndryshojë në varësi të fakulteteve, ashtu si e kanë dhe universitetet evropiane.
Deklarata
“Është mospërshtatja sipas Bolonjës i cikleve të studimit. Ministrat kur kanë nënshkruar Kartën e Bolonjës, kanë nënshkruar që cikli i parë i studimeve është të paktën tre vjet. Asnjë vend tjetër nuk e ka parashikuar që të jetë domosdoshmërisht dhe saktësisht tre vjet cikli i parë i studimeve. Kemi gjetur tashmë edhe përkrahje dhe mbështetje dhe nga Ministria e Arsimit, për të bërë rishikimet përkatëse të ligjit që të vijnë në përputhje me implementimin e procesit të Bolonjës”,- deklaroi Dhori Kule, pas mbarimit të mbledhjes me profesorët.
Në tryezën e rrumbullakët “Implementimi i Kartës së Bolonjës në Shqipëri”, organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe i Histori-Filologjisë ishin të pranishëm zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, zëvendësambasadori italian në Shqipëri, rektorë, dekanë dhe studentë. Përveç ciklit të parë 3-vjeçar, një tjetër problem që është konstatuar gjatë implementimit të Bolonjës, sipas rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), është se ciklet e studimit nuk mund të përballohen vetëm me buxhetin e shtetit. Për këtë arsye, Kule propozon që ciklet e dyta dhe të treta të menaxhohen nëpërmjet buxheteve të vetë universiteteve. “Ne kemi përqafuar masivizimin me të dy aktorët, universitetet publike dhe jo publike, por masivizimi në vetvete, nëse numri i studentëve në universitetet publike është dyfishuar, kjo kërkonte njëkohësisht dyfishim të buxhetit të shtetit”,- sqaron Kule.
Autonomia
Autonomia e plotë e universiteteve është një ndër kriteret bazë të procesit të Bolonjës, i cili nuk është arritur nga universitetet shqiptare. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule kërkoi nga qeveria dhënien e autonomisë financiare. “Vetë universitetet, ashtu sikurse premtoi kryeministri, duhet të kenë buxhetin e vet jashtë ngarkesës mësimore”,- u shpreh Kule. Disa nene të Ligjit të Arsimit të Lartë bien ndesh me kërkesat e implementimit të “Kartës së Bolonjës”, çka vështirëson edhe reformimin e plotë të universiteteve. “Universitetet kanë fituar diçka nga autonomia, por janë larg meritimit për vendimmarrje. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si miratohen stafet akademike, si miratohen strukturat, tarifat, se si miratohen kuotat me politikat që bën shteti që nuk i subvencionon në universitet”,- deklaroi dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj. Në vitin 2003, vende si Shqipëria dhe Serbia iu bashkuan Kartës së Bolonjës, ndërkohë që nga një studim i bërë në vitin 2004, është konstatuar se vetëm 33% e studentëve e kishin pranuar këtë sistem studimi, si një proces integrimi dhe liberalizimi për universitetet.
Sot, Dita Ndërkombëtare e Studentëve
Universiteti i Tiranës do të organizojë për herë të parë një aktivitet
Sot, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Studentëve”, Universiteti i Tiranës do të organizojë dy aktivitete, me pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit, Sali Berisha dhe ministrave të Arsimit dhe Kulturës përkatësisht, Myqerem Tafaj dhe Ferdinand Xhaferri. Në orën 10.00, në sallën e mbledhjeve të senatit në rektoratin e Universitetit të Tiranës, në prezencën e ministrit të Arsimit, Tafaj, kompania e telefonisë celulare AMC, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës do të akordojë 10 bursa për studentët e shkëlqyer. Ndërkohë, në orën 12, në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar do të zhvillohet një aktivitet festiv, i organizuar nga Universiteti i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar Studentor, ku do të marrin pjesë kryeministri Berisha, ministri i Arsimit, ministri i Kulturës, si edhe pjesa më e madhe e rektorëve të universiteteve në vend, nën kujdesin e veçantë të rektorit të UT-së, Dhori Kule. 17 nëntori është një ditë simbolike për studentët në mbarë botën. Kjo datë është shpallur Dita Ndërkombëtare e Studentëve. Origjina e saj është 17 nëntori 1939, kur forcat naziste, pas pushtimit të Çekosllovakisë ndaluan dhunshëm një protestë të zhvilluar në Universitetin e Pragës, duke ekzekutuar 9 studentë dhe duke dërguar 1200 të tjerë në kampe përqendrimi. Në vitin 1941, kjo datë u fiksua si Ditë Ndërkombëtare në Londër nga Këshilli Botëror Studentor. 17 nëntori do të lidhej më vonë edhe me dy ngjarje të ndryshme, në Greqi kur në vitin 1973 nisi protesta në Universitetin Politeknik të Athinës, çka shkaktoi rënien e regjimit ushtarak dhe në vitin 1989, sërish në Çekosllovaki, kur nisën protestat studentore që çuan në nisjen e revolucionit që rrëzoi regjimin komunist.
Me këtë rast, krahas qindra universiteteve në mbarë botën, Universiteti i Tiranës do të organizojë për herë të parë një aktivitet, për Ditën Ndërkombëtare të Studentëve.
17 Nentor 2009