Nikolla Naço në një duel mendimtarësh për Rilindjen KombëtareNga Istref HaxhillariNaçot ishin mokrarë, treva e hijshme dhe e rëndë në juglindje të Shqipërisë, me shumë bëma dhe histori. Autoritarë dhe nursëzë nuk duronin t’ua bëje fjalën dysh. Të zot
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nikolla Naço në një duel mendimtarësh për Rilindjen KombëtareNga Istref HaxhillariNaçot ishin mokrarë, treva e hijshme dhe e rëndë në juglindje të Shqipërisë, me shumë bëma dhe histori. Autoritarë dhe nursëzë nuk duronin t’ua bëje fjalën dysh. Të zotët e punës e fjalës, të zotët edhe të gishtit, nuk shiheshin me sy të mirë nga ajo pjesë që bënte dovanë e turkut, po nuk kishin ç’u bënin se frika ruan vreshtin. Kur erdhi puna që i shkelën në kallo, Naçot ua treguan mirë qejfin. Kështu hynë në hasmëri jo aq me fisin e agait se sa me parinë turke që në ato kohë kishte shumë fuqi dhe bënte hatanë. Naumi, i ati i Nikollës, mblodhi ç’kishte, iku dhe u vendos në Korçë, aty nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Punëtorë të mbaruar dhe energjikë blenë tokë në Bulgarec dhe ngritën një fermë të madhe. Bënin tregtinë e qeve të punës, që ishin baza e bujqësisë dhe prodhimit të bukës në gjithë botën e atëhershme. Ndër tre djemtë e Naumit, Nikolla dallohej për zotësi dhe inteligjencë.
Rreth vitit 1860, djalë i ri, pa mbushur të tridhjetat, Nikolla u largua nga Korça dhe emigroi në Egjipt bashkë me vëllezërit. Me pasurinë që ngriti në Bulgarec i hyri tregtisë së pambukut. Vuri në punë krahun e lirë të banorëve në disa qytete të Egjiptit dhe ndërtoi dy fabrika të mëdha. Falë intuitës prej tregtari bëri pasuri të madhe. Tregtia e tij u shtri në disa shtete të dy kontinenteve.
Energjik dhe atdhetar, shqiptar nga fijet e flokut deri në thonjtë e këmbëve, Nikolla zuri miqësi me bashkatdhtarët e mësuar në Egjipt, të përmasave të Thimi Mitkos me shokë. Të gjithë bashkë morën përsipër barrën e madhe të përlindjes së kombit. Mbi këto baza më 1875 formohet në Egjipt shoqëria patriotike “Vllazëria”, ku Naçua zuri vendin e parë. Historia tashmë e ka pasqyruar veprimtarinë e shoqërisë dhe dobinë e saj për zgjimin kombëtar.
Në Stamboll Sami Frashëri kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe mbështetur në gërmat latine me përzierje edhe të atyre turke e greke. Ndonëse jo fort i përshtatshëm, ishte më i miri i hartuar nga patriotët deri në atë kohë... Më 1878 po në Stamboll lind “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”, ku Naçua mori përsipër financimin e botimit të librave të para në gjuhën amëtare, përgatitur për shkollat që do të përpiqeshin të çelnin në të ardhmen e pritshme. Nikolla Naço u bë shpirti i lëvizjes patriotike shqiptare për të cilën vuri në shërbim të pandërprerë pasurinë, mendjen dhe shpirtin e tij të madh.
Po s’ishte e thënë që Naçot të gëzonin për shumë kohë frutet e punës së tyre të sukseshme në Egjipt, pikërisht për motive kombëtare. Hynë në grindje me konsullin grek të Kajros që nuk lejonte shqiptarët të ushtronin ritet kishtare në gjuhën e tyre, i preku disa herë në vetëdijen dhe krenarinë kombëtare, derisa nipi i Nikollës, Vangjeli 17-vjeçar, ia numëroi në lule të ballit.
Pasi e la tregtinë në duar të sigurta me njerëz të besuar, Nikolla iku nga Egjipti dhe u vendos në Bukuresht. Aty e shtriu më tej tregtinë, jo vetëm në pambukra. Pasuria e tij u rrit më tej e u shumëfishua. Mori emër ndër shqipëtarët e mërgimit e përtej tyre. Në të gjitha rrethet shoqërore thirrej Nikolla Oka se me okë i kishte florinjtë.
