Nikoqirllëku i rremë, në emër të nostalgjisë
Na ishte një kohë kur komunizmi vdiq, por nuk kishte dhënë shpirt. Kishte mbetur nostalgjia. Në parlamentin e përzier, me votat e shumta të votimeve të përfaqësuesve të diktatorit pasardhës, që e kishte shpallur vendin tonë as Lindje as Perëndim, po diskutohej një problem i rëndësishëm. A duhej hequr ylli i kuq mbi kokën e shqiponjës dykrenore, apo duhej lënë mbi flamurin shqiptar? Ndërsa as në kohën e fashizmit nuk i mbante dot në kurriz shqiponja jonë emblemat e fashios së liktorit. U gjet si pretekst se nuk ishte shpallur në “Fletoren Zyrtare” të atëhershme, pasi italianët e kishin dhënë vendimin vetëm në gazetën zyrtare italiane.
Por le të vijmë tek ylli i kuq pesëcepësh në parlamentin tonë. Parlamentarët e Ramiz Alisë u bënë copash që ylli të mos hiqej. Nuk thoshin se atë e ruanin akoma në flamurin e tyre jugosllavët. Do të ishte diskredituese për deputetët e majtë dhe për figurën antikombëtare të diktatorit tonë të ndier. Por ata nga enveristët tanë më të zgjuar, nxirrnin argumente shumë të pazgjuara. Si për shembull, në Sanremo kishte yje nga të gjitha anët e skenës ku konkurronin këngëtarët. Në të vërtetë disa nga yjet ishin të projektuar në skenën e zbukuruar me ngjyrime të ndryshme reflektorësh. Veçse yjet ishin të ngjyrave të ndryshme: të verdha, ngjyrë manushaqe, blu, bojë-ari. Natyrisht kishte edhe disa yje të kuq.
Por hipokrizia nuk e kishte burimin tek absurditeti i arsyetimit me festivalin italian. Duhej ruajtur ylli i kuq për nostalgji, për të mbajtur gjallë mendësinë e një regjimi të urryer. Kishte edhe filosllavë të kamufluar që kërkonin një gjë të përbashkët në flamujt jugosllavë e shqiptarë. Kjo po ngjet tani edhe me piramidën, që duhet t’i lërë vendin parlamentit të ri, si edhe mjaft institucioneve të larta të një shteti të ri demokratik. Në çdo shtet të një vendi euroatlantik, këto institucione janë në vendin më të zgjedhur e më të dukshëm të kryeqytetit. Por nikoqirët tanë kërkojnë kursime. Janë të sinqertë po aq, sa ishin ata që kërkonin që ylli i kuq të ishte domosdoshmërisht mbi flamurin tonë. Vendimi për të plotësuar kushtet e kandidatit për të qenë pjesëtar i Bashkimit Europian, kërkon një vendim prej 2/3-ash. Vendimmarrja na krijonte kushtet e një ndihme financiare prej milionash në euro. Ne e humbëm rastin, se opozita jonë kishte bllokuar parlamentin. Humbëm edhe milionat. Këtu as që bëhej fjalë për interesat kombëtare. Dhe nikoqirllëkun që e përmendëm më sipër le ta merrte lumi! Madje inatçillëku i Edi Ramës për humbjen e pashallëkut të tij të privilegjeve në atë seli vetjake ultraluksoze dhe të stërzmadhuar , thuajse është zografisur në ballë kryetarit votëhumbur. Ai që ia kishte dorëzuar bashkinë, vite më parë, z. Albert Brojka, i kishte dhënë dorën, e kishte uruar dhe i kishte dhënë të gjitha udhëzimet për problemet e mbetura, me qëllim që ta ndihmonte efektivisht në detyrën e re.
Por kryetari që kishte humbur zgjedhjet e 8 majit, as që vajti të bëjë dorëzimet. Në intervistat me gazetarët, z. Lulzim Basha kishte folur haptazi e me sinqeritet se do të pranonte vendimin e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor. Ndërsa tani na thuhet se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë marrë kaq e aq pare (!), për të dhënë atë vendim që nuk i vinte për osh Edvinit. Madje ky e kishte thënë copë se do të pranonte për vendim të ligjshëm atë, dhe vetëm atë, që do t’i jepte sërish mandatin e kryetarit! Sa për atë kursimin që do të duhej të bëhej, si një vend i varfër që jemi, të gjithë e dinë se ato pelegrinazhet që bënte Edi në të gjitha krahinat e Shqipërisë, me një autokolonë autobusësh të mbushur përplot me me vajza të mitura, - paçka se me moshën e paarritur që të merreshin me politikë, - këtu nuk i mëshohet lapsit për të llogaritur sa naftë harxhohej dhe sa shpenzime të tjera suplementare bëheshin , për t’u thënë fshatarëve sesi bëhej mbjellja e sesi bëhej korrja! Kryetarit të ri i bëheshin llogaritë e një shtëpie të vetme me qira në Kosovë, ndërsa kryetari i larguar i bënte aferat me një që kishte me dhjetëra e dhjetëra pallate në posedim, secili me një numër të madh apartamentesh!
Tani jemi të gjithë të shqetësuar sesi do të arrihen mirëkuptimet për të drejtën që të na jepet statusi për të aderuar në BE. Me atë noksanllëk të Edit dhe me atë cinizmin e tij “sesa përfitoj unë, personalisht që ju (nuk e kupton se BE-ja është aspiratë e të gjithëve) të keni mundësinë e votimit të cilësuar”, e vështirë të gjendet gjuha e përbashkët.