Nikoll Melyshi: Si u vra në kryegjyshatë Baba Faja Martaneshi
Fillimisht regjimi i Enver Hoxhës e shpalli Pal Melyshin kriminel, pastaj e bëri hero! Përtej kësaj të vërtete të njohur prej vitesh, Nikoll Melyshi, në kujtimet e veta përqendrohet në rrethanat e betejës së 12 prillit ‘50 në Ujë Lurth. Në numrin e kaluar botuam dëshmitë e të mbijetuarve të përballjes tragjike, të cilët fill pas saj, mbërritën në Amerikë. Ajo ç’ka ka mësuar babai i Pal Melyshit prej tyre, ka qenë jo vetëm e besueshme, por sipas tij edhe burrnore. Pavarësisht nga artikulimi i ngjarjes tronditëse nga historia komuniste, Nikoll Melyshi deri në fund nuk e pranoi kurrë, se i biri kishte bashkëpunuar me sigurimin e shtetit. Më tej, në kujtimet e veta babai i Pal Melyshit zbulon një tjetër ndodhi të bujshme të viteve të para të regjimit komunist; vrasjen e njërit prej klerikëve bektashianë në Tiranë. Atë që shumëkush e ka quajtur “tabu” në vitet e diktaturës, ai e përshkruan haptas duke sjellë fakte konkrete si u vra Baba Faja Martaneshi në selinë e Kryegjyshatës dhe kush qëlloi mbi klerikun e bashkuar me komunistët...
Pesë nacionalistë luftonin në rrethim me 300 komunistë. Luftimet vazhduan për pesë orë. I pari u plagos Preng Marka Brozi. Më vonë mbeti i vdekur Preng Zef Tarazhi. Pas tij u vra Nikoll Deda. Pali e Mark Melyshi morën në supe Prengën e plagosur dhe janë mundue me e qit nga rrethimi. Në këtë përpjekje Markun e morën plumbat dhe mbeti i vdekur në vend. Në të njëjtën kohë mbeti i plagosur dhe Pali. Por Pali tu e pa të pamundur shpëtimin ka nxjerrë revolen dhe i ka rënë kokës së vet me një plumb tue rënë i vdekur në krahë të kushëririt të tij Mark Melyshi. Fillimisht regjimi i Tiranës e shpalli tradhtar e pastaj hero. Prej datës 12 prill 1950 e deri më 15 mars 1957, komunistët e rrethit të Rrëshenit nëpër konferencat e tyne të vazhdueshme, pa pushim dhe gjithmonë me një lloj melodie, nuk reshtën me fol mbi “tradhtarin Pal Melyshi”. Ishte kjo periudha kur krejt familja e fare fisi ishin internu në kampet e përqendrimit. Plotë shtatë vjet më vonë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu vendosën me e ba Pal Melyshin Hero të Popullit, pa u kushtuar asgjë. Ata nuk ishte e para herë që bëjshin heronj të tillë. Pavarësisht cila ishte e vërteta, për ta rëndësi kishte efekti i propagandës që bënin me emrat e këtyne martirëve. Kështu ndodhi dhe me Palin. Fillimisht urdhëruan shtypin për të bërë publikimin. “Zëri i Popullit” organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i datës 15 mars 1957 dhe i datës 16 mars të vitit 1957, shkroi gjerë e gjatë historinë sipas variantit të Enverit dhe Mehmetit. Në datën 14 prill 1975, “Radio Tirana” nuk i ndahej lavdërimeve heroike të Pal Melyshit, për me mujt me i mbush mendjen opinionit se ngjarja që i ndodhi atij, ashtë ashtu si e komenton Tirana zyrtare.