Blen në Paris një shtypshkronjë me vlerë marramendëse, për librat shqip
Në Bukuresht zgjeroi edhe lëvizjen atdhetare, pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij. Vetëm një vit nga formimi i shoqërisë patriotike “Dëshira”, u zgjodh kryetar i saj. Bleu në Paris një shtypshkronjë të kohës së fundit me vlerën marramendëse njëzetepesë mijë napolona flori në të cilën u botuan pothuaj të gjitha librat shqipe vitet e mëpastajme. Me shpenzimet e veta hapi kurse të gjuhës për ardhësit shqiptarë në Rumani. U gjente punë bashkëatdhetarëve përmes lidhjeve të shumëfishta me parinë vendase dhe paguante të gjitha shpenzimet e mjekimit kur ata sëmureshin.
Zhvillonte veprimtari të dendur diplomatike për të bërë prezente kërkesat shqiptare në të gjitha kancelaritë e Europës. Janë të njohura letrat e tij dërguar Sulltanit, mbretit Karol i parë në Rumani, Carit të Rusisë, Bismarkut në Gjermani, kryeministrit anglez, etj.
Por gjeneralët e çështjes shqiptare në dherat e huaja e kuptonin shumë mirë se pa arsim dhe pa shkolla në gjuhën amëtare ishte e vështirë, në mos e pamundur, mëvetësia dhe ruajtja e tërësisë së atdheut nga synimet copëtuese të fqinjëve. Që të merrej leja e Sulltanit për hapjen e shkollës shqipe u përzgjodh Nikolla Naço.
Në një nga shkrimet elegante të mëvonëshme, udhëtimi i tij përshkruhet me ngjyra të forta artistike. Po shkëputim një fragment.
“Një ditë të bukur maji të motit 1886, në portin “Harku i Artë” i njohur prej gjithë udhëtarëve ardhur në Stamboll, u ankorua anija luksoze egjiptiane “Faraoni”, nisur para dy javësh nga Aleksandria. Në kuvertë një grup zotërinjsh nga përtej oqeanit vinin të vizitonin qytetin e madh apo të lidhnin marrëveshje tregtare me leverdi. Stambolli përngjiste me një lubi gojë hapur natë e ditë, që nuk ngopej kurrë.
Midis tyre binte në sy një burrë i gjatë i pashëm, që tërhiqte më së shumti vështrimet e kureshtarëve. Dukej sheshit, që atje tej, se ishte ben ollaxhëm, njeri me rëndësi. Fliste turqisht dhe rumanisht, sipas rastit, po me hyzmeqarin kuvendonte në një gjuhë tjetër të pakuptuar për të tjerët me të cilët e kishte bashkuar udhëtimi i gjatë në vapor.
Nikolla Naço i rëndë sa një delegacion vinte të bisedonte me rrethet më të larta të shtetit turk për një çështje me rëndësi. Shërbimi i tij historik me përmasa të mëdha, në kufijtë e së pamundurës, ishte dekreti perandorak i Sulltanit për hapjen e shkollës shqipe, me çdo mjet, me çdo çmim, në të kundërt vatani rrezikonte të zhbëhej.
Pasuria më e madhe e këtij burri të rrallë ishte dashuria për vendin e tij, Shqipërinë e vogël, që lëngonte nën sundimin turk, po më shumë se kaq rrezikonte të zhbëhej nga fqinjët lakmitarë, fituar pavarësinë kohë më parë. Të gjitha këto e të tjera ishin fshehur thellë në shpirtin e tij fisnik dhe pothuaj askush nuk e dinte misionin me të cilin erdhi në Stamboll. Sytë e tërë shqiptarëve të mësuar, brenda e jashtë vendit, në të gjithë mërgatën ishin drejtuar te ky burrë i jashtëzakonshëm, që i vetëm “mori detin më këmbë”.
Dukej sikur Stambolli qëndronte jashtë fushatave të luftës së pashallarëve turq anekënd perandorisë së pamatë, po era e betejave përsillej pa pushuar në qiellin e tij. Gjeneralët më të famshëm të Sulltanit, ishin me origjinë gjithfarë nga Evropa, Azia e Arabia etj...”.
