E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emocion dhe tension në programin tonë të parë live



Ermira Shpetimi

Tashmë janë në ekran dhe jo pak, por ditë për ditë, të impenjuar me programin “Dancing with the stars” i cili ka natën e spektaklit të enjten në darkë në ekranin e “Vizion +”. Gjatë javës, Adela drejton programin 30 minutësh ku tregohen provat e Vipave në palestër bashkë me balerinët përkatës, ndërsa të dielën, në orën 17 e 30 minuta janë në një transmetim live së bashku me Bjordin. Le të mësojmë më shumë rreth emocioneve të çiftit simpatik, të cilët realizuan më në fund ëndrrën e tyre.
Më në fund në ekran, në një program shumë interesant, si ndjeheni?
Adela: Ndjehem shumë mirë dhe mbi të gjitha jam e lumtur që arrita të bëhem pjesë e një spektakli të tillë, së bashku me Bjordin.
Ju e keni synuar gjithmonë botën e artit, të televizionit, a janë përmbushur ambiciet tuaja me daljet e pakta në ekran nga e hëna në të premte dhe me forumin e të dielës?
Adela: Mendoj se ishte fillimi ideal, sidomos për mua. Kjo ishte hera e parë që të gjithë ata që na kanë ndjekur në “Big Brother”, tani do të mund të na përcillnin përmes këtij programi, pra pika jonë e takimit, ose më saktë e ritakimit me ta, ishte pikërisht kjo. Jam e lumtur që jam përsëri pranë tyre.
Bjordi: Një takim i shumëpritur dhe emocionues ky, me fansat tanë po të mendoni sa shumë mesazhe merrnim përditë prej tyre. Ata na pyesnin se çfarë planesh kishim dhe ne nuk mund të tregonim asgjë pasi duhej ruajtur surpriza. Tani jemi prapë me ta.
Meqë jemi te fansat, si kanë qenë komentet e tyre të para pas programit të së dielës?
Adela: Shumë, shumë të ngrohta...Na kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme, madje më tepër nga ç’e prisnim.
Pse ju çfarë prisnit?
Bjordi: Ne prisnim që të na bënin edhe ndonjë vërejtje pasi herën e parë ka shumë gjëra për të kritikuar dhe korigjuar.
Ju çfarë difektesh gjetët te vetja juaj?
Adela: Personalisht në programin e së dielës kam qenë shumë e emocionuar. Madje më vinte keq që nuk arrija t’i fshihja këto emocione dhe mbi të gjitha kisha tension se si do të dilte programi. Por nga ana tjetër mendoj se disa mungesa tonat për shkak të mos eksperiencës, janë të justifikuara.
Bjordi: Problemi jonë, ose mbase edhe përparësia nëse dikush mund ta shohë edhe kështu, është se ne nuk dimë të shtiremi, të bëjmë gjasme, ne jemi spontanë dhe duam që edhe pasiguritë tona t’jua transmetojmë të tjerëve, pasi jemi humanë dhe si të tillë jemi të gabueshëm.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Vipat pjesëmarrës në spektakël?
Adela: Janë shumë të ngrohta, ju nuk mund ta imagjinoni sa të mirë janë ata, sa dashamirës janë me ne. Ne nuk i ndjejmë orët që kalojmë afër tyre dhe madje emocionohemi bashkë me ta për sfidën që i pret çdo të enjte kur bëhet skualifikimi. Por edhe autorët e këtij spektakli, si dhe producentja, na kanë krijuar një ambient shumë të ngrohtë dhe ne i falenderojmë me gjithë zemër për mbështetjen dhe dashamirësinë.
Me siguri që ju keni një të preferuar ndër konkurentët aty. Cili ose cila është ajo?
Bjordi dhe Adela: Ne pëlqejmë më shumë Landin, jo vetëm për faktin se ai është një kërcimtar shumë i mirë, ashtu siç dhe ju e keni parë, por në këtë rast jemi edhe pak subjektivë pasi atë e kemi shumë mik dhe do të donim që të fitonte ai.
Po ju vetë do kishit dashur të ishit pjesë e kësaj sfide?
Adela: Unë personalisht jo dhe për dy arsye: e para sepse jam lodhur nga sfidat dhe konkurenca në “Big Brother” dhe e dyta, se kërcimi nuk është një nga pikat e mia më të forta.
Ju thatë se ishit paksa në tension gjatë programit tuaj të parë live. Po në programet në vazhdim, a mendoni se do të jeni më të lirshëm?
Bjordi: Pa diskutim që po. Hera e parë ishte më e vështira për ne, sepse ne kishim një skaletë por jo një skenar të mirëfilltë për ta ndjekur në çdo presje të saj, për të mos cënuar natyrshmërinë e programit. Na është dashur edhe të improvizojmë por tashmë ne nuk do të jemi në një terren të pashkelur, gjë që do të na mundësojë ta zotërojmë më mirë situatën dhe të jemi më të çlirët.
Adela, të kesh Bjordin në krah në programin e të djelës, është një favor për ty apo një gjë që të vë në siklet?
Padyshim që është një favor dhe një siguri më shumë për mua. Ndjehem mirë me Bjordin dhe jam e lumtur që është me mua.
Në këtë mënyrë ju jeni 24 orë me njëri-tjetrin pasi krahas punës edhe jetoni bashkë. Sinqerisht na e thoni, a ka momente rutine mes jush?
Adela: Ju mendoni se duhet të ketë? Nuk e di se ç’ndodh në raste të ngjashme, por mes nesh ka një dashuri dhe mirëkuptim që rritet dita ditës. Jemi me fat që kemi njëri tjetrin.
Bjordi: Jam plotësisht dakord me Adelën, por kam edhe një vërejtje të cilën do ia them publikisht. Më bën të ndjehem aq mirë dhe aq rehat sa kam filluar të shtoj shumë në peshë (qesh).
Si është të jesh para kamerave të një programi televiziv në krahasim me kamerat që iu ndiqnin gjatë qëndrimit tuaj në “Big Brother”?
Adela: Ka një ndryshim shumë të madh dhe thelbësor madje. Në “Big Brother” ne thjesht jetonim jetën tonë, dhe me përjashtim të ditëve të para, më pas as që e mendonim se po vëzhgoheshim nga kamerat. Nëse e mban mendjen te kamerat, as nuk flet, as nuk reagon, me një fjalë nuk jeton. Ndërsa në një program televiziv, ka një përgjegjësi shumë të madhe pasi njerëzit presin të zbaviten dhe të kalojnë minuta të këndshme teksa të ndjekin në një program që ka një tematikë dhe objektiv të caktuar.
Në televizion po shfaqet “Big Brother 3”, një kuriozitet, ju a po e ndiqni?
Adela: Për mungesë kohe nuk arrijmë ta ndjekim aq sa do të dëshironim, por spektaklin e të shtunës e ndjekim të dy.
Dhe çfarë ndjeni?
Adela: Provoj akoma ankth dhe emocion kur ju bëjnë surpriza banorëve dhe kur vjen momenti i nominimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›