Grushtat në Kuvend,Maliqi: I kërkoj ndjesë vetëm Berishës, Braçe: Do t’i shkoj deri në fund
ADI SHKEMBI
Deputeti i PD-së, Lefter Maliqi, rrëfen në një intervistë për gazetën “Panorama” momentet e sherrit me deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Gjovalin Kadeli. Ai akuzon deputetin e Beratit për provokimin e ngjarjes, teksa shton se këto situata nuk duhet të ndodhin më në Kuvend. Zoti Maliqi, sot një ditë pas incidentit të ndodhur në Kuvend, ku u përfshitë së bashku me deputetin tjetër të Beratit, Erjon Braçe, a ndiheni i penduar?
Fatos Nano dikur ka thënë: “Nuk e kam ditur që një njeri kaq i vogël si Erjon Braçe, të ketë një të keqe kaq të madhe”. Dje, nuk ka pasur goditje ashtu siç e kanë dhënë disa media, por ka qenë një moment kur ai po përdorte një fjalor të rëndë ndaj drejtueses së seancës, ministrave, Gardës së Republikës dhe të pranishmëve në Kuvend. Unë thjesht në ato momente isha duke kaluar, sepse ishte pesë minutëshi i pushimit. Aty ishin vetëm deputetët e PS-së, i vajta këtij si deputet për të hequr shishen, megjithëse atë e hoqi Garda. Në ato momente, deputetët e Partisë Socialiste m’u kundërvunë dhe u konfrontuan me Gardën. Një nga ata deputetët, nuk i njihja dhe më pas mësova që ishte Kadeli i Lezhës, tentoi të më godiste dhe unë u mbrojta. Këto veprime në opinion janë të dënueshme. Unë e kam thënë edhe dje menjëherë pas ngjarjes në Parlament, që i kërkoj ndjesë edhe Kryeministrit, sepse nuk duhen bërë veprime të tilla.
Nuk është hera e parë që ju konfliktoheni me deputetin Erjon Braçe...
Por, po ta marrësh në aspektin tjetër, të gjitha mediat, i gjithë opinioni publik, e di shumë mirë që ky deputet në çdo seancë përdor fjalor zhurmues nga vendi duke fyer, ofenduar e prekur ministra dhe deputetë të Partisë Demokratike apo deri te Kryeministri dhe ka mbijetuar në politikë vetëm me zhurmë, pasi për zonën e tij nuk ka bërë asgjë, ndërkohë që unë njihem në zonën e Beratit nga viti 1996 dhe deri tani. Ai është njeri konfliktual. Nuk kam asnjë gjë personale me të, pavarësisht vjedhjes së votave në vitin 2005, por e di shumë mirë që ai nuk shkon as me degën e Partisë Socialiste në Berat. Madje, di që ai është në konflikt edhe me deputetët e kësaj partie në Berat, por edhe me deputetë të tjerë. Unë dje i kërkoja fjalën disa herë kryetares së Parlamentit dhe për këtë e kam shtypur butonin disa herë, për të thënë ato nota mesatare që vuri kryeministri, që Rama ia vendos deputetëve; mesatarja e këtij deputeti që ka mbaruar studimet për ekonomik ka qenë 5.1. Ai le ta tregojë diplomën, por këtë mesatare e ka treguar një nga deputetët dhe ish-ministrat e Partisë Socialiste më me përvojë, që sot është deputet teksa ka thënë: “është turp që një deputet zhurmues me një mesatare 5.1 të jetë në Parlament”. Këtë mesatare 5.1 ai e mori në Berat në 28 qershor dhe do të marrë notën ngelëse në 2013.
Në pushim të seancës, kur mediat u nxorrën jashtë, pati edhe një incident tjetër mes jush dhe deputetit socialist në barin e Kuvendit?
Në lokalin e Kuvendit unë ruajta qetësinë. Aty ishin edhe deputetë të Partisë Socialiste, kam një respekt të jashtëzakonshëm për shumicën e tyre. Madje, i takova dhe u dhashë edhe dorën. U ula për të pirë një kafe dhe në ato momente ai ngriti karrigen në një distancë prej 20 metrash kot, më shumë për të bërë zhurmë, siç e ka natyrën. Këto janë veprime që ai i bën, sepse siç e thashë, ai luan rolin e zhurmuesit sa herë që aty ka njerëz, për t’u dukur në opinion. Mua më ka habitur shprehja e Fatos Nanos, që e ka bërë deputet për herë të parë dhe më pas e bëri Meta, sepse ai kështu mbijeton, që ka thënë se: “Nuk e kam ditur që një njeri kaq i vogël si Erjon Braçe, të ketë një të keqe kam të madhe”.
A pati debat me fjalë në largësi mes jush?