Analet e historisë së Rilindjes Kombëtare kanë fiksuar bisedimet e vështira të Nikollës me funksionarin e lartë të Portës, një duel mendimtarësh me përmasa të mëdha. Nikolla me logjikë të pakundërshtueshme i argumentoi pashait të ngrysur nevojën e hapjes së shkollës shqipe si një akt i rëndësishëm, që ndalte copëtimin e vendit nga fqinjët e shkëputur prej perandorisë turke kohë më parë. Pas mundimesh të mëdha, iu shmang kurtheve të pashait dinak dhe i solli bisedimet në hullinë e shtruar nga mërgata patriotike shqiptare.
Në fund arriti fitoren përfundimtare dhe mori në dorë fermanin e Sulltanit, të përndriturit Abdyl Hamiti, që u jepte lejë shqiptarve të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë manushaqe dhe u nis në Bukuresht me sy të përlotur e shpirtin mbushur plot. Në Bukuresht gjeti të mbledhur miqtë e tij, mëmëdhetarë ardhur nga të gjitha anët e botës që e pritën mokrarin e madh me nderime mbretërore.
Një vit më vonë, në pranverën e motit 1887, nisi udhë e para shkollë shqipe në Korçë që shumë shpejt u pasua nga të tjera. Kështu zuri fill mbrothësia e kombit tonë që nuk u ndal më asnjëherë nëpër kohë deri në shpalljen e mëvetësisë.
Në fillesë të këtij akti të lartë ishin patriotët, mes të cilëve edhe Nikolla Naço, që iu përkushtua vatanit si pak të tjerë. Nuk u martua dhe tërë pasurinë e tij proverbiale e harxhoi deri në monedhën e fundit për çështjen kombëtare, aq sa në fund shpenzimet për varrimin e tij modest u bënë nga miqtë.
Njëzet e shtatë vjet më vonë Lasgush Poradeci ka gdhendur këto fjalë - dhimbje:
“ Më 24 prill 1913, një grup patriotësh, besnikë të ideve të Nikolla Naços, vinte në spitalin “Koltei” të Bukureshtit, për të vizituar kryetarin e tyre që dergjej i sëmurë rëndë. Më plaku i afrohet me drojtje shtratit të pacientit dhe me buzë në gaz i bën të njohur lajmin e freskët të një evenimenti gazmor:
“Konferenca e Ambasadorëve në Londër njohu autonominë e Shqipërisë dhe ngriti një komision për caktimin e kufijve kombëtarë”.
Kundër urdhërit kategorik të mjekut që t’u shmangej emocioneve, Naçua s’e përmbajti dot buçitjen e zemrës:
- Plagët e shpirtit tim u shëruan, tashti le të vdes. Zoti më paska falur një vdekje të ëmbël.
Me këto fjalë të fundit për mallin që i pat përvëluar zemrën një jetë të tërë, mbylli sytë përgjithmonë nga drita e kësaj bote, plaku 72 vjeçar, burri i madh i kombit shqiptar ”.
Harresa e dhunshme
Është e habitshme harresa e dhunshme e kontributit të Nikolla Naços pas formimit të shtetit shqiptar deri ditët e sotme. Me ndonjë përjashtim të vogël askund nuk është fiksuar emri dhe vepra e tij me dimensione vigane. Në Tiranë, Korçë dhe Pogradec janë përjetësuar data të tilla si tridhjetë vjetori i çlirimit, emra dëshmorësh që u përulemi me respekt se kanë dhënë jetën, po nuk kanë asnjë lidhje me shkollën, botime të mëdha për fshatra të vegjël, biografi të çuditshme për fise të panjohura, etj. Askush nuk është kujtuar t’i vihet emri i Nikolla Naços një shkolle, rruge apo institucioni tjetër të dijes, t’i japë një titull nderi sado modest. Jeta dhe vepra e tij ka mbetur vetëm në një vëllim të mrekullueshëm të Lasgush Poradecit, ndërkohë që përmendorja duhet të ishte vendosur me kohë diku, më së shumti në Tiranë apo Korçë.
Çuditërisht kujtesa e hershme e Mihal Gramenos sikur përndjente harresën e mëvonëshme të Naços si një pardoks i dhimbshëm për ata që bënë kombin tonë vite të shkuara.
“Që të shkruhen veprat e Naços duhen libra të mëdha”.
Mirënjohja asnjëherë nuk do të ishte e plotë, ndërsa shpërfillja më shumë se një krim.
Le të shërbejë ky shkrim në gazetën “Tema” për të ngacmuar autoritetet kompetente që e kanë në dorë vlerësimin e visarëve të kombit tonë.