Rikthimi i "Gjeneralit" pas 32 vjetësh
Do t‘i rikthehet skenës pas më shumë se 30 vjetësh. I përpunuar, në një konceptim të ri, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" do ta ketë premierën të mërkurën në Teatrin e Operës dhe Baletit. Mbështetur mbi romanin e Ismail Kadaresë, koreografi Agron Aliaj sjell një gjuhë tjetër baleti, nën muzikën e përpunuar të kompozitorit Nikolla Zoraqi. Koreografja italiane, Laura Frigato, ka ardhur për të sjellë një gjuhë tjetër koreografike, ndërsa francezët Valerio Ferrari për skenografinë dhe Anne Brault për kostumet, kanë ardhur nga Franca. Personazhet, të ngritura në simbol në këtë version të ri, do të interpretohen nga solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledian Agalliaj, Diona Gjinika, Ezdalin Gorani, Manjola Hasani, trupa e baletit, Orkestra Simfonike e TKOB-it. Për të dirigjuar orkestrën vjen nga Kanadaja Bujar Llapaj. "Të prekje mitin e Gjeneralit, i shndërruar sa në dramatizime e bashkëprodhime të rralla për kohë, madje dhe të pakuptueshme për mentalitetet e nxitura artificialisht atëherë, duhej kapacitet po se po, por edhe shumë guxim. Të dyja këto cilësi ishin tepër intriguese për t‘i hyrë sprovës, por patjetër dhe mëdyshjes deri në fund. Ishte koha kur me zjarrin mund edhe të luhej, por duke llogaritur edhe mundësinë ekstreme", shprehet drejtori i TOB-it, Zhani Ciko, kur kujton vënien e ‘77-ës e flet për versionin e ri me të cilin ky balet do të vihet në skenë. Sipas tij, trinomi Kadare-Zoraqi-Aliaj, tashmë një krijimtari e ridimensionuar, përbën një garanci të rivlerësimit të veprave të dikurshme. Pas premierës së 11 marsit, vepra do të vazhdojë të shfaqet edhe më 12, 14 e 15 mars.