Klerikët e fliju për drejtësi
Qysh prej vendosjes së regjimit komunist në Shqipni 1944, e deri në fund, asnjëherë nuk rreshti procesi kriminal i flijimit të klerikëve. Klerikët e Shqipnisë bashkë me të popujve të tjerë, qysh me përfundimin e luftës së kryqëzatave fetare, që patën vazhdu për shumë shekuj e deri sa shtetet e qytetrume u mëkëmbën e organizuan me ushtri e mbretëri, e patën mbajt luftën e armatosur në këmbë, për t’u mbrojtur nga sulmet pushtuese e shkatërruese ateiste aziatike kundër fesë kristiane. Mbas përfundimit të asaj lufte fetare, klerikët këtë detyrë ja besun ushtrive qeveritare për të mbrojtur flamurin, fenë dhe kombin e tyne. Që këtej, ata nuk ndien më nevojën për me qenë ushtarë të fesë dhe hoqën dorë nga lufta me armë, duke u kthy në misionin e tyne, pranë altarit të shenjtë me detyra hyjnore e shpirtërore dhe me vlera morale të fesë së popullit të vet, si përfaqësues të besimit në Zot. Në Shqipni krejt kohe sipas traditës, klerikët dhe gratë nuk kanë mbajtur kurrë armë zjarri dhe as ka bërë vaki me vra me to, klerikë e gra për hakmarrje. Kjo traditë filloi me u prish me zbarkimin e komunizmit. Klika e Tiranës ndoshta ka mendue se klerikët do të jenë oportunistë dhe do të ndjekin verbërisht qerren e saj, për të marrë grada e ofiqe ashtu qorrazi, po kjo nuk kish si me ndodh. Një rast i rrallë ka qenë ai i Baba Faja Martaneshin, po që nuk funksionoi si i tillë deri në fund. I mbyllun me një tragjedi të dyfishtë, rasti i tij la gjurmë të thella e komente të ndryshme. Në fakt atë e vrau feja e Zotit dhe rrufeja e besimit në Bektashizëm, e cila kurajoi zemrën dhe gishtin e kobures të Baba Fejzos që bëri shembullin me vrasjen e Babë Mustafës në Tiranë më 1946.
Kush ishte Baba Fejzo
Baba Fejzo ishte kryetari i fesë së bektashizmit të Tiranës, një patriot i dalluem, fetar i vendosur dhe i kullum, i cili kurrë nuk ka mbajt armë, as në zyrë, as përjashta, sepse populli e donte me sinqeritet dhe nuk vente kush dorë mbi të, për ta poshtrue. Përkundrazi, gjithandej ishte i respektum. Kur Baba Fejzo e pa se komunizmi po i përgatit vorrin Shqipnisë dhe feve shqiptare, vendosi me ble një kobure të cilën e mbante ne sirtarin e tavolinës për të mbrojt me gjakun e vet nderin dhe fenë me besimin e Zotit. Kështu me të një ditë, Baba Fejzo pasi kreu aktin e paramendu, vrau veten trimërisht për mos u dorëzue i gjallë klikës së kuqe. Ai nuk iu përul poshtërsinave komuniste...
Përballja e përgjakshme në kryegjyshatë
Baba Faja (Mustafa) Martaneshi, ish kryetari i Teqes së Bektashinjve në Martanesh të Burrelit, mori pjesë aktive në lëvizjen komuniste nacionalçlirimtare qysh prej vitit 1943. E ndihmoi Partinë Komuniste me sa kishte mundësi, me propagandë e furnizime të ndryshme, deri sa ajo mori fuqinë në dorë në Tiranë. Baba Faja pati si shpërblim gradën kolonel dhe statusin e anëtarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Në vitin 1946, Partia e drejtuar nga Enveri, përgatiti projekt statutin e saj ideologjik, me të cilin ranë viktima shumë burra të ndershëm që kishin qenë ndër më aktivët në radhët e nacionalçlirimtares. Të tillë mund të përmendim Mustafa Gjinishin e Peqinit, Riza Danin dhe Profesor Kol Prelën, që ishin deputetë të Shkodrës, etj. As më shumë dhe as më pak, projektstatuti i hartuar nën diktimin e Enverit, ishte një