E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoliç në Mitrovicë: Kosova është Serbi

MITROVICE - Situata e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar, ndonëse gjatë orëve të fundit nuk është shënuar ndonjë incident, i cili do ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme, -kanë njoftuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se situata konsiderohet mjaft e rëndë për nga aspekti i ndjenjës së sigurisë, pas incidentit të së dielës, ku humbi jetën Selver Haradinaj, si pasojë e sulmit mbi banesën e tij, me mjet shpërthyes.

Pavarësisht situatës së tensionuar, në veriun Mitrovicës, në sheshin e ashtuquajtur “Shumadija”, të mërkurën është mbajtur një tubim parazgjedhor nga Partia Përparimtare Serbe. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi Besim Hoti.

“Tubimi është regjistruar diku rreth orës 13 e 20 minuta, në sheshin ‘Shumadija’ në veri të Mitrovicës. Ndërsa, ky tubim i përfaqësuesve të partive politike, të cilët e përdorin këtë për fushatë zgjedhore në Serbi, ka kaluar pa ndonjë incident. Janë tubuar diku rreth 100 qytetarë, ndërsa një koncert është mbajtur para fillimit të fjalimeve ose tubimeve. Këto janë informacionet zyrtare që i kemi edhe përkundër faktit që të njëjtit nuk kanë kërkuar garantimin e një leje zyrtare për tubime publike të tilla”, ka konfirmuar Hoti.

Në tubimin parazgjedhor në veri të Mitrovicës, ka qenë i pranishëm edhe kreu i Partisë Përparimtare të Serbisë, Tomisllav Nikoliç. Ai u ka thënë pjesëmarrësve në tubim se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë.

“Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Ajo nuk është e imja, nuk e kam trashëgim nga babai, nuk e kam blerë dhe nuk mund ta shes apo t’ia dhuroj dikujt. Ajo ju takon juve dhe gjithë Serbisë, secilit qytetar të saj, veç e veç. Ashtu si dëshirojnë qytetarët, ashtu edhe do të jetë. Në Kushtetutë shkruan se dëshirojnë që kjo të jetë Serbi. Do të jetë Serbi derisa edhe serbi i fundit të ecë mbi tokë”, ka thënë Nikoliç.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›