E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksportet bujqësore rriten 31 % gjatë 6-mujorit të parë të 2011-s

28-07-2011 / Gazeta 55

Bujqësia dhe peshkimi përcaktohen si burime të paeksploruara si duhet për rritjen ekonomike. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Berisha kujton boronicën, si frutin më të kërkuar në tregun evropian, por edhe si provën se burimet natyrore të vendit s’po shfrytëzohen sa duhet

Kryeministri Berisha trajtoi sot, në mbledhjen e qeverisë, disa nga zhvillimet më pozitive, por edhe të problematikave në fushën e bujqësisë, duke sjellë treguesit më të fundit të rritjes së prodhimeve shqiptare dhe eksportit të tyre, në bazë të të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas këtyre të dhënave, eksporti i prodhimeve shqiptare është rritur me 31 për qind, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe konkretisht, rritja 2.6 herë në vëllim ose 300 për qind në vlerë të eksportit të perimeve; rritja 300 për qind në vlerë të eksportit të frutave; rritja 48 për qind në vëllim dhe 44 për qind në vlerë të bimëve mjekësore.
“Përpjekja jonë, tha kryeministri, për të nxitur subvencionimin ka bërë që mijëra apo dhjetëra mijëra hektarë tokë frutikulturë të japin rezultatin e vet të pamohueshëm”. Kryeministri Berisha, duke e konsideruar rritjen e prodhimit bujqësor të një rëndësie kapitale, vuri theksin në disa nga problematikat e rëndësishme në këtë drejtim, për të cilat kërkoi nga institucionet e linjës, të adresohen me shpejtësi.
Kryeministri kërkoi ndjekjen e politikave më intensive në drejtim të shtimit të sipërfaqeve të mbjella me arrorë, ullinj dhe drurë frutorë dhe në mënyrë të veçantë, nxitjen e kultivimit të bimëve mjekësore apo bimëve aromatike, si dhe të boronicës, tregu i  së cilës, tha Kryeministri, është pothuaj inekzistent në vend, ndonëse Shqipëria ka terrene shumë të përshtatshme për kultivimin e boronicës, edhe pse është shumë e kërkuar në tregun europian.
Kryeministri kërkoi gjithashtu, të inkurajohen fermerët të krijojnë shoqatat e tyre, duke sjellë si shembull pozitiv në këtë drejtim, rritjen e prodhimeve dhe të eksportit të tyre aty, ku janë ngritur shoqatat e fermerëve, si në Divjakë të Lushnjës, Bushat të Shkodrës etj.
“Në mbledhjen e sotme dëshiroj të ndalem në problematikën e rëndësishme të prodhimit bujqësor, rritja e të cilit është e një rëndësie kapitale. Natyrisht, ajo është dhe do mbetet gjithnjë vepër e fermerëve, por është në detyrimin e qeverisë të bëjë çdo gjë të kontribuojë, lehtësojë dhe mundësojë rritjen e këtyre prodhimeve. Lajmi shumë i mirë ishte lajmi që dha dje Ministria e Bujqësisë, sipas së statistikave të saj, ka një rritje prej 31 për qind të eksporteve bujqësore në gjashtë mujorin që kaloi, krahasuar me gjashtë mujorin e një viti më parë. Në këtë rritje, disa artikuj kanë kërcim, pra, rritje shumë të madhe dhe kjo është shumë pozitive. Kështu, ka një rritje me 2.6 herë në vëllim dhe me 300 për qind në vlerë në eksportin e perimeve. Kjo tregon se politika jonë e stimulimit të serave në tërësi dhe e serave të diellit në veçanti është plotësisht e justifikueshme dhe duhet të vazhdojë me këmbëngulje. Po ashtu, ka një rritje të ndjeshme mbi 300 për qind të eksportit të frutave. Nga 202 ton që janë eksportuar në gjashtë muaj vitin e kaluar, ka arritur në 646 ton, pra, me një rritje prej 300 për qind. Një rritje kjo, sigurisht premtuese, që mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt 10 herë më e madhe se aktualisht. Sidoqoftë, një gjë dëshmon qartë se përpjekja jonë për të nxitur subvencionimin ka bërë që mijëra apo dhjetëra mijëra hektarë tokë frutikulturë të japin rezultatin e vet të pamohueshëm. Me hyrjen në prodhim të pemëtoreve të reja ka trefishim të prodhimit. Është e domosdoshme që këto drejtime të forcohen, të potencohen dhe të jenë ndër drejtimet më kryesore.
Rritje të cilësuar me 48 për qind në vëllim dhe 44 për qind në vlerë kanë bimët mjekësore. Por potencialet këtu janë 10 herë më të mëdha. Tregu i tyre është një nga tregjet më të sigurt. Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë gjithçka për nxitjen e kultivimit të tyre, për shtimin e sipërfaqeve me këto bimë. Ne duhet të subvencionojmë, të përfshijmë në skemë, të nxisim dhe inkurajojmë mbjelljen e tyre. Shqiptarët duhet ta dinë se flora e tyre është ndër më të pasurat në Europë e në botë. Ka ndër bimët aromatike të këtij vendi që në peshë të thatë shkojnë një me një me floririn. Ndaj është shumë e rëndësishme që Qendra e Transferimit të Teknologjive dhe Instituti Bujqësor ta trajtojnë me seriozitetin më të madh problemin e bimëve medicinale, bimëve aromatike. Mund të mos jenë bimë medicinale, por janë aromatike dhe kanë destinacione të tjera. Ndaj është e domosdoshme një politikë më agresive në mbarë vendin për të nxitur kultivimin dhe mbledhjen e tyre”, u shpreh Berisha.
Sipas shefit të ekzekutivit rritja e prodhimeve bujqësore është me rëndësi të jashtëzakonshme, për të mundur të balancojmë bilancin tregtar të vendit.
“Sikundër është e një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse 50 për qind të popullsisë, ne e kemi në zonat rurale. Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që t’i nxisim, inkurajojmë që të krijojnë të ardhura, që të shfrytëzojnë në mënyrë sa më racionale e të efektshme tokën e pakët bujqësore që kemi, t’i nxisim që të marrin sa më shumë të jetë e mundur tokë nga kodrat e malet e vendit për arrorë, bimë mjekësore, ullishte e kultura të tjera. Ministria e Bujqësisë duhet të mbajë parasysh çdo minutë, çdo orë e çdo ditë, se jemi vendi me sipërfaqen e tokës bujqësore më të paktë për frymë në Europë, gjithsej 1800 metër katror për frymë. Atëherë, duhet të bëjmë gjithçka që ta shtojmë këtë sipërfaqe, duke marrë nga kodrat, shpatet dhe luginat që nuk janë bujqësore”, deklaroi kryeministri.