fotokopje e atij të Rusisë dhe përmbante disa nene që nuk pajtoheshin kurrsesi me karakterin, moralin dhe shoqërinë shqiptare. Në të, për shembull, parashikohej që flamuri kuq e zi i Skënderbeut të kishte mbi krye yllin e kuq. Po kështu, statuti i porsahartum, sanksiononte prerë që pasuria private të kalonte në duart e kooperativave të partisë pa kurrfarë dëmshpërblimi. Një pikë e rëndësishme e tij kishte të bënte me zhdukjen e tri feve, myslimane, katolike e ortodokse dhe mbylljen e të gjitha faltoreve, xhamive e kishave. Komunistët, me qëllim shtrirjen e këtij statuti në të gjithë sferat e shoqnisë, e me këtë rast dhe me komunitetin fetar, ngarkun Baba Faja Martaneshin me agjitue me të për me e përkrahë pa kurrfarë rezervash. Tue shpresue te pozicioni i tij fetar, njerëzit e besuar të Enverit, e adresuan fillimisht në kryegjyshatën botërore të bektashinjve. Aty, Baba Fejzo ishte kryetar i bektashizmit dhe një personalitet i njohur me kulturë e vendosmëri fetare të pathyeshme. Manovra e komunistëve për ta ofruar kryegjyshatën në shinat e ideologjisë së tyne, do haste në pengesa që me nisëm e parë. Baba Faja, tue qenë një nga krenët e lartë të komunizmit dhe njëherazi me influencë të madhe fetare, thirret në Komitetin Qendror të Partisë dhe i jepet një kopje e statutit bashkë me një deklaratë të posaçme, që parashikonte liberalizimin e riteve fetare, sipas logjikës bolshevike. Aty e urdhërojnë të shkojë për t’i marrë firmën Baba Fejzos, në zyrën e vet në kryegjyshatë. Baba Faja, me gradat e kolonelit në supe dhe me çallmën e jeshilltë të bektashizmit mbi krye, niset fill e në zyrën e Baba Fejzos. Aty më parë kishte mbërrit si mysafir Hoxhë Dedej i Tufinës, një personalitet ky i fesë myslimane, i njohur në krejt rrethinat e Tiranës. Baba Faja, tue mos ja marrë mëndja se si mund të reagonte Baba Fejzua, sa futet në zyrën e kryegjyshit, ja zgjat deklaratën për ta firmos tue pranue pa kundërshtim përmbajtjen e saj. Baba Fejzo në çast e kuptoi se shqiptarizmi paskish mbarue dhe nxorri koburen prej pekmezit të tavolinës dhe ja dha tri herë kresë Baba Fajës, pastaj ia drejtoi vetes. Kështu, mbetën të dy të vdekur në zyrë. Ka qenë kjo një nga ngjarjet më të paparashikueshme për komunistët e Enverit. Ishim në gjysmën e dytë të vitit 1946. Në atë kohë ndodhesha me luftëtarët e lirisë në malet e “Kthellës” së Mirditës. Disa nga punëtorët që ishin në fabrikën e Rubikut na sillnin gazetën “Bashkimi”, ku çdo ditë shikonim lajmet e reja. Aty ishte botuar dhe lajmi për vrasjen e bujshme, i cili tue u publiku pasivisht bëri një përshtypje të keqe në popull, i cili tashmë kishte filluar t’i shikonte nga afër aspektet negative të komunizmit. Vrasja e dy baballarëve i dha me kuptu Partisë Komuniste se populli shqiptar, edukimin fetar e ka në gjakun e damarëve të zemrës trashëgim prej shekujsh, kështu, që qeverisë i duhej shumë kohë me ja zhdukë atë. Ishte pikërisht kjo ngjarje fatkeqe, që e bëri Partinë Komuniste të mendohet edhe disa vjet të tjera për zbatimin e platformës, me mbyll faltoret e Shqipnisë. Vetëm pas shumë vitesh të tjera, diku nga 67, Enveri me apollogjetët e vet, bëri realitet marrëzinë me mbyll përfundimisht të gjitha institucionet fetare e me i fut në burg krejt klerikët që kundërshtuan aksionin e komunizmit, për me ateizue popullin shqiptar...