E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çështja në Strasburg dhe Kushtetuese”

04/08/2011  Përjashtimi nga partia, deputetët Islami e Harasani paralajmërojnë Ramën

Ligjvënësit socialistë sqarojnë se presin formalizimin e vendimit e më pas të veprojnë

Në rast se përjashtohen nga partia deputetët Kastrot Islami dhe Andis Harasani do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Një lëvizje e tillë do të ndërmerret me qëllim që të jenë këto dy institucione të rëndësishme që të japin vlerësimin për një veprim të tillë të lidershipit socialist. Ndërkaq deputetët socialistë sqarojnë se ky hap, i cili pritet të ndërmerret pas vendimit për përjashtimin e tyre, ka për qëllim që të bëjë me dije jo vetëm opinionin publik shqiptar, por më së tepërmi atë ndërkombëtar se çfarë ndodh me ata individë që kanë mendim ndryshe nga ajo e drejtuesve, qofshin këto në pozitë, opozitë apo dhe në sektorë të ndryshëm.

Qëndrimi

Përmes një prononcimi të shkurtër deputeti Andis Harasani bëri me dije lidhur me qëndrimin që do të mbajë ai dhe kolegu i tij, deputeti Kastriot Islami, nëse lidershipi socialistë do të formalizojë në shtator vendimin për largimin e tyre nga partia. “Ka shumë mundësi, ashtu siç na sugjeroi një eurodeputet, vendimi për përjashtimin nga partia të çohet në Gjykatën Kushtetuese dhe më tej në atë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Strasburg”, - vuri në dukje Harasani në reagimin e tij. Njëkohësisht, po në këtë linjë, deputeti socialist sqaroi më tej se “kjo është një ide e diskutuar që do ta rimarrim në shtator sapo Rama të marrë vendimin”. Gjithashtu sekretari për programin politik pranë PS-së nuk harroi të shpjegonte dhe arsyet pse do të ndërmerret një hap i tillë prej tij dhe deputetit Islami. “Ripërsëritim se një hap i tillë do të merret jo për të ndaluar Ramën të marrë veprimin, por për të treguar se çfarë ndodh me të gjithë ata që kanë mendim ndryshe në Shqipëri edhe kur ata veprojnë për integrimin evropian të vendit”, - vlerësoi Harasani lidhur me një çështje të tillë.

Kritika

Njëkohësisht deputeti socialist i mëshoi me forcë faktit se ndërfaktorizimi i një çështjeje të tillë, pra i largimit nga partia, lidhet pikërisht me faktin se është e papranueshme që të penalizohen ligjvënësit për shkak se votojnë ligje në Kuvend që lidhen me proceset integruese. “Ne nuk duam dhe nuk jemi naivë të kujtojmë se demarshi ynë do të ndalonte dorën e Ramës të qëllonte mbi ne, por thjesht kërkojmë që Parlamenti Evropian të kuptojë se në Partinë Socialiste kryetari Edi Rama të përjashton nga partia po të jesh kundër bojkotit dhe të shkosh në Kuvend për të votuar ligjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit”, - u shpreh deputeti socialist Andis Harasani.

Porositë e Ramës

Pas humbjes së postit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës kreu socialist Edi Rama u ka kushtuar rëndësi të veçantë porosive për të zgjedhurit vendorë të kësaj force politike, pa harruar këtu dhe për detyrat për ligjvënësit socialistë. Ndër të tjera në këto porosi bën pjesë dhe respektimi i atyre rregullave që diktohen nga lidershipi socialist. Kështu, duke dashur të jenë sa më të qarta këto direktiva, kreu i PS-së merr si shembull pikërisht qëndrimet e deputetëve Andis Harasani e Kastriot Islami, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me vendimet politike, duke sjellë dhe penalizimin e tyre. Por ky penalizim, që pritet të shkojë deri në largimin nga partia, ka filluar të artikulohet gjithnjë e më shumë në selinë rozë. Pak ditë me parë përmes postës elektronike Rama përveç porosive për ndërtimin e administratës u kujtoi krerëve të bashkive dhe të komunave dhe pritshmëritë për secilin që kundërshton vendimet. Por artikulimi i qartë mbi një çështje të tillë e ka zanafillën në takimin e 28 korrikut në Sarandë, kur Rama u takua me të gjithë të zgjedhurit në krye të bashkive të vendit në zgjedhjet e 8 majit. Në këtë takim Rama ka dhënë porosi për mënyrën se si duhet të drejtojnë dhe si duhet të sillen të sapozgjedhurit, në një kohë që qeveria ka prerë fondet për bashkitë e përfaqësuara nga e majta. Mësohet se temë e diskutimit ka qenë edhe formalizimi i vetëpërjashtimit të Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit në nisje të sezonit të ri parlamentar, me argumentimin për thyerje të shpeshta të vendimeve politike të grupit dhe për qëndrime të hapura favorizuese ndaj pushtetit. Tashmë pritet që në muajin e ardhshëm të kemi një qëndrim konkret mbi këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›