Po! Por nuk është rasti i parë ai në kafen e Kuvendit, ka pasur edhe më përpara. Ka pasur edhe në një nga mbledhjet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. është natyra e tij kjo, ai është mësuar me këto gjëra. Këto janë raste që nga vjeshta e ardhshme nuk duhet të ndodhin më dhe unë i bëj thirrje të gjithë deputetëve të përgjegjshëm të Partisë Socialiste të distancohen nga ky deputet zhurmues dhe të heqim dorë nga këto veprime.
Nëse ajo ngjarje do të ndodhte prapë sot, do kishit qenë sërish aty?
Po të ishte sot do më pëlqenin pushimet dhe jo të merresha me të.
Ngjarja
Sherri në Kuvend mes deputetëve
Në seancën e fundit parlamentare, deputeti i PD-së, Lefter Maliqi u përfshi në një përplasje fizike me deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Gjovalin Kadeli. Në orën 12:05 kryeparlamentarja Topalli nisi të miratonte nenet e buxhetit, por opozita kërkoi të diskutonte dhe u ngrit në këmbë. Deputeti i PS-së, Braçe, u afrua te tavolina e ministrave me një shishe uji në dorë, të cilën më pas ia mori një prej gardistëve. Deputeti demokrat Maliqi, iu afrua deputetit të PS-së dhe në rrëmujë e sipër e goditi, çka provokoi opozitën. Deputeti Gjovalin Kadeli iu afrua Maliqit, por ndërhyrja e Palokës bëri të mundur shmangien e një tjetër goditjeje. Ndërkohë, Braçe e Maliqi replikuan në distancë edhe në barin e Kuvendit.
Byroja, asnjë masë për sherrin në Kuvend
Sherri i ndodhur në seancën e fundit të Parlamentit nuk pati asnjë përgjegjës. Të paktën e këtij mendimi duket se ka qenë byroja, e cila nuk u mblodh për të marrë masa penalizimi ndaj deputetëve, që ishin pjesëmarrës në këtë akt. Në situatat e tjera të ngjashme, Kuvendi ka penalizuar me mospjesëmarrje deri në 15 ditë deputetët shkaktarë të incidenteve. “Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë, që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e këshillit të ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore, ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione, nga 2 deri në 15 ditë”, - thuhet në pikën 2 të nenit 65 të rregullores. “Ndalimi i pjesëmarrjes vendoset nga byroja e Kuvendit, me propozimin e drejtuesit të seancës ose propozimit me shkrim të jo më pak se 7 deputetëve. Masa disiplinore e ndalimit të pjesëmarrjes në seancë plenare dhe në komisione shoqërohet me sanksion financiar të mbajtjes së pagës së deputetit, për aq ditë sa është marrë masa disiplinore”, - thekson më tej rregullorja.
Braçe: Do i shkoj deri në fund
ADI SHKEMBI
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, flet një ditë pas sherrit në Parlament me deputetin demokrat, Lefer Maliqi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai tregohet i vendosur për ta çuar deri në fund sqarimin e incidentit, por pa thënë se si do të veprojë më tej. Megjithëse nuk pranoi të fliste gjatë për këtë situatë, Braçe hedh poshtë pretendimet se ai ka dashur të vazhdojnë sherrin e nisur në seancën parlamentare edhe gjatë qëndrimit në barin e Kuvendit, pasi ishte kërkuar ndërprerja e punimeve. Deputeti socialist ironizon deklaratat e Maliqit, që ndërhyri për t’i hequr shishen me ujë nga dora, të cilën po ia drejtonte kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Po pra, uji është rrezik për kryetaren, grua që urren ujin!”, - tha Braçe për gazetën. Në fund, ai lë të kuptohet se ka qenë pikërisht kryeparlamentarja ajo që ka nxitur deputetin Lefter Maliqi për ta goditur, kur Braçe kërkoi që t’i jepej kohë deputetëve socialistë të lexonin fjalimet e tyre lidhur me rishkimin e buxhetit 2010. Situata u acarua kur një prej efektivëve të Gardës së Republikës i mori bidonin plastik deputetit socialist, çka solli edhe reagimin e disa deputetëve, që ishin aty pranë. Pasi Maliqi e goditi deputetin Braçe, në pak sekonda, deputeti demokrat, Edi Paloka, shmangu një tjetër goditje, sipas fotografive të bëra në momentin e sherrit, të Maliqit ndaj deputetit Gjovalin Kadeli
Depueteti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Panorama”, se këto situata nuk duhet të ndodhin më në Kuvend. Ju, do bënit një koment për atë ngjarje?
Jo, jo! Ai pendohet për arsye të tij! Unë do i shkoj deri në fund për të miat!
Sipas Maliqit, ju gjatë qëndrimit në kafe, në pushim të seancës keni ngritur karrigen për ta qëlluar...
Pse e ngre dot një karrige unë nga ato të Kuvendit? Ta kisha ngritur, ai do ta kishte në kokë.
Ai thotë se iu afrua vetëm për t’i hequr shishen plastike nga dora, që po ia drejtoje kryetares së Parlamentit...
Po pra, uji është rrezik për kryetaren, grua që urren ujin!
