E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikaragua, aty ku gratë dhe vajzat ndëshkohen

Gra dhe vajza të keqtrajtuara, të dhunuara, të vrara me sëpatë. Statistikat e dhunës, kundër grave të Nikaraguas (sidomos krimit në familje) vazhdojnë të jenë tronditëse dhe të kenë përmasa gjigante. Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar dhunën në familje një problem të shëndetit publik.

21 për qind e popullsisë femërore nën moshën 15-vjeçare keqtrajtohet, ndërsa 19 për qind e femrave mbi moshën 19-vjeçare, sidomos në zonat rurale të vendit, ato shumë të varfra, ku femrat nuk studiojnë dhe kur kanë mbushur të 20-at, kanë shumë fëmijë për të rritur. "Këtu femrat ushqehen të fundit, pasi kanë ngrënë burri dhe fëmijët, sigurisht nëse ka mbetur gjë", tregon Jamila, 27 vjeçe, e cila ka 4 fëmijë, por që ka pasur fatin të punojë në një plantacion kafeje për pak dollarë në ditë, në një qytezë të vogël, pak orë larg Jinotega-s.

Shumë prej tyre janë nëna vetmitare dhe jetojnë në Managua, kryeqyteti i Nikaraguas, si dhe në qyteza të vogla të vendit. Ato jetojnë në baraka pa ujë dhe energji elektrike, në kushte higjienike që t‘i cilësosh të ndyra është shumë pak. "Banesat" e tyre janë shumë orë larg spitalit më të afërt, ku shpesh nuk ka mjek për të kuruar sëmundjet më të thjeshta. Edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira, këto gra arrijnë t‘i çojnë në shkollë fëmijët e tyre, pavarësisht se duhet të ngrihen pa zbardhur dita dhe të përshkojnë me këmbë kilometra e kilometra të tërë. Por, me gjithë kushtet e tyre të mjerueshme, uniformat që ata mbajnë, funde ose pantallona blu, shkëlqejnë nga pastërtia.

Gratë nikaraguase nuk janë vetëm viktima, madje shumë prej tyre, edhe pse në kushte të vështira ekonomike, punojnë si vullnetare për gratë e tjera dhe janë bërë pikë referimi e ndihmese për të gjithë komunitetin. "Jam bërë mbrojtësja e komunitetit", tregon Nina Cordoba, sepse dëshiroja të lija prapa eksperiencën time dhe të ndihmoja gratë e tjera. "Xhaxhai im më ka përdhunuar për vite me radhë, e kam ndier në lëkurë frikën dhe dëshpërimin. Tani e ndiej si detyrim që të ndihmoj gratë e tjera për të kaluar gjithë këtë tmerr. I këshilloj që ta denoncojnë dhunën, por edhe që të bashkohen me ne për të punuar dhe për të krijuar projekte të vogla". Fondacione të shumta që mbrojnë të drejtat e grave për vite me radhë kanë bërë shumë projekte për të ndihmuar gratë e Nikaraguas. Ato i kanë pajisur shkollat me materiale mësimore, si dhe kanë bërë aktivitete të vogla, duke i angazhuar gratë nikaraguase si sipërmarrëse. Gjithashtu fondacionet i kanë ndihmuar gratë që të bëhen bukëpjekëse, artizane, mamie për t‘u ardhur në ndihmë femrave që kanë nevojë të lindin, të cilat duhet të udhëtojnë me kilometra të tërë që të arrijnë në spitalin më të afërt. Mbi të gjitha shoqata mbështet prej vitesh gratë që denoncojnë dhunën. Në 2009-ën projekti parashikon të mbështesë 900 prej tyre që kanë denoncuar. Dhe jo vetëm kaq. Do të formohet një grup me 109 mbrojtëse, si Nina Cordoba, të cilat do të jenë fqinje të atyre që do të kërkojnë ndihmë, mbrojtje dhe ndërhyrjen e menjëhershme të "Komisariatit të femrave".

Në Nikaragua gratë e dhunuara e të keqtrajtuara kanë një institucion që kujdesen vetëm për to, pikërisht "Komisariatin e femrave", ku punojnë 24 orë në 24 të tjera police (jo meshkuj), ndërsa përkrah tyre qëndrojnë psikologe dhe hetuese që merren me pritjen, mbrojtjen e kujdesin e grave. "Punojmë për të ndaluar dhunën e meshkujve ndaj nesh", thekson komisarja e "Komisariatit të femrave". "Por, gjithashtu edhe për t‘u dhënë femrave një hapësirë të sigurt, si dhe për t‘i ndihmuar të mbrojnë paprekshmërinë e tyre fizike e psikologjike".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›