E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikolli: Kjo që ndodhi me policinë, ishte grackë e përgatitur me kujdes

19/05/2010 Masakra e Cërrikut, të plagosurit rrëfejnë momentet e tmerrit

Cërriku e priste policinë në heshtje. Ora tetë e mëngjesit asnjë lëvizje në rrugë

TIRANË- Një tjetër ish-gardist në vitin 1997, rrëfeu dje në gjyq se si e kishte përjetuar masakrën e 22 majit në Cërrik. Të pandehurit, janë duke u përballur me gardistët e plagosur. Deri tani kanë dhënë dëshminë e tyre katër prej të plagosurve, ndërsa shumë të tjerë kanë dhënë hollësi për mënyrën se si janë nisur dhe urdhrat që kanë marr nga eprorët. Petrit Nikolla është dëshmitari i parë. Ai tha: “kam punuar në ‘97 në repartin e gatshëm në polici dhe kemi marrë pjesë në aksione në zonat e veriut, gjithashtu kemi qenë dhe në Ksamil dhe Elbasan. Më datë 22 maj u nisëm nga Tirana për në Elbasan dhe vendi ishte shumë i qetë. Ndërsa më 23 maj u nisëm për në qytetin e Cërrikut dhe jemi nisur në mëngjes herët. Në Elbasan mund të ishim mbi 20 veta dhe nga ky grup unë njihja Dritan Hasën nga Shkodra, Petrit Gjoka nga Mirdita, por kanë qenë edhe persona të tjerë. Për sa i përket armatimit unë kam pasur vetëm një pistoletë dhe isha veshur me uniformë ngjyrë bari me cirka. Makina ku isha unë ishte një blindë i bardhë me goma, por kishte edhe 2 tanke, 2 blinda dhe një makinë policie. Drejtuesi i makinës ku isha unë ishte Dritan Hasa dhe ne ishim të parët në radhë rrugës për në Cërrik. Arsyeja e vajtjes tonë në Cërrik ishte pasi na kishin njoftuar për një arsenal armësh, i cili duhej mbledhur. Kemi ndaluar në një zonë para hyrjes së Cërrikut ku kemi gjetur rreth 7-8 automatikë dhe ca fishekë, të cilat i nxorëm dhe i morëm. Ndërkohë që në radio u njoftuam se ishte marrë komisariati i Cërrikut dhe këtë e dëgjova tek radioja që mbante Dritan Hasa. Kur u futëm në Cërrik para nesh ishte një fugon policie, i cili ecte me shpejtësi shumë të madhe. Ne e ndoqëm pasi mendonim se ishte i policisë dhe po na shoqëronte për të na treguar rrugën. Por ai ecte shumë shpejt dhe pasi pamë që fugoni kishte ndaluar ndaluam edhe ne. Dolëm nga blinda dhe u afruam kur pamë që nuk kishte asnjë person. Në këto momente shpërthyen të shtënat dhe pashë që u plagos Dritan Hasa në këmbë dhe plaga ishte rreth 8 cm e gjatë. E mora me vete dhe u afruam tek një kioskë aty dhe i thashë Pashk Dedës që të shikonte se mund të na godisnin. Dhe siç thashë unë ndodhi, u plagos edhe Pashk Deda, plumbi iu fut në kurriz dhe i doli nga kraharori. Në ato moment ai më tha: “Vdiqa”. I thashë: “Nuk ka gjë mos u bëj merak, vetëm mbylle plagën. Mora dhe fillova të mjekoj këmbën e Dritan Hasës dhe ia lidha me copa bluzash, ndërsa plagën e Pashk Dedës vetëm e izolova, pasi plumbi ishte i pastër. I mora të dy prej aty duke i mbajtur nga krahët dhe i thashë që duhet të largoheshim dhe të bashkoheshim me pjesën tjetër të grupit. Nga momenti që filluan të shtënat 10 minuta pasi u plagos Dritan Hasa shpërtheu blinda jonë. Ishim afër një kioske nga ana e perëndimit dhe aty bëra rezistencë për të dalë me forcë bashkë me dy shokët, të cilët nuk donin të largoheshin. Në momentin që u ngritëm për të lëvizur pa dalë ende tek rruga e vogël 50 metër larg kioskës u plagosa edhe unë në këmbë. U plagosa tek shputa e këmbës nga cifla e një granate. Pasi ndaluam tek një pallat 4 katesh nga ku nuk qëllohej u nisëm për tek tanku. Ky pallat ishte rreth 5 pallate larg tankut. Kur arritëm aty gjetëm brenda një person të plagosur, ai kishte marrë një plumb në kokë. Emrin e tij e mësova kur vdiq, dhe ky person quhej Petrit Ndoi. Më tej hipëm në tank dhe ishim tre veta, më pas njoftova shoferin për t’u nisur menjëherë. Pasi u kthyem filluam të njoftonim njëri-tjetrin, por asnjë nuk fliste sesi plasi kjo bombë. Mbaj mend që të shtënat nisën nga sipër pallatit të kulturës, pasi aty ishte baza dhe kam parë nja 5-6 persona që lëviznin. Në qytetin e Cërrikut nuk ka pasur fare lëvizje këmbësorësh dhe as lokale të hapura dhe të mendosh që ishte ora 8 e mëngjesit. Ka një domethënie të madhe që të mos ketë lëvizje këmbësorësh në orën 8 të mëngjesit. Jemi qëlluar me automatik dhe tanku u dogj me kundrapredhë. Janë vrarë 5 veta dhe 7-8 janë plagosur. I mësova më vonë emrat e të vrarëve, por nuk i mbaj mend. Policia e Elbasanit na mori dhe na shoqëroi për në spital, por unë nuk pranova të kurohesha aty dhe jemi dërguar me helikopter për në spitalin e Tiranës. Ishim 5 veta në helikopter. Kjo që ndodhi në Cërrik ishte një gracë e përgatitur ndaj nesh, pasi ne shkuam për të marrë armët. Në spital ishin 4 veta dhe aty kam marrë vesh që tre veta ishin marrë peng në Cërrik. Njëri prej tyre ishte Petrit Prenga. Ai më tregoi se kur e kishin marrë peng i kishin dhunuar dhe i pyesnin: pse keni ardhur këtu se ne jemi vetë shteti. E kishin mbajtur 3-4 orë peng dhe e kishin dhunuar. Nuk e di se kush janë personat që kanë qëlluar ndaj nesh”.

