Imuniteti, Majko: Preçedent kushtetues, nuk e votojmë me 6 gusht

Nuk mund të ketë diskutim të Kushtetutës dy herë brenda një muaji, kjo është një lojë politike joserioze e mazhorancës. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh dhe ish-Kryeministër i vendit, Pandeli Majko në intervistën e mbrëmjes me gazetaren e Ora News, Etelina Nikolla. Majko u shpreh i prerë se nuk do të ketë votim të opozitës me 6 gusht për heqjen e imunitetit pa u diskutuar më parë propozimet e PS, pranohen apo nuk pranohen nga mazhoranca. Ne këtë kontekst ai përcakton si të mundshëm një votim nga opozita në cdo datë tjetër të përcaktuar, me përjashtim të 6 gushtit dhe vetëm pas diskutimit në publik të propozimeve të PS.
“Me 6 gusht unë do të jem në Kuvend sëbashku me grupin parlamentar të PS. Kjo dilemë që shtohet në fakt i duhet drejtuar si pyetje juristëve. Ajo që diskutohet sot nuk është kaq e thjeshtë. Kompromisi është realizuar, drafti është miratuar por pse opozita është e tërhequr në votim? Ne kemi një dyzim njerëzor dhe politik, a mundet që Kushtetuta të diskutohet 2 herë në një muaj, jemi të gatshëm të pezullojmë dhe pushimet dhe të diskutojmë për të. Është aluduar shumë se heqja dhe ndryshimi për heqjen e imunitetit është cështja bazë nëse Shqipëria do ta marrë apo jo statusin në vjeshtë. Ne po kërkojmë të diskutojmë propozimet shtesë edhe nëse këto do të kundërshtohen ne jemi të gatshëm që në një ditë tjetër të votojmë draftin e miratuar.Kjo histori është fryrë, duket se ka një opozitë që bën teka për të kundërshtuar, por në fakt cështja është e thjeshtë” u shpreh Majko.
Zvarritjen e votimit për imunitetin Majko mohon ta lindhë me cështjen për votimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi sipas tij realisht imuniteti është një cështje e mbyllur, ndërsa shton se kurrsesi nuk është një nga 12 prioritetet e BE dhe as ajo që vendos fatin e statusit për Shqipërinë.
“Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ne po kërkojmë të dëgjohemi në publik, na pranohen apo jo propozimet tona. Drafti është i mbyllur, historia po teoriset për një arsye tjetër. Dje deri diku dhe sot cështja e imuinitetit po diskutohet si cështje që do të vendosë fatin e Shqipërisë për marrjen e statusit. Njëherë në 2 muaj bëhet takimi i Shqipërisë me BE për 12 rekomandimet, ka një procesverbal ku diskutohet c`është realizuar dhe cfarë jo dhe përcaktohet axhenda për në vazhdim. Do të ishte më e ndershme që Qeveria të publikojë të gjithë procesverbalin e diskutimeve lidhur me rekomandimet dhe këto s`kanë të bëjnë fare me cështjen e imunitetit, janë një varg problemesh të tjera me shumë rëndësi. Ne nuk futemi në BE nëse heqim imunitetin e zyrtarëve. Po bëhet një lojë jo shumë serioze , që me 6 gusht do të bëhet ndarja e ditës me natën” tha ai.
Ish-Kryeministri i vendit e ka vlerësuar positive të gjithë frymën e bashkëpunimit për hartimin e draftit për imunitetet, duke e konsideruar një punë të mirë, ndërsa shtoi se lidhur me draftin janë sheshuar edhe mosmarrëveshjet brenda vetë grupit të PS, konkretisht me deputetin Erjon Brace, i cili kundërshtonte arrestimin e deputetëve.
“Nuk ishte e vështirë, kjo u ndihmua nga fakti se diskutimi u bë në publik dhe ju paraqit juristëve. Ne shmangëm që projekti që sillte PD dhe mbrohej nga PAKU, ku kërkonte heqjen edhe të imuniteteve të institucioneve që luftojnë korrupsionin të miratohej. Ka pasur një frymë bashkëpunimi, realisht është punuar mbi variantin tone por janë përfshirë edhe propozime të mazhorancës. Është bërë një punë shumë e mirë, kjo është një histori e mbyllur. Lidhur me draftin ne i kemi sheshuar mosmarrëveshjet brenda grupit socialist” shtoi deputeti socialist.
Pandeli Majko nuk ka përjashtuar mundësinë për koalicion me FRD, por ka vlerësuar se një hap i tillë duhet të jetë vullnet i dy palëve. Por nuk ka ndarë të njëjtin qëndrim për LSI, ku u shpreh se një koalicion me të duhet të jetë fryt i një ngacmimi politik.
“Është një marëdhënie që duhet vullneti i dy palëve, frekuencat e opozicionit janë duke u shtuar. FRD do të zërë një vend të rëndësishëm në përfaqësimine grupeve sociale, sic janë grupi i ish- pronarëve. Madje nëse do të kishte një kusht kryesor për të hyrë në BE, kjo do të ishte cështja e pronës, të cilën edhe PS e ka në programin e saj. Cdo opozitar për ne është partner i shpallur dhe i pashpallur, me kontratë apo pa kontratë koalicioni për rrëzimin e kësaj statuskuoje politike që ekziston. Sa i përket LSI-së është një parti në qeverisje dhe diskutimi për një koalicion të mundshëm do të vinte në kuadrin e një ngacmimi politik”tha më tej Majko.