Lustracioni, Maqedonia publikon emrat e katër ish-spiunëve

Komisioni për lustrim në Maqedoni deri tani, nga 11 të paralajmëruar ka publikuar emrat e katër personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete e këta janë: Sllobodan Ugrinovski, Sefedin Haruni (ish kryetar i PPD-së), Vange Gaçev dhe Nikollçe Babovski.
Komisioni për lustrim filloi të premten pasdite publikimin e emrave, por pas një kohe publikimi u ndal, siç u tha për shkaqe teknike. Megjithatë më vonë rifilloi publikimi dhe pritet që deri në mesnatë të zbardhen emrat e 11 personave ish-bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete maqedonase, kurse sipas burimeve të disa portaleve shqiptare në Maqedoni thuhet se në mesin e këtyre 11 personave katër prej tyre janë shqiptarë.
Bashkë me emrat, komisioni pritet të publikojë edhe dosjet e bashkëpunëtorëve, por vetëm të atyre që janë shpallur spiunë, pasi vendimin e Komisionit e kanë ankimuar në Gjykatë.
Mirëpo, kryetari i këtij komisioni, Tome Axhiev ka mbetur në qëndrimin se publikimi i emrave dhe dosjeve të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete është në pajtim me ligjin.
“Jo, nuk shkelet prezumcioni i pafajësisë. Prezumcioni i pafajësisë nuk ekziston në këtë proces, sepse ne nuk merremi me padi. Shkelje e prezumcionit të pafajësisë është të shpallësh dikë fajtor pa argumente për ndonjë vepër të caktuar”, deklaroi Axhiev.
Komisionin për lustrim të premten e kanë vizituar edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Shkup. Pas vizitës së tyre janë paraqitur informacione se ambasada amerikane ka vërejtje ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi i lustrimi. Mirëpo kryetari Axhiev ka thënë se vizita ka qenë vetëm protokollare dhe e paralajmëruar disa ditë më parë.