Nigeria s’na ka njohur
Autoritetet kosovare vazhdojnë ta numërojnë edhe më tej Nigerinë, si një nga shtetet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministria e Jashtme e Kosovës këtë shtet afrikan e ka të radhitur në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë, edhe dihet tashmë se letra që ka ardhur nga Abuja nuk konsiderohet njohje.
Faktin që Nigeria nuk e ka njohur pavarësinë e ka konfirmuar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, kohë më parë.
Për më tepër, mosnjohja është konfirmuar edhe nga Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Olugbenga Ashiru.
Me kryediplomatin nigerian, gazeta Express ka kontaktuar përmes telefonit duke e pyetur se a ka marrë vendi i tij ndonjë vendim për të njohur Kosovën.
Përgjigjja ka qenë negative.
“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për këtë”, ka thënë Ashiru në një prononcim të shkurtër.
Reagimet më të ashpra pasi Express ka publikuar lajmin për mosnjohjen nga Nigeria, kanë ardhur nga Behgjet Pacolli.
Pacolli ka akuzuar gazetën se nuk ka komunikuar fare me diplomatin e Nigerisë duke theksuar se artikulli përbën një rast tipik për prokurorinë.
Sido që të jetë, Zëvendëskryeministri i Parë i ngarkuar me çështjen e lobimit është demantuar nga prononcimi i kryediplomatit nigerian, i cili ka thënë se vendi i tij nuk ka marrë vendim për njohje.
Express kishte pyetur Ashirun po ashtu nëse ka pasur bisedime për çështjen e njohjes me Pacollin, por ai e ka mohuar këtë.
“Ne nuk jemi duke diskutuar me askënd për këtë”, ka thënë Oshiru.
Pavarësisht kësaj, Pacolli ka vazhduar ta trajtojë letrën e Nigerisë si njohje. Ai madje ka akuzuar Ministrinë e Jashtme se nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me këtë shtet.
Konfliktet e tij për çështjen e njohjeve, Pacolli nuk i ka ndalur vetëm me çështjen e Nigerisë.
Ai është përplasur me Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, edhe rreth shtetit afrikan të Malit, i cili doli se nuk e ka njohur pavarësinë, edhe pse një notë verbale kishte ardhur nga ky shtet.
Pacolli kishte prezantuar njohjen në një konferencë për media, derisa nga Mali kishte ardhur një njoftim se nota verbale është falsifikuar.
Kjo kishte shtyrë Ministrin Hoxhaj të deklarojë se njohja nga Mali nuk ka ndodhur asnjëherë.
Kjo ka irituar Pacollin, derisa në anën e tij është pozicionuar edhe Kryeministri Thaçi duke thënë se Mali kishte marrë vendim për njohje.