E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastro - Jam i vërtetë dhe pa komplekse përballë injorancës



klotilda harka

Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, në këtë intervistë flet se si ndihet pas ndarjes nga Jola, bashkëpunimet e reja me këngëtarë kosovarë, dhe ambicia për karrierë televizive në Prishtinë. 26 vjeçari pohon gjithashtu se asnjëherë s’do të heqë dorë nga martesa.
Klevis jeni zhvendosur në Kosovë këto kohë, ka ndonjë lidhje kjo me divorcin tuaj apo ishte një projekt i mëparshëm?
Jo kishte kohë që e mendoja një transferim të tillë. Isha në dilemë për një vendosje timen midis Londrës dhe Romës, por në fund vendosa Kosovën sepse është e njëjta gjuhë dhe gjithmonë më ka interesuar ai mentalitet. Ndërkohë që këtu jam duke u marrë me një punë me kreative dhe më të qetë. Jam regjisor i dy emisioneve në “RTV 21” dhe së shpejti filloj një emision timin në orët e vona. Jam komod dhe shumë i qetë në këtë frymë të re.
Pse ky vendim pikërisht në këtë moment delikat të jetës suaj, jeni zhgënjyer nga Tirana?
Jo, por më duhej një ajër i ri më i pastër, madje Tiranës i kam vjelur shumë dhe shumë do t’i vjel por ndonjëherë të njëjtët njerëz duke i parë çdo ditë të mërziten...
Edhe bashkëpunimet në muzikë i keni nisur me kosovaret, si për shembull me Zanfina Ismajlin. Si po shkon puna me klipin, dhe çfarë detajesh mund të thoni?
Po, përveç Zanfinës bashkëpunoj me Rona Nishliun dhe Arbëresha Hajdarin. Me Zanfinën këto ditë xhirojmë klipin, ku ajo do të mund të jetë një perandoreshë egjiptiane, ndërsa unë një perandor. Me Ronën kemi diçka më okulte, por që me siguri do të bëjë bujë...
Keni nisur një kapitull të ri të jetës kështu, po martesa juaj a mund të quhet tashmë një kapitull i mbyllyr?
Po, me plot gojën. Dhe sigurisht martesa ime tashmë është një histori e kaluar.
Bashkëshortja juaj Jola ju ka cilësuar ju fajtor në këtë ndarje, në një intervistë që dha një javë më pare në gazetën “Panorama”. Keni ndonjë koment?
Të them të drejtën nuk e kam lexuar artikullin. Miq të ndryshëm më kanë folur pak… Gjithsesi do të thoja që çfarëdo që ajo thotë tashmë për mua nuk përbën asnjë lloj rëndësie. Njerëzit mendoj që janë aq të zgjuar sa mund ta kuptojnë Kastron apo Klevin e vërtetë...Unë jam, kam qenë dhe do të mbetem një njeri i vërtetë dhe pa komplekse kundrejt injorancës...
Kush është “injoranca” në këtë mes?
Ata që e ndiejnë veten të zgjuar...
E ke fjalën për Jolën?
Jo, nuk e kam fjalën për Jolën. Për atë nuk dua të flas fare. Ju thashë tashmë nuk përbën asnjë rëndësi përveçse respektit, që ka si nëna e fëmijës tim.
Por edhe pse ju jeni babai i fëmijës, ju ka cilësuar paranojak, xheloz dhe pijanec. Përse e ka bërë?
Atë nuk e di. Por, të jeni të bindur që ofendimet ndaj meje i peshojnë asaj më shumë. Jua përsëris, njerëzit nuk janë budallenj. Ata dinë ta ndajnë se kush është torta dhe kush ka dëshirë të hajë diçka të ëmbël...
Atëherë pse u ndatë, çfarë ndodhi?
Sepse vjen një moment që njerëzit gabojnë. Jetojmë në një epokë individuale, egoiste… Njerëzit nuk janë më të lidhur si dikur, gjërat kalohen, injorohen dhe kështu dalëngadalë krijojnë hendeqe antivlerash derisa thjesht ndahen. Ndonjëherë është dhe zgjidhja më e mirë...
Thuhet se largimi juaj nga Tirana ka qenë një zgjidhje e momentit për të shmangur seancat gjyqësore në Gjykatë. është e vërtetë?
Jo. Madje thjesht i injoroj, me to merret avokati im. Por nuk mendoj se do ketë shumë seanca pasi gjërat janë të qarta tashmë.
Për djalin tuaj do kërkosh kujdestarinë, apo jo?
Jo, sepse unë ndryshe nga ndonjë tjetër kam respekt të veçantë për prindin, dhe Dankan është shumë i lidhur me të. Dhe sigurisht që unë nuk dua t’i privoj asaj atë, madje ndihem i lumtur dhe në duar të sigurta që do qëndrojë me nënën e tij.
çfarë nëne dhe bashkëshorteje ishte Jola?
Një nënë shumë e mirë dhe një grua që nuk ishte gati të përballej me jetën...
Pak më sipër folëm për një kapitull të ri që ka nisur në jetën tuaj. Ndonjë histori e re dashurie?
Jo,nuk do të thoja...
Moshatarët tuaj ndoshta nuk e mendojnë fare martesën, ndërsa ju keni një eksperiencë divorci. Pas kësaj do tentoni sërish martesën?
Në një moment të përshtatshëm po, pse jo?! Ende në mendjen time martesa është diçka e shenjtë, që nuk duhet abuzuar. Thjesht këtë rradhë do më duhet të gjej personin e duhur, atë të cilin trupi e shpirti do të qajnë kur e kanë afër se e dinë që për pak do të ikin, atë të cilin do ta bëjë të qajë fakti që ndjenjat e mia do të jenë më të mëdha… atë femër që duke e shtrënguar fort te flokët të rënkojë për shpagim ndjesor..atë që do të më dhurojë ledhatime dhe në sy e buzë të më thotë “TE DUA”!... Deri atë ditë unë do të kërkoj, do të bie në gjurmët e saj, do ndjek intuitën time më të pjekur tashmë, do të frymoj thellë pas aromës që këto ditë po më çon drejt një toke të panjohur, të mbushur plot me pemë që kërkojnë t’u korren frutat!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›