Kultivimi i boronicës, fruti më i kërkuar në tregun evropian
Kryeministri cilësoi si prioritet të ardhshëm të druve frutorë, kultivimin e boronicës, e cila siç tha Berisha, është tërësisht e braktisur edhe pse në tregun evropian është më e kërkuara. “Është e domosdoshme, gjithashtu, të bëhet një përkujdesje shumë e madhe për boronicën, e cila është tërësisht e braktisur. Shpatet e të gjitha maleve të Shqipërisë janë në tërësi, në një lartësi të caktuar e sipër, çka i bën terrenet më të shkëlqyera për t’i mbjellë. Por nuk ekziston as edhe përpjekja më e vogël në këtë drejtim, ndërkohë që tregu i boronicës dhe vetitë e saj, që nga lashtësia e gjer më sot, janë ndër më të njohurat e më të çmuarat. Ne kemi male, por boronica nuk kemi. Ndaj është e domosdoshme që të ndërmerret një projekt kombëtar, për mbjelljen e sa më shumë të tyre. Natyrisht, ato mbijnë edhe vetë, por edhe kultivohen. Në çdo pllajë të një lartësie të caktuar, boronica mund të jetë omni prezente. Ministria e Bujqësisë dhe Instituti Bujqësor të mos i lënë ‘jetimë’, ndaj duhet një ndryshim shumë i shpejtë  në këtë drejtim. Ka studimeve të panumërta, sipas të cilave, boronica bashkë me shegën qëndron në krye për antioksidantët, ‘eliksiri i jetës’ dhe nuk ka asgjë që t’i afrohet më shumë eliksirit, sesa antioksidantët që shtyjnë përjetësisht plakjen. Pra, është e domosdoshme të kemi një program sa më intensiv. Edhe boronicat që mblidhen eksportohen, sepse këtu nuk ka as edhe treg për to. Kështu që është e domosdoshme të punohet në drejtim të tyre”, tha Berisha.
Më tej, kryeministri theksoi se ndër eksportet e tjera ka një rritje të pjeprit, bostanit, në vlerë 46 për qind.
“Në fakt, mund të ishte 400 për qind, por kjo kërkon që fshatarët të krijojnë shoqata. Aty, ku krijohen shoqata, ka pasur rezultate të shkëlqyera në eksportin e tyre, si në  Bushat, në Myzeqe, Divjakë e disa zona të tjera. Ndaj ne duhet t’i inkurajojnë ata. Unë e kuptoj frenimin psikologjik që kanë fshatarët tanë të krijojnë shoqata, për shkak të së shkuarës së zezë në kooperativa bujqësore, por duhet t’u bëhet e qartë se nuk ka asnjë lloj krahasimi midis atyre formave të mjerimit dhe varfërimit të njeriut, me format e reja që u japin mundësi prodhimeve më të prodhimeve më të mëdha, pasurimit e mëkëmbjes më të shpejtë. Ndaj me punë individuale duhet të përpiqemi që t’i bindim për të krijuar sipërfaqe më të mëdha”, theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›