E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta Kurti vendos të bashkëjetojë me të fejuarin e saj, Dardanin



Nëse dikush e quan bashkëjetesën si një lloj martese që të çon deri në ndarje, dikush tjetër e sheh si mundësi për të forcuar lidhjen. Kështu, ditëve të fundit këngëtarja Teuta Kurti është vendosur në një apartament të ri së bashku me të fejuarin Dardanin. Për të ndenjur sa më shumë me njëri-tjetrin, çifti ka vendosur të jetojnë së bashku. Vajza e cila talentin e saj e zbuloi në një nga edicionet e “Etheve”, po ecën shumë e sigurtë në rrugën e suksesit. E njohur për paraqitjet e saja, stilin dhe veshjen e veçantë, Teuta Kurti së fundi ka realizuar një videoklip të ri. Edhe kësaj radhe ajo ka zgjedhur të bashkëpunojë me të fejuarin e saj Dardanin. “Ideja për realizimin e klipit ka qenë e Dardanit dhe është tejet interesante, diçka që nuk është parë më parë”. Teuta ka deklaruar se nuk preferon të shpenzojë shumë para për realizimin e klipeve, por mundohet që çdo klip të jetë i realizuar mirë dhe me shumë kujdes. Kënga e radhës e cila tashmë është vizualizuar me klip dhe po transmetohet nëpër televizione, mban titullin “Ty”. Për videoklipin e këngës është përkujdesur produksioni filmik “Vizioni”. Muzika e këngës është realizuar nga Faton Dolaku, ndërsa teksti është shkruar nga vetë këngëtarja. Kjo këngë është pjesë e albumit të parë të Teutës, i edituar vitin e kaluar. Teuta Kurti ishte pjesë e përhershme e emisionit “Oxygen”, i cili trasmetohet çdo javë në RTK dhe ka karakter argëtues, por ditëve të fundit shihet mungesa e këngëtares pasi ajo ka lënë këtë emision dhe është zëvendësuar nga këngëtarja Yllka Kuqi. Teuta gjithashtu ka sprovuar veten edhe në një fushë tjetër. Ka menduar të shkruajë tekste dhe duket se i’a ka dalur me sukses. Ka bërë tekstin e këngës së saj më të re, e cila është një baladë interesante dhe e lezetshme, sikur e quan vetë këngëtarja. “Kënga përmban në vete edhe disa ritme latine dhe është goxha e lezetshme”. Këngëtarja tashmë njihet për zërin karakteristik dhe është shumë e kërkuar nëpër evenimente në të cilat paraqitja bëhet vetëm “live”. Sa u përket angazhimeve të tjera, ajo thekson se tashmë është më shumë e fokusuar rreth studimeve, të cilat do t’i përfundojë shumë shpejt. Përfundimi i studimeve ka qenë një shkak kryesor i mungesës së këngëtares në disa evenimente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›