Megjithatë, sipas tij, ndërhyrja ka qenë vetëm për të normalizuar situatën dhe nuk e ka futur kryetarja e Kuvendit...
Për fat të keq të kryetares, unë kam pamjet.
Kadeli: Ndërhyva se Garda s’mbrojti Braçen
Deputeti socialist, Gjovalin Kadeli, i përfshirë në sherrin e zhvilluar në Kuvend në seancën e së hënës, hedh dritë mbi shkakun e konfliktit dhe sjelljen e Gardës së Republikës. Kadeli shprehet se i ka kërkuar ndjesë gardistit për goditjen, ndërsa i kërkon maxhorancës të ndryshojë sjelljen ndaj opozitës.
Cili ishte shkaku i sherrit mes jush dhe deputetëve të PD në Parlament?
Përballë kësaj maxhorance, që prej 6 muajsh kur ne jemi pjesë aktive e këtij Parlamenti, në të gjitha rastet opozita ka bërë diskutimet e duhura në Parlament me të gjitha opsionet e saj për të gjitha çështjet e diskutuara, por asnjë herë nuk janë marrë në konsideratë. Madje është shkuar më tej, ku përveç forcës së kartonit, që ajo e përdor për shkak të numrave, vazhdojnë të hedhin në treg stilin e vjetër të fyerjes dhe denigrimit të kundërshtarit politik deri tek fyerjet dhe sharjet e ulëta, si dhe konfrontimi fizik, siç ishin grushtet ndaj deputetit socialist Erion Braçe, goditje e cila degjeneroi në dhunë për shkak se Garda e Republikës në vend që të kryente detyrën e saj për mbrojtjen e jetës së deputetit, pasi në rregulloren e Gardës së Republikës është përcaktuar qartë që ushtaraku, sidomos gardisti, ka për detyrë të mbrojë jetën e deputetit qoftë dhe me jetën e tij. Një gjë e tillë aty nuk ndodhi, përkundrazi, segmente të caktuara të gardës që janë marrë në atë detyrë në mënyrë selektive, lejuan që deputeti Maliqi të godiste deputetin Braçe. Në këto kushte, duke parë që mbrojtja ndaj deputetit Braçe ishte jo në nivelin e duhur, u detyruam të ndërhyjmë ne deputetët e opozitës për të shuar sherrin. Në zënkë e sipër, ata përdorën forcën ndaj nesh dhe ne reaguam ndaj tyre duke kundërvepruar, por që fatkeqësisht degjeneroi në dhunë.
Sipas jush, çdo gjë ndodhi nga pamundësia e Gardës për të ruajtur rendin në Kuvend?
Unë nuk mund ta quaj pamundësi, pasi ata në numër janë të shumtë në Kuvend, unë mund ta quaj neglizhencë, me ose pa dashje, se si arriti një deputet nga mesi i sallës të shkonte dhe të godiste Braçen, i cili po protestonte përballë Kryetares së Kuvendit për mosdhënien e fjalës për replikë ndaj deputetëve që ishin përmendur nga Kryeministri Berisha në fjalën e tij. Unë i respektoj njerëzit me uniformë dhe pres prej tyre të zbatojnë ligjin dhe të përmbushin detyrën e tyre.
Por Garda ju akuzon ju për përdorim të forcës ndaj tyre, keni një ndjesë ndaj veprimit tuaj?
Në fakt, unë i kam kërkuar aty në vend ndjesë punonjësve të Gardës, pasi u shpjegova se punonjësin e gardës e mora për deputet në një moment të vështirë për të dalluar gjërat, por e theksoj edhe njëherë se nëse garda do të kishte kryer detyrën e saj, edhe ne deputetët nuk do ishim përfshirë në veprime të tilla mbrojtëse ndaj agresionit të deputetëve demokratë.
Sipas informacioneve, ka pasur një vazhdim të sherrit dhe në kafenenë e Kuvendit, si u qetësua situata atje?
Pas ndërprerjes së seancës dhe pushimit të detyruar, bashkë me deputetin Braçe shkuam në kafenenë e Kuvendit. Por aty Braçja u gjend sërish i provokuar nga deputeti Maliqi, i cili hyri aty bashkë me deputetë të tjerë demokratë. Braçja u mundua t’i përgjigjej, por ne nuk e lamë dhe u munduam të qetësonim një sherr të dytë.
Si e shikoni vazhdimësinë e jetës parlamentare pas këtij sherri mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës?
Të gjithë duhet të shohim qartë burimin e një konfrontimi të tillë, që për mua vjen nga fyerjet, ofendimet dhe denigrimet e maxhorancës ndaj deputetëve të opozitës, të cilët jo vetëm nuk arrijnë të marrin fjalën, por edhe ofendohen. Në kushte të tilla, nëse kjo mënyrë komunikimi e deputetëve të maxhorancës dhe Kryeministrit nuk ndryshon, konflikti do të jetë i pranishëm në Kuvend. a.l.