E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet taksa e re e makinave, hyn në qershor

19/05/2010 Komisioni i Ekonomisë jep “OK”. Ja ndryshimet që do pësojnë pagesat

Nëse keni menduar të blini një makinë të përdorur është koha për ta bërë tani këtë veprim, pa hyrë ende në fuqi, ligji i ri i Ministrisë së Financave, që parashikon rritjen e taksave për shitjen e makinave, si dhe për importimin e tyre. Dje, Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar projektligjin e ndryshuar për taksat kombëtare. Ndryshimet e këtij ligji përfshijnë në vetvete taksa të reja që quhen "Taksa e mjeteve të përdorura të transportit" dhe "Taksa e karbonit", çka do të thotë rritje automatike të parave që duhet të paguajnë qytetarët. Referuar ligjit që tashmë ka mbërritur në Kuvend, parashikohet taksimi për të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet. Duke pasur parasysh afatet kohore, parashikohet që deri në fund të qershorit të aplikohen taksat e reja që do të sjellin rritje të menjëhershme të pagesës së doganave dhe shitjes së tyre brenda vendit. Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, deputeti demokrat, Florian Mima, deklaroi se “parimi është pak a shumë i njëjtë me parimin e TVSH-së. Nuk është taksë e re. Do të ketë një diferencë të vogël, fare të vogël pozitive nëse ai që e shet e ka përdorur qoftë edhe një vit më shumë se ai që e ka importuar. Pra, vetëm në këtë rast do të ndryshojë koeficienti i viteve të përdorimit dhe shifra është lehtësisht e përballueshme nga cilido që importon dhe shet makina brenda territorit të Shqipërisë”. Ligji prek qytetarët që blejnë një makinë si kur paguajnë në doganë, ashtu edhe kur shesin, pasi do të kenë një detyrim të ri. Për automjetet deri në 5 vite përdorimi, taksa do të ketë një ulje të lehtë. Për ato nga 6 deri në dhjetë vite përdorimi, taksa ka një rritje të vogël, ndërsa për automjetet mbi 10 vite përdorimi, taksa rritet në proporcionalitet me rritjen e viteve të përdorimit. Por ndryshimi më i rëndësishëm i ligjit të ri ka të bëjë me shtrirjen e taksës edhe në shitjen e automjeteve brenda vendit. Nëse dikush vendos të rishesë automjetin, për të cilin e ka paguar njëherë taksën në import, gjatë shitjes taksa për këtë automjet do të rillogaritet sërish. Taksa rritet ë proporcion me vitet e përdorura. Për shkak të vjetërsimit të makinës, vlera e taksës në shitje do të dalë më e lartë se sa ajo që është paguar në import. Ligji i ri detyron shitësin, që të paguajë diferencën e kësaj vlerë në shtet.

Shitja

Një qytetar ka blerë jashtë Shqipërisë në vitin 2009 një makinë me naftë, të vitit 1996. Makina ka një cilindratë prej 2500 kubikësh. Ai e ka zhdoganuar makinën në bazë të formulës së vjetër dhe ka paguar 300 mijë lekë. Në rast se ky qytetar do të dojë të shesë makinën, ai do të paguajë taksën e shitjes së mjeteve të përdorura që është 437500 lekë, pra 137500 lekë shtesë.

Importi

Një qytetar për një makinë nafte të prodhuar në vitin 2008, me cilindratë 2500 kubik e importuar sot duhet të paguajë 150 mijë lekë doganë. Me formulën e re, llogaria del ndryshe dhe qytetari paguan më pak para. Kështu, paguhen 62500 lekë dhe kursen plot 87500 mijë lekë në raport me taksën e vjetër të quajtur “doganë”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›