Pashk Deda: Cërriku më 22 maj ishte në heshtje.

Makra u parapërgatit, u qëlluam me armë të rënda

Një tjetër dëshmitar i 22 majit ka qenë edhe gardisti Pashk Deda. Ai tha dje se “Në vitin 97 kam jetuar në Mirditë dhe i bëra një kërkesë policisë për të filluar punë. Fillova në repartin e gatshëm të policisë. Ka qenë data 22 maj dhe na thanë se ishte bllokuar komisariati i policë së Cërrikut nga bandat dhe jemi nisur nga Tirana për në Elbasan. Njoh disa nga personat e repartit Pjetër Nikolla, Dritan Hasa, Gëzim Prenga, Gjergj Prenga etj. Në dalje të Cërrikut gjetëm armatime në një banesë dhe pasi i mblodhëm u nisëm për në Cërrik. Unë kam qenë në një blindë ngjyrë të gjelbër dhe kur arritëm në Cërrik nuk kishte fare lëvizje qytetarësh, nuk kishte njeri të gjallë në rrugë. Në momentin e parë që u futëm filluan krismat nga të gjitha anët. Në mjetin tim ishte Pjetër Ndoi, Tom Lacka edhe 2 të tjerë. U plagos i pari Dritan Hasa, ne nuk kemi qëlluar, por është qëlluar ndaj nesh me automatik, granatë, predha dhe kundërtank. Pasi u plagos Dritan Hasa, u plagosa unë dhe më tej Petrit Nikolla. Ne nxorëm Dritan Hasan për ta dërguar tek blinda i bardhë dhe në ato momente u plagosa unë dhe Petrit Nikolla u plagos në fund. Mbaj mend që Petrit Ndoi vdiq se mori një plumb në kokë. Më tej kemi shkuar në spital dhe aty morëm vesh se kishte të vrarë dhe të plagosur. Ka pasur 6-7 të vdekur dhe të plagosur më shumë se 12-13 veta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›